Home KRYESORE OSHEE si kamzhik për qytetarët?!

OSHEE si kamzhik për qytetarët?!

Nga Romeo Hanxhari

OSHEE është kompani publike, dhe prandaj do të duhej të ishte në shërbim të publikut. Në fakt ajo është shndërruar në një dinosaur të ndryshkur e të plakur abuziv që nuk respekton klientët, por i frustron ata me praktikat absurde, me prerjet e diferencuara edhe politikisht, dhe me rilidhjet voluntariste të energjisë.
OSHEE ka zero vullnet për t’i parë të vërtetat në sy. Drejtorucët e saj bëjnë si duan, presin energji pa paralajmërim, rilidhin shpejt aty ku “është i yni” dhe nuk rilidhin aty ku “nuk është i yni”. Këta drejtorë dhe këto struktura të pacipa janë tërësisht jashtë logjikës dhe filozofisë që shteti i së drejtës imponon, dhe nuk njohin as parimin elementar të llogaridhënies ndaj klientit, sic do të duhej të ishte. Asnjë mundësi ankimimi, dhe asnjë sondazh për pakënaqësitë e klientëve. Asnjë. Sepse drejtorët janë atje si emërime politike, dhe prandaj me sa duket OSHEE nuk vepron si një kompani normale e përgjegjshme por si një kompani abuzive punësimi. Ndryshimi mes këtyre të dyjave është i thjeshtë: nëse klienti i një kompanie normale të përgjegjshme private celulare harron të paguajë faturat e telefonit, kompania nuk ia ndërpret shërbimin por e vë në dijeni me një sms ose telefonatë: klienti kujtohet, bën pagesën, dhe puna zgjidhet shpejt dhe pa kosto. Sepse kompania private do thjesht paratë e shërbimit, dhe nuk do abuzimin me klientin. Ndërsa OSHEE nuk e bën këtë gjë. Sepse OSHEE do “kontaktin e drejtpërdrejtë me hallexhiun”. Dhe sepse OSHEE i ka vendet e punës dhe të punësuarit të sigurt. Ata nuk lëvizen as kur nuk bëjnë detyrën, dhe as kur abuzojnë me klientin. Prandaj OSHEE duket sikur ka luksin të paguajë punonjës kot, vetëm që të jenë në “kontakt” me xhepin. Në vend që të bëjë një telefonatë, ose të dërgojë një sms, OSHEE zgjedh të paguajë 2 punonjës, të cilët vijnë tek banesa jote një herë kur e presin energjinë, dhe edhe një herë tjetër kur e rilidhin atë kur duan ata. …Dhe nëse ankohesh që “pse nuk lajmëroni me një sms a telefon, përpara se të ndërprisni energjinë?”, teknikët dhe drejtorucët ta përplasin surratit me një “ne të presim telat direkt, nuk bëjmë telefona e sms-ra ne, o zotëri”. Dhe ti nuk u shpjegon dot se cfarë është “përgjegjshmëria e korporatës”, apo që “klienti duhet të shërbehet dhe jo të ndëshkohet”, apo aq më pak që “aksesi në energji elektrike është një e drejtë bazike e njeriut”, apo që “në banesën ku ndërpritet energjia pa lajmëruar mund të jetë një i sëmurë me aparat oksigjeni”, etj…. JO, jo. Këto nuk vlejnë fare me OSHEE. OSHEE ka vetëm prerje telash, pinca, xhepa, të bërtitura, tesera partie, dhe urdhra voluntariste… Sepse OSHEE reflekton arrogancën shtetërore se “ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”. Madje OSHEE shkon edhe më larg se kaq me prepotencën se “as kam nevojë të jem i mirë me ty, sepse jam i vetmi, dhe ti nuk ke ku shkon, tek unë do përplasesh”. Prandaj OSHEE nuk mbledh numrat e telefonëve të klientëve, dhe nuk komunikon me ta as kur nis harbutët të presin energjinë. Prandaj nuk kujtohet “të shpenzojë” të krijojë një databazë me këto numra. Nuk shpenzon dot për këtë OSHEE-ja, bën sikur s’kujtohet. …Ama, në zyrat e veta qendrore të rikonstruktuara me luks është “kujtuar” fare mirë të shpenzojë pa kufi dhe të instalojë në hollin e katit të parë një ekran super të madh e të shtrenjtë, 5 metra të lartë e 30 metra të gjatë, pra gati sa 200 televizorë nga ata që kemi nëpër shtëpitë tona. Për cfarë shërben?! Për asgjë. Fare për asgjë. …Është kot, pa asnjë funksion përvec shpenzimit të parave dhe përvec reklamës boshe dhe propagandës. …E pra, sikur çerekun e çerekut të çerekut të asaj vlere ta kishte shpenzuar për një platformë komunikimi me klientët përpara se t’u ndërpresë energjinë, OSHEE do të kursente shumë edhe për vete, edhe për ne…
