Home Gjeo-Ekonomia Presidenti kinez i thotë Bidenit se SHBA-ja dhe Kina duhet të shmangin...

Presidenti kinez i thotë Bidenit se SHBA-ja dhe Kina duhet të shmangin përplasjet

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, të mërkurën e përgëzoi presidentin e zgjedhur amerikan, Joe Biden për fitoren e tij në zgjedhje, njoftoi media shtetërore kineze.

Në telegramin e tij, Xi tha se të dyja vendet nuk duhet “të përfshihen në asnjë konflikt ose konfrontim, por në respekt të ndërsjellë, dhe në frymën e bashkëpunimit fitimprurës dypalësh, në mënyrë që të promovojnë paqen dhe zhvillimin në botë”.

Presidenti kinez i dërgoi mesazhin e urimit Bidenit dy javë më vonë se disa vende të tjera të mëdha.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë kanë arritur nivelet më të këqija në muajt e fundit, pasi dy superfuqitë kanë shkëmbyer akuza mbi një sërë çështjesh përfshirë luftën tregtare, akuzat e spiunazhit, të drejtat e njeriut, liritë e medias dhe rivalitetin në fushën e teknologjisë.

Të dyja vendet kanë sulmuar në mënyrë të përsëritur njëra-tjetrën për trajtimin e pandemisë vdekjeprurëse të koronavirusit. Uashingtoni fajëson mungesën e transparencës së Kinës gjatë shpërthimit fillestar të epidemisë në Vuhan në fund të vitit të kaluar.

Xi në mesazhin e tij shtoi se “zhvillimi i shëndetshëm dhe i qëndrueshëm i marrëdhënieve SHBA-Kinë përputhet me interesat themelore të të dy popujve”.

Nënpresidenti kinez, Wang Qishan, gjithashtu i dërgoi një mesazh urimi, Kamala Harris, për zgjedhjen e saj si nënpresidente e SHBA-së, njoftoi agjencia e lajmeve Xinhua.

Top Channel

Share: