Gjykata Kushtetuese nis zyrtarisht sot punën. Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë seancën e saj të parë në orën 10:00, pas dy vitesh ndërprerje për shkak të “shkrirjes” së saj nga vettingu.
Mësohet se në rendin e ditës së sotme çështja e parë që do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese është kërkesa nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkon “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të togfjalëshit ‘nga Gjykata e Shkallës së Parë, që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit’, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit ‘… i së njëjtës gjykatë’, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/ 2017″.
Ankimimi është bërë për antikushtetueshmërinë e nenit 453 te kodit të procedurës penale, ku prej 2017 kodi i procedurës penale i ndryshuar parashikon se ankimet për gjykimet në mungesë rishikohen nga gjykata që ka dhënë vendimin në dhome këshillimi me një gjyqtar.
Në një mbledhje të organizuar pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar kalendarin e punës, pas më shumë se dy vjet bllokimi. Të 7 anëtarët e saj, nga të cilët 3 morën detyrën në ditët e fundit të vitit të shkuar, vendosën që “të caktojnë kalendarin e çështjeve për shqyrtim në seancë plenare dhe në Mbledhjen e Gjyqtarëve”.
Tanimë gjyqtarët kushtetues kanë numrin e duhur për të zbritur në arenën gjyqësore, ku dhe do të ushtrohet kontroll mbi disa akte të legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat për shkak të mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese nuk ishte e mundur të mbikëqyreshin.
Janë 25 çështje të bëra gati, që do të shqyrtohen nga gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. 32 të tjera presin për mbledhjen e gjyqtarëve, më e rëndësishmja e të cilave është padia e shoqatës së bashkive, që kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të cilat në atë kohë u kthyen në një front grindjesh politike. Gjyqtarët kushtetues do të testohen edhe me ankesa si ajo e kryeministrit kundër presidentit Ilir Meta, i cili pasi refuzoi të dekretonte Gent Cakajn si ministër të Jashtëm, u padit në Gjykatën Kushtetuese nga kreu i qeverisë, që kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave dhe interpretim të nenit 1 të Kushtetutës. Dosje të nxehta e presin Kushtetuesen edhe për dy padi të presidentit Meta me emrin Teatri Kombëtar.
Në njërën prej tyre kërkohet shpallja e papajtueshme e projektit urban të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe në tjetrën kundërshtohet një vendim i 8 majit 2020, në të cilën Teatri Kombëtar i kaloi bashkisë dhe tjetra gjithashtu, edhe çështja e pronave, sipas padisë së shoqatës kombëtare “Pronësi dhe Drejtësi”.
Që nga viti 1992 kur dhe u krijua, në Gjykatën Kushtetuese janë trajtuar parime të rëndësishme duke nisur nga shpallja si antikushtetues të ligjit për dënimin me vdekje, ligji i lustracionit, deti , vettingu e kthimi dhe kompensimi i pronave. Veç dosjeve që e presin , ku kërkohet garantimi i të drejtave të qytetarëve, për Gjykatën e re Kushteuese ka dhe një provim tjetër ndaj palëve, qofshin politike ose jo. Ligji kërkon nëntë gjyqtarë kushtetues, tre prej të cilëve duhet të vijnë nga Gjykata e Lartë, që ende nuk e ka numrin e duhur për të thirrur mbledhjen e përgjithshme dhe kjo do të thotë se dikush duhet të shpejtojë ritmin për të krijuar numrat e duhur për në Gjykatën Supreme.
Top Channel