Në mesin e debatit për tarifat vendore në Tiranë, një numër i lartë biznesesh ankoheshin edhe për një “taksë” të dytë, që duhej t’ia paguanin Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë-organizatë e krijuar në vitin 1996 për të përfaqësuar interesat e biznesit në vend. Sipërmarrës të niveleve tëndryshme i thanë BIRN se një nismë e re e qeverisë do t’i detyronte ata të anëtarësoheshin në dhomën e tregtisë dhe të paguanin një kuotë vjetore, vlera e së cilës nuk është përcaktuar ende.
Shqetësimi i bizneseve lidhet me një projektligj të Ministrisë së Ekonomisë, që parashikon ndryshime në ligjin e vitit 2006 për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë, i cili i ka kaluar Parlamentit për diskutim në dhjetor 2015.
Neni 6 i këtij projektligji përcakton që “anëtarësia në dhomëështë e detyrueshme për personat juridikë dhe vullnetare për personat fizikë, të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, QKR”.
Projektligji përcakton gjithashtu që çdo anëtar i dhomës duhet të paguajë një kuotë vjetore, ndërsa dhomat e Tregtisë dhe Industrisë duhet t’i kalojnë 30 për qind të kuotizacionit të mbledhur, Bashkimit të Dhomave.
Ministria e Ekonomisë argumenton në relacionin që shoqëron projektligjin se kjo vendimarrje vjen pas problematikave të shumta me të cilat përballet Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë-organizatë e drejtuar nga Nikolin Jaka.
“Mungesa e një buxheti minimal për funksionimin e këtij institucioni ka çuar nëuljen plotësisht të rolit dhe në reduktimin e shërbimeve që duhet t’i jepen anëtarësisë së saj,” thuhet në relacion.
“Bashkimi iDhomave të Tregtisë dhe Industrisë gjendet në pamundësi të plotë për të përmbushur detyrimet minimale që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare… por edhe duke rrezikuar për t’u përjashtuar nga disa organizata siç janë EuroChambers, Association of Ballkan Chambers”-shtohet më tej.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisëështë vetëm njëra prej organizatave të krijuara në Shqipëri për lobimin e interesave të biznesit tek qeveria qendrore dhe lokale. Hartimi i një ligji enkas për të ka zemëruar organizatat e tjera të biznesit, të cilat veprojnë në vend.
Në momentin që qeveria publikoi projektligjin, asnjë prej organizatave të ngjashme si Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Institorëve të Huaj, Dhoma Italiane, Dhoma Fanceze, Shoqata e Turizmit nuk ishte informuar për të.
Përveç mungesës së konsultimit, drejtues të këtyre shoqatave kundërshtojnë anëtarësimin e detyrueshëm vetëm tek Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
Lorenc Gjoni, drejtor ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë i tha BIRN se çdo drejtues biznesi duhet të ketë mundësinë e zgjedhjes, në bazë të shërbimeve që organizatat e biznesit ofrojnë.
“Në rast se nuk u pëlqen shërbimi, ata duhet të kenë të drejtë të largohen dhe të kërkojnë një tjetër organizatë apo Dhomë Tregtie që plotëson kriteret dhe nevojat e tyre,” tha Gjoni.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë e konsideron projektligjin një formë të fshehur të qeverisë për të vënë nën kontroll zërat kundër saj.
Por Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese në Kuvend e kundërshton, duke thënë se projektligji ka për qëllim të vetëm forcimin e dhomave që përfaqësojnë realisht biznesin. Ai pretendoi se të vetmet organizata kundër projektligjit janë ato me emërtesa të huaja-kjo për qëllime personale.
“Nga diskutimet që ne kemi pasur, kemi vënë re se vetëm ato dhoma që kanë një emër të madh por që realisht nuk përfaqësojnë bizneset e këtyre vendeve janë shprehur kundër këtij projektligji,” tha Shalsi.
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është i kënaqur me nismën e qeverisë për anëtarësimin e detyrueshëm. Ai i tha BIRN se ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e projektligjit, ndërsa mbron idenë se kontributi që bizneset do të paguajnë, do t’u kthehet pas me shërbime.
Sipas tij, ndryshimet ligjore të propozuara do të rikthejnë në normalitet një model të funksionimit të Dhomës së Tregtisë, referuar organizatave homologe në Europë, që sipas Jakës, funksionojnë me pagesë të detyrueshme.
“Funksionimi i mirë i Dhomave do të sjellë për biznesin një sërë shërbimesh të shtuara, për të cilat sot harxhon shumë kohë dhe para,” përfundoi ai.