Është vendosur më 31 mars në orën 11:00 seanca në Kolegjin Zgjedhor ku do të shqyrtohet ankimimi i Partisë Socialiste për listat e kandidatëve të PD.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se trupa gjykuese përbëhet nga Alma Kolgjoka, relatore, Asim Vokshi, Esmeralda Xhiri, Gentian Medja, Manjola Xhaxho, anëtarë.
PS dorëzoi dje në Kolegjin Zgjedhor padinë kundër vendimit të KAS, që lejoi pak ditë më parë listën e kandidatëve të Partisë Demokratike-Aleanca për Ndryshim me 222 emra.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve mbështeti kërkesën e PD-së, e cila kundërshtonte vendimin e komisionerit shtetëror të zgjedhjeve që reduktoi listën e kandidatëve për deputetë nga 222 të propozuar, në 153.
PS argumenton se numri i lartë i listës së kandidatëve sjell problematikë thelbësore në fletën e votimit dhe përbën cenim të votës së parapëlqyer pasi kandidatët që do të jenë në pjesën e dytë të listës iu bëhet e pamundur të kapin herësin ose 10 000 vota për t’u zgjedhur në Kuvend.
Ndër të tjera PS thekson se numri i kandidatëve që duhet të përmbajë lista është përcaktuar në Urdhrin e botuar nga Kryekomisioneri në faqen zyrtare të twitter me datë 08.03.2021. në këtë kuptim koalicioni nuk i është përmbajtur urdhrave ligjor të KQZ.
“Kufiri i sipërm i listës së kandidatëve është numri më i afërt i plotpjestueshëm me 3 i numrit të mandatave, deri 2.” thuhet në padinë e PS drejtuar Kolegjit./Balkanweb.com