Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, ironizoi largimin e kreut tw PD-së, Lulzim Bashës nga mbledhja e Kuvendit Kombëtar para kohe, pa pritur që të mbaronin fjalimet të gjithë drejtuesit politikë të qarqeve.
Në fjalën e tij, Kadilli tha se uron që Basha të mos ketë pasur nevojë për gjumë, por të reflektojë.
“Shpresoj që Basha nuk u largua se ka orën e gjumit, por se ka nevojën e reflektimit. Çdo delegat është në këtë kuvend për një përgjegjësi më të madhe se vetja. Pa këtë vetëdije, pa këtë bindje, askush nga ne nuk ka çfarë u thotë as demokratëve, as opozitarëve as qytetarëve. Pa kuptuar këtë mision ne nuk kemi asgjë të re për ti thënë Shqipërisë. Ne të gjithë kemi një detyrim – ta bëjmë PD më të madhe se vetja. Ajo çfarë po bëjmë sot në këtë kuvend është ajo që do tu themi qytetarëve nesër. Mbi atë seriozitet dhe aftësi reflektimi që dëshmojmë sot ne do të jemi propozimi i të ardhmes. Atë pasion për lirinë që jemi të zot të dëshmojmë sot në këtë Kuvend, atë hapësirë lirie që do të respektojmë për veten në këtë Kuvend do të ofrojmë si garanci tonën për lirinë që do tu propozojmë qytetarëve nesër.
Nga forca e bindjeve dhe e sjelljes demokratike që dëshmojmë sot në këtë Kuvend do të burojnë garancitë e demokracisë për qytetarët nesër. Ne sot duhet të mandatonim një projekt politik me afat, të shpallnim mbështetjen për Kryetarin që të na drejtojë deri në zgjedhjet e radhës jo te duartrokasim mandatet e pakufizuara të kryetarit. Qytetarët duan një PD të pastër. Të pastër nga çdo njollë e të shkuarës. Kjo kërkon kurajo për tu ndarë nga çdo trashëgimi që na kompromenton, që na mban peng.
Sado emocione te na lidhin me atë. Për tu ndarë nga cdo e keqe që kemi prodhuar ne vetë. Një opozitë e korruptuar është një tradhti ndaj qytetarit. Kush lufton për një PD të pastër ka bekimin e qytetarit. Qytetarët duan një PD të hapur, ku të kenë shpresën se gjejnë veten, gjejnë mbështetjen për kauzat e tyre, për vlerat e tyre, për interesat e tyre. Hapja nuk është çështje statuti dhe as domeni i kryetarëve. Hapja është gadishmëri për të jetuar bashkë edhe kur kemi mendime konkuruese, kur kemi alternativa konkuruese, kur kemi interesa konkurruese”, tha ai.
Top Channel