Edhe pse çështja e mandatit të tij i ka kaluar tashmë Gjykatës Kushtetuese, deputeti Koço Kokëdhima duket i bindur deri duke habitur te tjeret, që nuk do ta humbasë mandatin.
“Nuk është në diksutim mandati im i deputetit. Unë dua që nga kjo studio t’ju them se jam në politikë, do të jem në politikë dhe do të lë gjurmën time në politikë. Dhe këtë mandat unë do ta përfundoj deri në fund”, është shprehur Kokëdhima në emisionin Opinion te Blendi Fevziut.
Edhe pse është shprehur I bindur që mandati i tij nuk do të hiqet, deputeti Koço Kokëdhima I është përgjigjur pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu, mbi veprimin e tij, nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë heqjen e mandatit për përfitime të fondeve publike.
“Unë do respektoj gjykatën në mënyrë të plotë dhe nuk bej komente as Pro dhe as Kundër. Le të marrin vendim, por më parë Saliu duhet të gjejë ndonjë provë”, është shprehur Kokëdhima duke shtuar se rasti I tij është I ngjashëm me atë të ministrit Beqja dhe duke gjykuar rastin e Ministrit të Shëndetësisë, gjykata ka gjykuar edhe rastin e tij.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, lidhur me disa kontrata të nënshkruara nga disa institucione shtetërore shqiptare dhe kompania Abisnet, që Koço Kokëdhima drejtonte, deputeti socialist është përgjigjur:
“Unë jam zgjedhur deputet në datën 2 gusht, ora 18:00, ndërkohë që kontrata e komunës Rrushbull me kompaninë time është lidhur në këtë datë, por brenda orarit zyrtar , pra disa orë para se unë të bëhesha deputet.” Madje ne menyre cinike, Kokëdhima ka shtuar se kjo ka qenë një komunë demokrate, e Saliut sikurse e ka cilësuar ai.
Gjithmonë duke mbetur te debati për mandatin e deputetit Koço Kokëdhima dhe papajtueshmërinë që ky mandat bie në ligjin për shkak të përfitimit nga fondet publike, vetë Kokëdhima ka thënë në Opinion se vetë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar akuzat e Partisë Demokratike.
Ndërkohë që përplasja e fakteve ka vazhduar e nxehtë midis gazetarit Fevziu dhe deputetit Kokëdhima, ku ky i fundit ka mbrojtur vetveten duke thënë se nuk është përfitues i fondeve publike.