Nejse. Kështu që pasi të pritet energjia pa të lajmëruar fare, ti kujtohesh dhe i paguan online faturat menjëherë brenda 2 minutave, dhe i merr direkt në telefon t’ua thuash. Por kjo pak rëndësi ka për OSHEE-në. Sepse aty OSHEE fillon të fshikullon me kamzhikun e rilidhjes. Pra, pasi të ka nëpërkëmbur sepse ta ka prerë energjinë pa asnjë lajmërim, OSHEE me teknikët e saj fillon e të nëpërkëmb edhe me poshtërimin e “afatit 48 orësh” për rilidhjen. Sepse, për pyetjen “kur rilidhet energjia pas pagimit të faturave?” OSHEE ka përgjigjen “rilidhet brenda 48 orëve”… Pra u duhen 48 orë teknikëve, edhe në mes të Tiranës, edhe në distancë 300 metra nga zyra e tyre. Kjo do të thotë që gjatë këtyre 48 orëve, rilidhja është në varësi të qejfit të teknikut, në varësi të xhepit të rryshfetit, në varësi të faktit se sa mendon drejtori që “je i yni apo jo i yni”, në varësi të faktit nëse ti ke shqiptuar ose jo ankesa për OSHEE, apo rrjedhimisht në varësi të faktit nëse drejtoruci i lidhjeve urdhëron “atij lidhjani nesër ose pasnesër” apo “urgjent lidhjani atij, brenda minutit”. …Pse u duhet kaq shumë kohë?! Për qejf mo. Për kunjë. Për inat. Për rryshfet. Për politikë. Për kënaqësinë e të thënit “na erdhe në dorë”. Për kënaqësinë e të thënit “ashtu më do qejfi dhe ti ik ankohu ku të duash”. Për kënaqësinë e të thënit “do vësh mend ti, apo si e ke hallin?”. Dhe në fund, për kënaqësinë e mosdhënies llogari askujt për asgjë asnjëherë. …Për të gjitha këto bashkë. Pra, ose për të trembur klientët që mund të tremben, ose për të nxitur rryshfetin e shpejtë tek xhepi i teknikut, ose për të marrë telefonatën e lutjes dhe mirënjohjes tek drejtoruci i lidhjeve. Pra, ose ji i yni dhe ne edhe mund të të ndihmojmë, ose hidhu tek xhepi se rrugë tjetër nuk ke. Dhe ti duhet të humbasësh 1 ditë pune të merresh me këtë ingranazh idiot arrogance, të bësh nja 10 telefonata gjithë ditën në numrin e kontaktit të gjoja “shërbimit të klientit”, të shkosh nja 3-4 herë tek zyrat e gjoja po këtij “shërbimi”, të shtrydhësh telefonin e të kujtohesh nëse njeh “ndonjë shef” nga OSHEE, dhe në fund të ngresh edhe zërin e të bëhesh nervoz derisa të kuptosh… që “ata” të kanë në dorë, sepse ti si klient dhe si qytetar nuk gëzon asnjë të drejtë. Dhe i gjithë ky mundim vetëm me rezultatin që drejtoruci arrogantë ta anulojnë urdhrin “nesër atij, ose pasnesër fare” dhe “ata” të dërgojnë dikë në mes të natës të ta rilidhin energjinë, si për mëshirë. Dhe atëherë ti duhet të jesh “mirënjohës” që energjia t’u rilidh pas 24 orëve dhe nuk t’u vonua 48 orë. Po po, të jesh “mirënjohës” sepse të drejtat e tua nuk u shkelën edhe më tej. Se mund të rrije edhe 2 ditë pa drita… Dhe të mendosh, sa e frikshme: kur këta veprojnë kështu, me arrogancë, me prepotencë, me plan ndëshkimi, me papërgjegjshmëri, me selektim politik, në mes të Tiranës, imagjinoni se cfarë bëjnë me ata që janë në zona të largëta rurale apo malore, apo me njerëz hallexhinj. Ata njerëz janë plotësisht të shantazhueshëm: ose me ne, ose ngele pa drita.
E pra, OSHEE i duhet kthyer publikut, të cilit me ligj i përket. E pra, u duhet dhënë fund këtyre praktikave abuzive e korruptive të kësaj kompanie që quhet “publike” por që me sa duket është “politike”. …U duhet dhënë fund… Se kur do t’u jepet fund, këtë unë nuk e di, por di të them “një orë e më parë”. Një shans ndoshta është post 25 prilli? Të hiqen të gjithë drejtorucët apo edhe teknikët abuzivë me teserë partie që i ndajnë klientët në “tanët” dhe “të tyret”, dhe të zëvendësohen. Të zëvendësohen. Me njerëz qytetarë që respektojnë qytetarët. Koha ka ardhur. Për OSHEE madje ka kaluar…

Share: