Home KRYESORE “Na mbyllën me çelës brenda zyrës”, Denoncimi nga selia e PD: Shpërthyem...

“Na mbyllën me çelës brenda zyrës”, Denoncimi nga selia e PD: Shpërthyem derën

Bislim Ahmetaj drejtues i grupimit “Dhjetor ‘90”, forum brenda Partisë Demokratike, ka denoncuar këtë të hënë një situatë të ndodhur në selinë blu.

Në një prononcim për gazetarët, ai tha se së bashku me anëtarët e tjerë të forumit Dhjetor ’90 u mbyllën me çelës brenda zyrës së tyre dhe nuk u lejuan që të dilnin, veprim që sipas tij është marrë pasi ky grupim do të përshëndeste Kuvendin e mbajtur nga Berisha më 11 dhjetor.

Bislim Ahmetaj i cilësoi këto veprime të ulëta, ndërsa për kryedemokratin Lulzim Basha ai thotë se është i shkarkuar dhe çelësat e zyrave nuk e bëjnë atë kryetar të partisë.

“Na i mbyllën dyert dhe na lanë brenda në zyrën tonë por që nuk e kishin ndërruar bravën, për hir të së vërtetës, bravën tonë nuk e kishin ndërruar, por kishin ndërruar dy bravat e dyerve të tjera. E quaj një gjest të ulët. Mora në telefon të gjithë njerëzit që merren me shërbimet dhe thanë nuk dimë gjë, është diçka e sajuar jashtë personelit të shërbimit në këtë institucion. Është diçka që e ul akoma më shumë vlerën dhe atë minimum reputacioni që mund të ketë një njeri i zakonshëm dhe ai njeri tani mëse i zakonshëm, anëtar i Partisë Demokratike është Lulzim Basha me të cilin u shkëmbeva këtu në shkallë dhe sapo ai u ngjit lart na u mbyll dera dhe mbetën brenda në zyrën tonë të grupimit Dhjetor ’90.

Mbledhja e fundit që është mbajtur ka qenë para 1 jave, 10 ditësh. Kemi qenë në mbledhje Kryesie dhe kemi mbajtur qëndrim. Sot kishim një mbledhje për të përshëndetur Kuvendin e jashtëzakonshëm të datës 11 Dhjetor, i cili grupimin Dhjetor ’90 e pranoi si organizatë partnere me të drejta të barabarta me FRPD dhe me LDG. Kjo ishte dhe qëllimi i takimit të sotëm për ta përshëndetur këtë vendim të Kuvendit të jashtëzakonshëm dhe për të rinisur fushatën e zgjedhjeve në Dhjetor ’90 në gjithë vendin. Besoj se kjo do të zgjasë dhe 4-5 ditë sa të zhvillohet referendumi ditën e shtunë, i cili i jep fund çdo lloj dileme të mbajtjes së çelësave. Të mbash çelësat e një partie do të thotë të bësh veprime të ulëta që i kanë hije vetëm njerëzve që janë prapa hekurave, jo njerëzve që janë të lirë dhe njerëzve të zakonshëm. Ai njeri është i shkarkuar përveç se zotëron çelësat e zyrave. Por nuk janë çelësat që e bëjnë kryetarin. Në Kuvendin e 18 Dhjetorit nuk do të jem i pranishëm. Kuvendi mbaroi. Ishte i delegatëve. Delegatët ishin afërsisht 5 mijë dhe ata morën vendimet e tyre, vendime të cilat ju i njihni.”, deklaroi Bislim Ahmetaj.

Bislim Ahmetaj tha se mbetën brenda në zyrë dhe dolën para mediave vetëm duke shpërthyer njërën derë./Opinion.al

Share: