Nga Donald Lu*
Partneriteti për Qeverisjen e Hapur ka lidhje me bërjen e qeverisjes më përgjegjëse dhe më transparente përmes hedhjes dritë mbi korrupsionin, mashtrimin dhe paaftësinë. Por ju në këtë sallë e dini se këto përpjekje të rëndësishme do të ishin boshe pa policë hetimorë të pavarur, që nuk kanë frikë të ndjekin çunat e këqij.
Kur isha në universitet, Hollivudi nxori filmin e titulluar “The Untouchables” (Të Paprekshmit). Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert DeNiro luante rolin e gangsterit Al Kapone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “të Paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit. Në një kohë kur Çikago qe e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë, kjo njësi e pakorruptueshme, e pavarur, qe në gjendje të arrestonte Al Kaponen e famshëm.
Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri – një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë. Ka një propozim që kjo të jetë pjesë e funksioneve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose BKH-së, e bërë sipas modelit të FBI-së amerikane.
Po përse duhet të besojnë shqiptarët e zakonshëm se këta policë të posaçëm do të jenë përtej ndikimeve dhe korrupsionit?
Për shkak se Shtetet e Bashkuara do të investojnë që ajo të jetë e tillë. Ne kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve. Trajnimi i tyre do të zhvillohet në Akademinë e FBI-së në Shtetet e Bashkuara. Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate. Dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave (njohur ndryshe si testi i poligrafit) dhe llogaritë e tyre bankare do të mbikqyren për t’u siguruar që ata nuk po marrin rryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar.
Në shënimin 13 në fund të faqes të opinionit përfundimtar, Komisioni i Venecias mirëpret funksionet anti-korrupsion të BKH-së që do të vendoset nën një prokuror të posaçëm të pavarur, të pavarur nga të dy, si nga Prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe nga Policia e Shtetit Shqiptar. Hetuesit e BKH-së do të përbëhen nga policë gjyqësorë. Drejtori i saj për anti-korrupsionin do të jetë një oficer i policisë gjyqësore, i cili do t’i raportojë një prokurori të posaçëm, të pavarur. Ky prokuror do të japë llogari para popullit shqiptar.
Udhëheqësit politikë po përpiqen ta përdorin debatin për BKH-në për arsye politike. Të gjithë ata bien dakord se korrupsioni dhe ndikimet politike pengojnë bërjen e drejtësisë në Shqipëri.
U kërkoj atyre në të djathtë dhe në të majtë që të bien dakord se BKH-ja është një institucion jetik për anti-korrupsionin në Shqipëri. U kërkoj atyre të bien dakord për modelin anti-korrupsion që diskutova sot – një institucion të mbështetur nga FBI-ja amerikane, i pavarur dhe llogaridhënës para popullit shqiptar.
Dhe u kërkoj atyre që të dallojnë se ky institucion duhet të krijohet në të njëjtën kohë me reformën në drejtësi. Në fund të fundit, reforma në drejtësi do të krijojë zyrën e Prokurorit të Posaçëm, SPAK-un, që do të drejtojë përpjekjet anti-korrupsion të BKH-së.
Më lejoni ta përfundoj me një citim nga filmi “të Paprekshmit”. Njëri prej policëve elitarë, i luajtur nga Sean Connery, e pyet prokurorin që është kreu i të Paprekshmëve:
“Ju më thatë se donit të kapnit Kaponen. A doni ta kapni atë me të vërtetë? A e kuptoni se ajo që po them është: çfarë jeni të përgatitur të bëni?”
Prokurori i përgjigjet: “Gjithçka brenda ligjit”.
Le të sigurohemi që Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për një njësi anti-korrupsion të pavarur dhe të paepur.
* Fjala e ambasadorit Donald Lu ne Partneritetin per qeveri te hapur