Ka qenë një deklaratë e paprecedentë ajo e Edi Ramës nga Korça, gjatë një takimi me qytetarët, kur kryeministri i Shqipërisë u ka sugjeruar tregtarëve të mishit të eksplorojnë për tregje të reja, jo më në perëndim, por drejt Lindjes. Diskutimi u hap nga vështirësitë e mallrave shqiptarë për të depërtuar kufijtë europianë, për shkak të standarteve që kërkohen. Dhe Rama, që kohët e fundit nuk heziton të shigjetojë vendet europiane, ka dhënë një këshillë, që në gojën e kryeministrit shqiptar tingëllon si blasfemi.
“Në 3-4 vitet e ardhshme është e mundur që ne të kemi dalje në treg, por ne nuk jemi të detyruar të presim tregun e BE domosdoshmërisht, sepse ka tregje të tjera. Është e mundur që produktet tona të mishit të dalin në tregje të mëdha në Lindje, që nga Turqia në Lindjen e Mesme, e deri tutje”.
Sinjalet armiqësore drejtuar BE-së, janë përsëritur disa herë këtë muaj, duke provokuar edhe reagimin e ambasadorit të delegacionit Europian Luigi Soreca, madje edhe një notë proteste nga ambasada franceze. Por e veçanta kësaj radhe është se kryeministri ka dalë përtej temës së vaksinës, gjë që tregon se “vaksina”, ishte vetëm një pretekst për të sulmuar Bashkimin Europian.
Rama i nisi fërkimet me BE, që ditën e parë të vitit, kur përshkruante “egoizmin dhe cinizmin e frikshëm në kontinentin ku jetojmë”, ndërsa fliste për një “hendek” që ishte hapur mu në mes të Europës nga “vendimmarrja absurde, e papranueshme moralisht, e pakuptueshme politikisht dhe e pajustifikueshme edhe logjikisht e Bashkimit Europian”.
E vazhdoi sulmin, nga Ankaraja në krah të Erdoganit, të cilin e falenderonte për ndihmat në pandemi. Këtu Rama nuk humbi rastin të bëjë dallimin mes Bashkimit Europian dhe Turqisë që “nuk veproi si disa të tjerë që, njësoj siç u thanë njerëzve të mbyllen në shtëpi, mbyllën në shtëpi dhe shtetet e tyre dhe ndaluan deri dhe kalimin e ndihmave mjekësore për ata që kishin nevojë”.
Ankesat vazhduan me shigjetimin e Francës, që sipas kryeministrit të Shqipërisë, mbante stok dozat e Pfizer, ndërkohë që vendeve si Shqipëria iu mohoheshin disa mijëra vaksina për mjekët në spitalet covid.
Por cila mund të jetë arsyeja e frustrimit të kryeministrit shqiptar deri në pikën që të provokojë një seri mesazhesh negative drejtuar Europës? Në fillim të mandatit të parë, takimet e Ramës në kancelaritë perëndimore ishin të shpeshta. Bisedat me krerët e shteteve të BE ishin pjesë e rrëfimeve të shkujdesura nëpër intervista, sikur të flitej për miq të vjetër, të cilët nuk e kursenin mbështetjen. E vërteta është se pavarësisht konfidencave dhe fotove, qeveria e Ramës u refuzua vit pas viti për çeljen e negociatave, duke provokuar një stanjacion disavjeçar në procesin e integrimit.
Madje vitin e kaluar, mesazhet nga zyrtarët e lartë të BE-së dhe përfaqësues të vendeve anëtare ishin ultimative, për shkak të prishjes së konsensusit të 5 Qershorit dhe ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës 6 muaj para zgjedhjeve. Vështirë të thuhet se cila ishte pika që derdhi gotën, por e sigurtë është që prej kohësh, mesazhet nuk janë pozitive nga përtej Adriatikut për Edi Ramën. Dhe meqënëse vetë nuk pret më lajme të mira, dërgon ftesa për ta hedhur vështrimin nga Lindja./Lapsi.Al