Home KRYESORE Për një baba, gjysh, mësues e njeri të rrallë si Prokop Tati

Për një baba, gjysh, mësues e njeri të rrallë si Prokop Tati

Nga Mira Tati

Gjyshi ynë i dashur Prokop Tati, ose siç të njeh shoqëria Profesor Kopi! Vitet kalojnë pa u ndier dhe si padashur i numëron. Janë plot 26 vjet midis jush, në familjen tuaj të nderuar Prokop dhe Katina Tati. Gjysh i dashur, në çdo ditëlindje apo ditë emri që festojmë, të urojmë të jetosh sa malet sepse gjithë jetën na ke dhënë forcë për të ecur përpara!
Unë jam nusja e djalit tuaj, por sinqerisht nuk e kam konsideruar kurrë veten një nuse, por bijë të kësaj familjeje të mrekullueshme. Dhe kjo falë mikpritjes e dashurisë që më dhuruat. Prej jush ke çfarë meson!

Gjyshi Kopi, me të qeshurën e veçantë që të karakterizon, që kurrë nuk na keqkupton, që kurrë nuk resht së ndenjuri pranë nesh apo të na japësh mbështetjen e ndihmën tënde. Aty, pranë komodinës mban shënimet e tua. Ti shkruan kujtimet në deftetin tënd, siç e quan ti.

Profesor Prokop Stefan Tati, gjyshi ynë i mrekullueshëm, i datëlindjes 14 tetor 1930 e ushtroi profesionin e tij të mësuesit për më shumë se katër dekada. Fillimisht, rrugëtimi i tij nisi në Tropojë. Më pas dha mësim si mësues fizike në shkollën Marie Kaçulini ose ish – Nako Spiru. Gjithashtu ai ka punuar edhe si udhëheqës i të rinjve, pranë gjimnazit të përgjithshëm ‘Naim Frashëri’.

Ti na mësove se në jetë e rëndësishme është të sillesh mirë, të jesh i sinqertë dhe vetëmohues … na mësove të falim edhe kur duket e pamundur, ti ke kapërcyer shumë sfida megjithatë nuk e ke ndryshuar kurrë mënyrën e të ecurit në jetë, gjithmonë drejt e me kokën lart.

Nuk harron asnjëherë asnjë porosi, madje kur harrojmë ne, ti i kujton njerëzit dhe i uron për festa. Mësuesi punëtor dhe fjalëpak që kurrë nuk u mburre për punën tënde. Nganjëherë çuditesha dhe thoja : ‘Po si ka mundësi që gjyshin e duan kaq shumë nxënësit e tij dhe ai nuk lëvdohet? Po vetëm qesh dhe nxjerr regjistrat e tij për t’u siguruar më mirë’.

Kështu vitet ikin njëri pas tjetrit dhe njeriu fisnik lë gjurmë, mësuesi i devotshëm dhe i rregullt përkujtohet nga ish – nxënësit e tij, arsimtari, intelektuali korrekt dhe i shoqërueshëm mbahet mend nga kolegët e miqtë e tij të vërtetë. Gjyshi i përkushtuar që lë gjurmë te pasardhësit e tij.

Sa krenari, sa thjeshtësi dhe sa fisnikëri gjen tek ty gjyshi Kopi! Kudo ku ke punuar, ke lënë emrin tënd, fjalën tënde, veprën tënde.

Nga ti kam kuptuar që nuk ka rëndësi sa shumë e reklamon veten, pasi mrekullia e profesionit të mësuesit gjendet te puna, tek emri i mirë që ke lënë ndër breza. Vërtet që në sfidën me kohën njerëzit janë të humbur, por të moshohesh si ju, plot hijeshi, mençuri e fisnikëri është nder dhe krenari!

Share: