Home Gjeo-Ekonomia Fundi i hegjemonisë serbe në Evropën Juglindore

Fundi i hegjemonisë serbe në Evropën Juglindore

Beogradi mund dhe duhet urgjentisht ta përpunojë kujtimin për shkërmoçjen e Jugosllavisë dhe dështimin për ringjalljen e saj në formatin e Mini Shengenit. Imitimi i Rusisë dhe sjelljeve të saj me Ukrainën, do të mund të ishte fatal.

Nga Dr. Sadri Ramabaja

Prishtinë, 13 prill – Aleksandar Vuçiqi duhet ta pregadisë opinionin serb rreth iluzioneve që kishte për rikthimin në pozicionet e liderit të Evropës Juglindore, madje edhe duke shpikur idenë që ndërlidhet me marrëveshjen e Novi Sadit (Mini Shengenin).

Ai tashmë duhet ta marrë si akt të kryer faktin se, më 14 shkurt në Republikën e Kosovës ka perenduar koha e lojaliteti te vasalitetit të fshehur të marionetave të tij. Bashkë me këtë edhe intenca për rikthimin e ish Jugosllavisë në variantin e ri, ku nga ish federata jugosllave largohen Sllovenia e Kroacia, ndërkaq do t’ i aneksohej Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. E sëmura e Ballkanit, ish Jugosllavia e Titos, përmes të ashtuquajturit Minishengen, po tentohej të ringjallej, duke promovuar këtë akt si vazhdimësi të suksesit të pararendësve të tyre, duke besuar se kjo bashkësi mund të orjentohej drejt horizonteve të reja gjeopolitike.

Qeveria serbe ndërkohë ka filluar një fushatë të suksesshme mbarëkombëtare të vaksinimit, duke u bërë shembull pozitiv në betejën për luftimin e Covid-it 19, por kjo nuk e ndryshon borxhin e jashtëm prej miliarda eurosh dhe zhytjen e vendit në varfëri, e që po rritet me shpejtësi. Në të njejtën kohë, yzrtarët e lartë të shtetit serb, ministri i jashtëm Nikola Sellakoviq sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në fjalimin e tij e cilësoi Kosovën si krahinë serbe; ndërkaq ditë më parë ambasadori serb në Uashington, Marko Gjuriq-i, pohoi se paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për rivendosjen e masave reciproke, është një përpjekje për t’iu adresuar Serbisë në gjuhën e ultimatumeve dhe shantazheve. Ai i tha gazetës serbe “Politika” se, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe qeveria, jo pa arrogancë se, “sigurisht nuk do të lejojnë që Kurti ose ndonjë udhëheqës tjetër shqiptar të fus gjuhën e kërcënimeve dhe shantazheve në dialog”.

Pozicioni i qartë i qeverisë së re Kurti duket se ua ka prishur komplet projektet strategëve e qeveritarëve serb. Ata, tek tashti e kanë kuptuar se, marrëdhëniet mes Shqipërisë e Kosovës, rrjedhimisht shqiptarëve si komb, në njërën anë  dhe Serbisë, rrjedhimisht serbëve si komb, në anën tjetër, tani po hyjnë në një fazë krejtësisht të re.  

Prandaj do të ishte shprehje e urtësisë dhe mençurisë nga ana Beogradit, që të fillojë të hap kapitullin tjetër, me pak më shumë dinjitet e realizëm.  Është koha që Serbia  të fillojë ta kuptoj se, ajo mund të luajë rol të mirë në politikat e Unionit Europian, në politikën ndërkombëtare, vetëm nëse me realizëm e sheh pozicionin e ri që i ka rezervuar tashmë historia për pejesën tjetër të shek. 21.

Para zgjedhjeve të 14 shkurtit, duket se Beogradi ka hezituar ta marrë me realizëm maturimin e brezit të ri të politikanëve kosovar që pritej se do të vinin në krye të Republikës së dytë shqiptare në rajon. Duket se kjo duhet të jetë arsyeja reale pse elita politike serbe nuk kishte prirje e kohë për debat të brendshëm real, që do t‘ i garantonte rishikim e qasje reale për pozicionin e ri të Serbisë në Evropën Juglindore.

Dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, siç parapëlqenin ta cilësonin strategët serb dialogun  që i ishte imponuar Kosovës nga OKB-ja, pas rifillimit të tij më 2011, e sidomos pas marrëveshjeve të arritura (2013 e 2015), krejtësisht në favor të Serbisë, i ngjet shumë fshatës së mbështetësve të aktit të Brexit-it. Por, pasojat që po përjeton Britania e Madhe ndërkohë, duke u përballur edhe me idenë për të pranuar faktin se tashmë historia po e zbret në rangun e fuqisë së mesme, nga ai i fuqisë botërore që kishte dikur, tek tashti kanë filluar të hetohen. 

Sidoqoftë, krahasimi me pasojat e Brexi-tit nuk qëndron.

Britania e Madhe mbetet, pavarësisht daljes nga BE-ja, ekonomia e pestë më e madhe në botë, një fuqi bërthamore dhe tutje anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB.
Ajo ka një sistem të fortë ushtarak, mbrojtje kibernetike të shkëlqyshme, duke mbetur tutje  partnere të denjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Serbia gjaët gjithë egzistencës së Jugosllavisë për qëllim kishte konservimin e pozicionit të saj hegjemon në ish federatën jugosllave dhe përmes saj edhe enë rajon. Nëdrkaq pas  shkërmoçjes së Jugosllavisë dhe katër luftrave që shkaktoi,  pavarësisht forcimit të marrdhënieve me Rusinë dhe koketimit me Kinën e Turqinë, aj, me gjithë tendencat, nuk e zëvendëson dot Jugosllavinë, që tashmë është pjesë e historisë.

Beogradi mund dhe duhet ta përpunojë me më pak dhimbje shkërmoçjen e Jugosllavisë dhe dështimin për ringjalljen e saj në formatin e Mini Shengenit, me kushtin që të reflektoj lidhur me qëndrimin e tij ndaj realitetit politik të krijuar tashmë në Kosovë. Pavarësia e Kosovës, tashmë është proces i pakthyeshëm. Ndërkaq korrigjimi i raporteve me shqiptarët, mbetet parakushti qenësor për paqe e prosperim të rajonit, para së gjithash për Serbinë.

Nëse udhëheqja politike e Serbisë sot do të ishte e aftë për një reflektim të kësaj natyre (për çka ekspertët dyshojnë me të drejtë), mbase mund të shihet nga mënyra se si do të sillet me Kosovën, tani së shpejti,  kur qeveria Kurti do të ecë drejt funksionalizimit të Republikës edhe duke trajtuar Serbinë konform të drejtës që i garanton qenia si shtet sovran.

Imitimi në këtë rast i Rusisë dhe sjelljeve të saj me Ukrainën, do të mund të ishte fatal për Serbinë.

Serbia  e di fare mirë në cilën anë të konfliktit gjeopolitik është mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, në rast të çfardo provokimi të mundshëm të luftës për veriun e Kosovës.

Për t’ia lehtësuar vetes kalimin në këtë rol të ri, Beogradi ka nevojë për gatishmëri reale për të njohur rëndësinë e faktorit shqiptr në rritje. Tek atëherë mund të pritet një nivel gadishmërie për rishikimin e plotë të raporteve mes dy kombeve tona. Për një vendim të këtyre përmasave historike, Vuçiqit nuk i ndihmon dot nostalgjia për Jugosllavinë dhe hegjemonia shekullore në raport me shqiptarët.

Share: