Home Gjeo-Ekonomia Rrëfime të grave në Ballsh, Mejreme Ferzaj: “Kërkojnë të na ulin dinjitetin,...

Rrëfime të grave në Ballsh, Mejreme Ferzaj: “Kërkojnë të na ulin dinjitetin, nuk dalim kokulur nga greva”

Merjeme Ferzaj qëndron e shtrirë në një prej shtretërve në dhomën e përshtatur për grevën, afër mjediseve të rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh.

Hapësira e vogël ndahet mes disa grave të tjera greviste, ndërkohe që tavolina përbri shtratit mban sipër ilaçe të shumta, shtuar bashkë me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të tyre.

Rafineria gjallohet si brenda dhe jashtë saj. Burrat qëndrojnë jashtë godinës, në mbështetje të grave që prej 15 ditësh zunë vendin e tyre në grevën e urisë.

“Unë si person jam tip revolucionare. Nuk tërhiqem kollaj. Në datën 17 shtator kam vajtur në ministri, e kam shqyer derën atje i kam pasur krahët e nxirë nga policët. Kam energji, jam e fortë dhe hyra brenda”, – thotë Merjeme Ferzaj.

Ferzaj nuk pati asnjë ngurim për t’ju bashkuar kësaj proteste, edhe pse shëndeti i saj mban peshën e plot 35 viteve punë në sektorin më të vështirë në atë rafineri. Kjo, sipas saj, është një arsye e mjaftueshme për ta vijuar rezistencën.

“Kam mbaruar shkollën 18 vjeç. Kam mbaruar teknikumin e naftës, shkollën profesionale tamam për përpunimin në uzinën e naftës. Jam futur 18 vjeç në punë, kam 35 vite këtu, kam punuar në repartin më të vështirë, reparti i kopsit, për prodhimin e gazit të lëngshëm”, – rrëfen ajo, teksa shpjegon se e dashuron punën e saj, pavarësisht vështirësive.

“Unë profesionin tim e dashuroj shumë! E dashuroj jashtë mase! Edhe pse është i vështirë, se do të të duhet të rrish tërë natën në panel, të mbash regjimin, atje që mos të prishet cilësia e prodhimit. E mbaja regjimin dhe nuk ulesha një sekond natën”.

Prej dekadash e punësuar në atë rafineri, tashmë ajo zotëron çdo detaj të procesit të përpunimit të naftës.

“E mbaja regjimin, temperaturën, presionin, nivelin dhe kur vinte prodhimi i bitumit, ne arrinim jo të bënim analizën, po e shikonim me dorë. U mësua syri, aaa është i cilësisë së mirë. S’kishte nevojë për analiza në laborator”, – kujton ajo me nostalgji.

Disa ditë më parë, Mejreme Ferzaj pati mundësi të kthehej te reparti ku ka punuar më herët, të cilën e konsideron një shtëpi të dytë, veprim që i ka ngjallur asaj shumë emocione.

“Para disa ditësh, që u shqye porta dhe hymë brenda, për zotin kam vajtur kam qarë te reparti im. Më erdhi shumë keq, se më ka mbajtur me bukë. I thonë 35 vjet, nuk janë pak. Më shumë rrinim te puna sesa te shtëpia. Është shtëpia e dytë. Ikja në orën 6 të mëngjesit dhe vinja në tre në shtëpi, pasdite. Apo vija në darkë në orën 11, me turne”.

“Të kem punë, unë fluturoj…”
Gjatë gjithë intervistës, Merjemja tregon se gjithçka po e bën për të shkolluar të bijën e saj, e cila momentalisht ka ndërprerë studimet, si pasojë e vështirësive ekonomike, të thelluara nga kolapsi i rafinerisë së Ballshit.

Ajo ka marrë kredi disa vite më parë, por tashmë nuk mundet ta paguajë as kredinë me vlerën 2 milion lekë (të vjetra), e as faturat e tjera.

“Kredinë unë e kam marrë, po bëj tre vjet. Kam marrë kredi, borxh për të vazhduar shkollën vajza, dhe unë e kam hequr vajzën nga shkolla. Vajza vitin e parë e kishte 240 euro muaji shkollën, se e kisha në degë profesionale. Mirëpo e mora kredinë se atëherë filloi uzina dhe e dija se do të vazhdonte, por ta dija se nuk vazhdonte, nuk e merrja se po kalon gjithë këto strese dhe ne këtu”.

Kredia, sqaron ajo, nuk pyet për problemet që kanë kapluar Ballshin, e as për padrejtësitë që ju janë bërë punonjësve ndër vite.

“Para një muaj e gjysmë, kisha vdekje brenda shtëpisë, ajo më merrte në telefon për kredinë. Nuk të falin”, – shprehet Ferzaj.

Në telefonin e saj, para pak ditësh, erdhi mesazhi i radhës nga banka, që i kërkon ta shlyente këstin prej 9000 lekësh. Muajin e shkuar, ajo rrëfen se arriti të lante një këst të kredisë, pasi u përball me një fatkeqësi brenda në familje.

“Më vdiq kunati dhe kunati im rrinte në Belgjikë, vëllai i burrit dhe nuk kishte shtëpi këtu kështu që unë hapa derën dhe me ato lekë që u mblodhën për atë, lava kredinë”.

Ndonëse në prag pensioni, e rënduar nga sëmundjet profesionale, Merjemja pohon se një vend pune, në çfarëdo sektori, do ta lumturonte pamasë atë.

“Unë nuk i trembem punës. Dhe të gjej punë tani, unë punoj. Punoj në ndonjë lokal ose ku të ketë, në kuzhinë ose kuzhiniere, nuk e kam problem. Të kem punë, unë fluturoj! Harroj gjithçka! Për të mbajt familjen!”.

Bukë, ujë, drita
“Ne s’kemi ujë, s’kemi drita, kredinë pa paguar. Ujë, bukë dhe drita kërkojmë ne. Tre gjërat bazike për njeriun. Të kërkosh këto në shekullin 21, kjo është çmenduri!”

Kështu vijon në fjalën e saj Merjeme Ferzaj, fizikisht tashmë më e gjallëruar, teksa njerëz të ndryshëm hyjnë dhe dalin nga dhoma ku mbahet greva e urisë.

Përkeqësimi i kushteve të punës dhe problemet me marrjen e pagës, erdhën pas privatizimit të rafinerisë, saktëson Merjemja, gjersa përsërit kërkesën për të marrë asgjë më shumë sesa i takon.

“Pothuajse çdo punëtor ka mesatarisht 10 milion lekë pa marrë. Ne gëzonim kur merrnin një rrogë 600-700 mijë lekë. Të marrim 10 milion lekë ne bëhemi me krahë. Fundja është djersa jonë”.

Saga e pagesës në këtë sektor ka vijuar prej vitesh tashmë. Ferzaj artikulon se naftëtarët janë penguar nga organizimi prej disa arsyeve; mosfunksionimi i sindikatës së mëparshme, taktikat që përdornin firmat private ndaj sektorëve të ndryshëm dhe administrata drejtuese.

“Këtu ka mbizotërua mafia… kemi pasuruar horrat. Na kanë shtypur si skllevër, por në bashkëpunim me administratën tonë. kur dilnim ne në protesta nuk na linin, na kërcënonin me heqje nga puna. Lekun e marrin por punën e bëjmë ne”.

Në kohën kur rafineria administrohej nga “Taçi Oil”, metodika e shtypjes së organizimin konsistonte në pagesë të pjesshme të punëtorëve, në varësi të reparteve.

“Dhe kur ka qenë “Taçi Oil” përdornin një metodë që u jepnin dy-tre reparteve lekë, për të thënë që ua dhamë lekët. Kur vinin pas Vitit të Ri na thanë: ‘Gëzuar Vitin e Ri’. Një shoqja jonë u tha: ‘Ça Viti të Ri? Po s’pate lekë detyrimisht që s’do të festojmë’. Po jo, tha ai, mos blini gjëra të shtrenjta, merrni një djathë 3000 lekë. Zotëri i thashë, për ne djathi 3000 lekë është më i shtrenjti për ne”.

Tërheqja nuk është opsion për naftëtaret gra
Merjeme Ferzaj e ka hedhur idenë e një greve urie që në muajin shkurt të këtij viti. Ajo e krahason këtë akt si “zgjim nga një ëndërr”, ndërkohë që pohon se greva u bë me vonesë, kushtëzuar nga shumë faktorë.

“E di si më duket tani mua? Sikur ne kemi fjetur dhe jemi zgjuar nga një ëndërr. Kjo duhej bërë më përpara, por më mirë vonë sesa kurrë”.

Jo vetëm çështje pagese, tërheqja nga greva e urisë nënkupton edhe ulje dinjiteti për naftëtarët.

“Ne humbjen e kemi në xhep por mund të dalim me super humbje pastaj. Se ai na ul dinjitetin, do dalim me kokën ulur. Për çfarë ndenjëm ne kaq shumë?”.

Me punën dhe kursimet e vazhdueshme, në dekada vite punë në rafineri, Merjemja ka arritur të ndërtojë një shtëpi, tërësisht me forcat e saj.

“E kam bërë shtëpinë vetë, me shpatullat e mia… që të të tregoj histori, se më vjen edhe për të qarë. E merrja punën e para dhe dilja e fundit. Çfarë bëja, se nuk doja ta merrte vesh njeri, i mblidhja lekët në një lëmsh edhe i fusja në një sirtar komoje. Lekët e shtëpisë në këtë mënyrë i kam mbledhur. Kur i kam dhënë lekët e shtëpisë, burri nuk dinte asgjë. Shtëpia më vajti 18 milion”.

Ky mund dhe investim është bërë me një kosto shumë të madhe, pasi ajo është ekspozuar nga avari të ndryshme në procesin e punës, të cilat i ka përballuar me kurajo.

“Më ka rënë flakë në majë të kollonës, kollona 35 metra e lartë. Prodhoja gaz të lëngshëm dhe nga gazi që dilte na maje të kollonës, rrufeja, kur ishte shi, shkreptiu dhe ra zjarr. Jam ngjitur për pesë minuta unë dhe e kam fikur zjarrin. Janë habitur meshkujt!”, kujton Mejerme Ferzaj.

Duke iu kthyer lidhjes së ngushte më vajzën dhe sakrificat e vazhdueshme që bën për t’i mundësua të gjitha kushtet e nevojshme, ajo e përlotur tregon se vajza e saj e quan atë heroinë.

“Goca që më shkruan ndonjëherë, çdo ditëlindje që kam më bën shkrime, edhe më thotë ‘heroina ime’”, -përfundon Merjeme Ferzaj.

Drejt ikjes tonë, gratë naftëtare na falënderojnë për vizitën dhe kërkojnë të shkojmë prapë, sepse çdo vizitë ato i bën të mos ndjehen vetëm dhe u jep shpresë se zëri i tyre do të dëgjohet./https://citizens-channel.com/

Share: