Home KRYESORE Protesta/ Policia shoqëroi të miturit, reagon Avokati i Popullit

Protesta/ Policia shoqëroi të miturit, reagon Avokati i Popullit

Avokati i Popullit ka reaguar pas shoqërimit të disa të miturve që morën pjesë në protestën për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.

Përmes një reagimi në “Facebook”, ky institucion shpreh shqetësimin se si janë trajtuar të miturit nga autoritetet. Në njoftim thuhet se në mënyrë të përsëritur, vërehet mungesa e zbatimit të rregullave, procedurave dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, për shoqërimin/ndalimin e të miturve nga forcat e rendit.

Më tej, Avikati i Popullit thotë “Të gjithë jemi të vetëdijshëm, që lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit.”

Reagimi

Institucioni i Avokatit të Popullit është vënë në dijeni, nga mediat online, por edhe shoqëria civile dhe organizata të saj, lidhur me shoqërimin e disa të miturve nga forcat e Policisë së Shtetit, pjesëmarrës ose në mënyrë rastësore të pranishëm, në protestën e zhvilluar dje në kryeqytet.

Në mbështetje të nenit 13, të ligjit nr.8454, datë 4.2.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, Avokati i Popullit filloi procedurën e hetimit administrativ të shqyrtimit të çështjes me nismën e vet, për rastin në fjalë.

Avokati i Popullit shpreh shqetësimin institucional, se në mënyrë të përsëritur, vërehet mungesa e zbatimit të rregullave, procedurave dhe standardeve të parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, për shoqërimin/ndalimin e të miturve nga forcat e rendit.

Sjellim në vëmendje të autoriteteve, se: fëmijët duhet të trajtohen në atë mënyrë, që promovon ndjenjën e tyre të dinjitetit njerëzor dhe vlerave, që lehtëson riintegrimin e tyre në shoqëri (të miturit në konflikt me ligjin), që pasqyron interesin më të lartë të fëmijës dhe, merr parasysh nevojat e moshës, pavarësisht rrethanave.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm, që lufta kundër ushtrimit të dhunës është përgjegjësi e shtetit.

Zbatimi i saj në praktikë, ndër vite ka qenë puna dhe angazhimi maksimal i të gjithë aktorëve publikë dhe jo publikë, por jo vetëm, edhe organizatave ndërkombëtare, institucioneve të pavarura, institucioneve të Bashkimit Evropian, për përmirësimin e kuandrit ligjor në vazhdimësi, organizimin e trajnimeve të ndryshme, për ngritjen e kapaciteteve të punonjësve, që janë në shërbim të drejtpërdrejtë me fëmijët, organizimit të fushatave ndërgjegjësuese, ngritjes së institucioneve të reja për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve.

Avokati i Popullit dhe KMPDF në vijëmësi kanë rekomanduar marrjen e masave nga ministritë e linjës dhe institucionet shtetërore, për informimin e të gjitha strukturave përgjegjëse për ushtrimin e detyrimeve dhe përgjegjësive në zbatim e legjislacionit të mbrojtjes së fëmijës dhe Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur!./ Opinion.al

Share: