Home KRYESORE Lulet dhe …inflacioni i fjalës luftë

Lulet dhe …inflacioni i fjalës luftë

Nga Frano Kulli

Në Shqipëri ka shumë lule, tani ato shkëmbehen e dhurohen, si një simbolikë e shpeshtë rrespekti e dashurie,ndër njerëzit mbarë, në shoqëritë e të gjitha moshave; tani lulet rriten e kultivohen, jo vetëm në kopshtije por edhe në sera, madje në llojëshmërinë e pakuptimtë të njësive tregtare në këtë vend, shitblerja e luleve, denduria e njësive të tyre është gjëja më për të qenë në Shqipërinë e tregtisë kaotike.

Ky imazh të vjen pas një vëzhgimi aspak të mundimshëm madje edhe krejt rastësor, sidomos në këta dhjetë a pak më shumë vitet e fundit.Sepse është e njohur se , në kohët më përpara nuk ka qenë kështu.Nuk ka qenë tek ne , më parë , ashtu si Europë, mardhënia jonë me lulet. Apo jo ?!Tek ne janë shkembyer lule si dhuratë me 8 mars, në ditën ndërkombëtare të gruas, kur simbolika e kësaj date e kësaj dite atje ka qenë tjetër gjë; ka qenë ditë kur në vendet me qytetërim të përparuar gratë demonstronin në këtë datë simbolike për të drejtat e tyre të kufizuara e të munguara…

Tek ne janë i janë tundur, në reshta parakalues, tufa me lule udhëheqësit (mostrës së dhunës) në ditën e punëtorëve me 1 maj (çfarë shpifurine estetike e morale, o Zot)…Sigurisht është në mes gjysmë shekulli i “njeriut të ri”, krijuar në kohën e dhunës (si Dashuri në kohën e kolerës)…Pak ditë më parë, në Italinë fqinje përkujtohej jo më shumë se 70 vjetori i ngjarjes kulmore në jetën e grave, kur ato kishin fituar të drejtën e shenjtë të lirisë, të drejtën për të votuar, të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.Porse lulet kanë qenë dhe janë simbolikë dhe dashuri e lashtë.Kurse tek ne….siç do të kumtonte Konica , shqiptari i madh dhe qortuesi ynë i madh, gjithashtu….

“Në Shqipëri lulet i hanë gomerët…”. Edhe pse , bie fjala në Shkoder, vetëm gjatë shekullit të njezetë janë krijuar rreth 300 këngë qytetare, me emra lulesh e dedikuar luleve…Po , prap, duke iu referuar Konicës së madh… “Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes…( “Kopshti Shkëmbor i Evropës Juglindore”.

Edhe pse sot, lulet janë e përditshmja edhe e qytetarisë sonë, prap se prap vëren një kontrast të hatashëm , nëse këtij trendi të ri (kësaj prirjeje të re) i vë përballë përdorimin inflacionist, të pandalshëm e të pavend të fjalës antonime – luftë.Lufta për jetën, luftë politike, luftë për mbijetesë, luftë klanesh,… lufta e nuseve.????!!!Deri këtu shkon paradoksi.Si mund të rrinë pranë njëra – tjetrës këto dy fjalë përjashtimisht të përputhëshme ?!

Po, unë mendoj se këtu nuk është vetëm një problem i të të menduarit tonë kolektiv të cektë; më shumë se kaq është psikologjia e luftës, që nuk po na shqitet edhe tani, në fillim shekullin e 21-të, kur , pas një periudhe të gjatë historike gjendemi më pranë paqes se kurrë, të lirë, të pavarur, anëtar të NATO-s, paktit më mbrojtës të lirisë e të paqes.Më shumë se kaq, janë reminishencat e së kaluarës sonë të skllavërueshme për një kohë të gjatë, ku mendësitë dominante kanë qenë, ato luftaraket…

“Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla” do të theksonte, që më 1922-shin, prap Konica i madh…Dhe padyshim, kumti i Konicës është qortimi dhe thirrja që i bën popullit të vet, një oksidental elitar i klasit të lartë…Më shumë, shumë më shumë se përpara frikës së luftës ne sot gjëndemi përpara detyrës për të bërë më mirë gjërat e paqes. Sigurisht nuk është fjala për paqen e përbotëshme, ku kontributi ynë është e do të jetë më se modest. Po për paqen tonë, këtu ndërmjet nesh. Përkundruall shfaqjeve dhe psikozës së dhunës, e cila ndot çdo ditë mjedisin tonë publik. Dhunë e frikë që shfaqet në fytyrën e taksidarit, zyrtarit, policit, ndërtimorit, faturistit,… në zhargonin parlamentar dhe në fjalimin e udhëheqësit…Kronika të dhunëshme mediatike dhe një garë e çuditëshme vrapimi drejt tyre.

Paqja vjen,duke bërë secili gjënë e vet të vogël, të përditshmen e vet; burri të veten, gruaja të veten, nxënësi e studenti të veten,, gazetari e politikani të veten…Me dashuri dhe me përgjegjësi. Se ne… “Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe” , është kumti lapidar i të Lumes Nënë Terezes.

Share: