PARATHËNIE E BOTIMIT TË DYTË
Këtu e dymbëdhjetë vjet më parë, pra në mesvitin e 1999-ës, bashkë me publicistin Agim Neza dhe me mbështetjen e Sadik Llapashticës botuam në shqip librin “Holokaust, dosja pa koment për krimet e Millosheviçit” me kopertinë një foto tronditëse nga masakra e Reçakut. Ndoshta ishte ndër të parët libra, që pati gjithsesi një tirazh të konsiderueshëm, disa ripublikime dhe, përpos tyre, u përkthye me fragmente në gjuhët kryesore të OKB-së e shtegtoi me mënyrën e vet në mjaft kancelari jo vetëm perëndimore.
Përmbledhja e dëshmive përfshinte thjesht rrëfimet e kosovarëve, të luftëtarëve të dy krahëve politikë (Lidhjes Demokratike të Kosovës-LDK dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës-UÇK që më pas u shndërrua në Partinë Demokratike të Kosovës-PDK), të militarëve dhe ushtarakëve serbë si dhe të dhëna e dokumente të qeverisë amerikane dhe agjencive euro-atlantike.
Pak javë më vonë nën kujdesin e poetit Besnik Mustafaj dhe me mbështetjen e një fondacioni gjerman, në gazetën “Albania” vazhdoi një rubrikë e përditshme me dëshmi krimesh të makinës shtetërore serbe ndaj popullisë së pafajshme kosovare; një angazhim të tillë pati edhe poetja Elsa Ballauri me shoqatën e saj për mbrojtjen e të drejtave të njeriut; akoma më vonë u botuan edhe libra, almanakë, albume, periodikë dhe broshura të tjera me të njëjtën temë.
Libri ynë shumë shpejt humbi edhe autorësinë për shkak se u ribotua ilegalisht, u hoqën dhe u shtuan pjesë të tjera, u ndryshua titulli dhe kopertina, u përgatit një dokumentar nga televizonet franceze, etj; në atë periudhë shtypi më i zëshëm perëndimor, agjencitë e lajmeve nga të gjitha skajet e botës e kishin Kosovën lajmin e parë dhe pikërisht në këtë periudhë kemi edhe një angazhim të drejtpërdrejtë të kolosit të letrave tona, Ismail Kadare.
Megjithëse autori ka botuar një pjesë fare të vogël të këtyre përpjekjeve, janë të panumërta korrespedencat me personalitetet më të mëdha të skenës euroatlantike, janë disa pjesëmarrje dhe referime të tij në takime ndërkombëtare që investohen për letërsinë dhe paqen, për të mos përmendur intervistat dhe opinionet në media me ndikim në politikën dhe diplomacinë botërore.
Libri më i ri i Kadaresë “Mbi krimin në Ballkan. Letërkëmbim i zymtë” (Onufri, 2011) është ilustrim i këtyre përpjekjeve. Ai është konceptuar në tri pjesë: korrespodenca e autorit gjatë periudhës 1978 -2011, një intervistë për të përditdshmen “Shqip” dhe pjesa e tretë përmban faqe ditari dhe shkrime të ndryshme.
Kadare analizon në këtë libër përshkallëzimin e krimit serb, dilemat e ndërkombëtarëve për të ndërhyrë ushtarakisht apo jo, qëndrimin indiferent të klasës politike shqiptare. Në këtë libër, ai shkruan ndër të tjera se heshtja botërore për krimet serbe ndaj popujve të tjerë në Ballkan e ka bërë Beogradin të përfitojë nga kjo heshtje.
Kryeletra e librit është ajo e shkrimtarit Vuk Drashkoviç, drejtuar I.K. në qershor 1987 ku i bëhet thirrje për të dënuar irredentizmin kosovar, krimet historike që gjoja kosovarët u kanë bërë serbëve. Duke analizuar këtë letër, Kadare pohon se ajo është tepër kuptimplote për të kuptuar dramën e Kosovës; ajo dëshmon se si është projektuar krimi, si do të kryhet ai krim, së fundi si do të përmbyset e vërteta, duke e hedhur fajin mbi shqiptarët.
Pas kësaj letre vijojnë katër të tjera që Kadare ua drejton presidentëve Bush, Miteran, Havel dhe Papës Gjon Pali II, prej 11 deri me 15 shtator 1991. Prej tyre kuptohet fare lehtë gjendja e shqetësuar e shkrimtarit për fatin e mëtutjeshëm të Kosovës duke apeluar për një veprim më të shpejtë ndërkombëtar në mbrojtje të saj.
Një pjesë të rëndësishme të librit e zë intervista e autorit. Në të ai shpjegon se “problemi i krimit vazhdon të jetë në thelbin e historisë së Ballkanit, në dy dhjetëvjeçarët e fundit”. Libri sa ka denoncimin e tij, aq edhe rreket për të bërë pajtimin në Ballkan. Sipas autorit “bota, ashtu siç njeh krime të mëdha, ashtu njeh edhe pajtime të mëdha. Por këto të fundit, kërkojnë shpesh burrëri më të madhe, se lufta. Unë besoj në mundësinë e pajtimit midis serbëve dhe shqiptarëve”. Interesante janë shpjegimet e Kadaresë edhe për marrëdhëniet me intelektualë dhe shkrimtarë të tjerë serbë.
Sipas tij “pas Danilo Kishit, më të madhit shkrimtar të gjallë të Jugosllavisë, që e kam njohur dhe takuar disa herë, ndër shkrimtarët serbë, më i njohuri ka qenë Milorad Paviç, autori i “Fjalorit të Khazarëve”…
Më i çuditshmi dhe i ngjajshëm me një personazh të Dostojevskit, ka qenë Miodrag Bulatoviç, nacionalist i shpallur… Një çast, duke m’i ngulur sytë, më tha: Tregohu i sinqertë, Kadare dhe pranoje se ka së paku dhjetë vila të fshehta në bjeshkët shqiptare, ku përpunohen planet për shkatërrimin e Serbisë. I thashë se nuk besoja një gjë të tillë, kurse me vete mendova, s’do të ishte keq të kishte qoftë edhe një të vetme, ku të përpunohej strategjia shqiptare…”.
Pjesë interesante të intervistës së Kadaresë janë edhe ato që flasin për qëndrimin e shkrimtarëve francezë si Patrick Besson, Bernard Levi, Regis Debrais dhe Julien Gracq në këtë konflikt… Franca kishte zbuluar befas se miti romantik i ‘djepit serb’, kishte fshehur për një kohë të gjatë, një tjetër të vërtetë të trishtueshme: krimin”. Madje Zhak Shirak në përgjigje të letrës i shkruante Kadaresë “se mund të përdoren armët, që të heshtin armët…”.
Jo më pak të rëndësishme në intervistën e librit janë përgjigjet e Kadresë për ndërhyrjen e tij në konferencën e Rambujesë, për sjelljen ndaj kombit dhe qëndrimin ndaj Nënë Terezës, për harmoninë fetare dhe për strukjen e intelektualëve shqiptarë. Ndërsa për raportin e Dik Martit autori nënvizon ndër të tjera se “ne kishim dosjet tona ngjethëse, të cilat për turpin tonë, nuk i kemi bërë të ditura. Do të mjaftonte shifra prej 800 foshnjash shqiptare nën pesë vjeç të therur si berrat, një pjesë në sytë e prindërve, që bota të kuptonte se në cilën anë ishte e drejta.
Këtë fakt nuk e ka dhënë ndonjë politikan, analist, a filozof shqiptar, por gazetari serb Miroslav Filipoviç. E ka shpallur në shtypin anglez dhe francez në vitin 2000 dhe ka bërë burg për këtë. Ndoshta gabohem, por emrin e këtij gazetari hero nuk e kam ndeshur në shtypin shqiptar. Në qoftë kështu, merret me mend shkaku: ky gazetar e ka vënë në skajim të vështirë ndërgjegjen tonë. Dhe s’është vetëm kjo. Është dosja e të zhdukurve. Është dosja tjetër e rreth 20.000 grave e vajzave të përdhunuara, shpesh herë në sytë e familjarëve, sipas humanistes shqiptare nga Kosova, Veprore Shehu, e cila disa javë përpara, ankohej gjithashtu për heshtjen e turpshme. Ne s’kishim përse të hutoheshim as nga Karla del Ponte, as nga Dik Marty.
Mjaftonte që në peshoren e drejtësisë të viheshin foshnjat e vrara dhe gratë e përdhunuara, që anën tjetër të peshores të mos e trondiste dot asgjë. Por ne s’e kemi bërë këtë sepse, qofshin politikanë apo akademikë, e kemi mendjen, për turpin tonë të pafund, kundër njëri-tjetrit…”.
Gusht 2011