Home KRYESORE Qenia që fal jetën, nën thundrën e turpiloquium-it

Qenia që fal jetën, nën thundrën e turpiloquium-it

Nga Gladiola Jorbus

Të gëzosh barazi ligjore, nuk do të thotë të gëzosh dhe të njëjtat të drejta. Në lidhje me këtë, mund t’i referohemi gjuhës plot nëntekste dhe të mbushur me shprehje seksiste, ofenduese e paragjykuese që artikulohet rëndom nga aktorë të ndryshëm politikë, mediatikë etj., përkundrejt zonjave.

Në gjuhën e zakonshme, sharjet janë pjesë e të folurit fyes, cënues, vulgar dhe të privuar nga respekti. Si njësi të tjera të mëvetësishme e ndërlidhëse në këtë komunikim, shërbejnë dhe shpifjet, mallkimet, fjalët e pacipa, poshtërimet apo blasfemitë.

Romakët e lashtë, të cilët shquheshin për një etikë seksuale të papërmbajtur, shpreheshin lirisht e përdornin një fjalor vulgar. Por rreth shekullit III para Krishtit, ata u kujdesën për të mbrojtur me ligjin dhe lokucionin ‘Lex de adtemptata pudicitia’, integritetin e një gruaje romake të martuar, të ve ose të virgjër, apo të të rinjve që u bënë subjekte të ngacmimit dhe të shprehjeve të pahijshme.

Seksizmi linguistik përbëhet nga shaka maskiliste, shprehje që errësojnë rolin e grave, imponojnë nënvlerësimin e tyre dhe u japin përparësi burrave. Kjo mendësi është ngulitur në të folur si rezultat i një shoqërie me tipare të mizogjinisë (sjellje plot urrejtje dhe neverie nga ana e një individi kundrejt grave).

Në shoqëritë patriarkale, në të cilat reputacioni i gruas konsiderohet “vlera më e rëndësishme”, dyshimet, hamendësimet dhe për më tepër akuzat ndaj saj justifikojnë të gjitha format e dhunës dhe bullizmit.

Në platformat e medieve sociale, zonjushat e zonjat janë të ekspozuara ndaj vëzhgimit publik e kritik dhe ngacmimi i tyre është shndërruar në një trend a praktikë të zakonshme. Agresiviteti ndaj gruas në internet nuk synon tjetër, veçse të përforcojë tiparet tradicionale femërore dhe stereotipet.

A mund të çmontohen mekanizmat patriarkale e denigruese që e mbizotërojnë një shoqëri prej shekujsh?!

Sistemi patriarkal në vetvete amplifikon sulmet seksiste duke i dhënë një pozitë sunduese vetëm asaj çka është e pranueshme nga meshkujt.

Ndër termat që përkufizojnë stereotipat femërore mund të përmendim: ato që fyejnë pamjen e jashtme (e shëmtuar), intelektin (budallaçkë), përvojën seksuale (e shthurur), stabilitetin mendor (histerike, e çmendur), aftësinë profesionale (dembele, e paaftë) dhe moshën (plakë, e vjetër).

“Ekzistojnë tri regjistra të fyerjeve seksiste: seksizmi, komentet mbi aparencën dhe mohimi i aftësive”, shpjegon Gwenaëlle Perrier, pedagoge e Shkencave Politike në Universitetin e Sorbonës, Paris Nord (e angazhuar në procesin e politizimit, institucionalizimit dhe profesionalizimit të çështjeve gjinore në politikat publike).

Ajo që ka ndodhur me gruan përgjatë rrjedhës së historisë është shumë e rëndësishme: kërcënimet, fyerjet bazuar në pamjen e jashtme, komentet nënçmuese të bazuara në gjini, stereotipet, referencat mbi trupin e saj. E gjithë kjo i ka shërbyer linçimit të figurës së tyre, sidomos të zonjave kompetente që janë protagoniste në politikë a në të tjera fusha të rëndësishme.

Në ditët tona, edhe pse askush nuk habitet më kur dëgjon për përfshirjen masive të gruas në sferën publike e private, sërish ekziston paragjykimi, skepticizmi e përçmimi.

Mund të vëresh me kujdes bisedat e zakonshme; qoftë ato të thjeshtat apo profesionalet, për të kuptuar se gjuha e përdorur, karakterizohet nga fraza dhe struktura që përjetësojnë stereotipet, që dëmtojnë ose i bëjnë gratë të padukshme apo akoma më keq, i denigrojnë ato.

Tashmë ato e kanë fituar të drejtën jo vetëm për të marrë pjesë në proceset demokratike, por edhe të për të ushtruar rolin e tyre si ligjvënëse apo lidere, me respekt dhe autoritet të plotë.

Gjithsesi dashakeqët, të pagdhendurit, seksistët a quajini si të doni, nuk reshtin së gjeturi mënyra për të abuzuar verbalisht, duke eptuar fyerje a trope (metaforë, ironi, sarkazëm, epitet etj.) ndaj gruas, qenies që fal jetën. Por meqenëse fal jetën, nuk ka pse të tolerojë absolutisht zgjedhën e turpiloquium-it.

Fyerja e gruas që pretendon si reagim heshtjen e saj, konsiderohet një mënyrë e ulët dhe brutale për ta diskredituar atë.

Por kjo fyerje nuk duhet gjykuar dhe anashkaluar si një çështje mendësie apo kulturore, por duhet trajtuar e dënuar si krim më vete. Mjafton t’u referohemi fakteve e dëshmive të dokumentuara ndër shekuj në mbarë globin, për t’u ndërgjegjësuar se ndaj gruas, vërtet është kryer gjenocid.

 Turpiloquium – mënyrë të foluri ofenduese, e turpshme ose blasfemuese ndaj moralit individual, e huazuar nga latinishtja kishtare, e përbërë nga termat turpis ‘i ndyrë, i neveritshëm’ dhe loqui ‘ të folur’.

Share: