Home KRYESORE Lamtumira kumbon si një ‘’Amin’’…

Lamtumira kumbon si një ‘’Amin’’…

Nga Gladiola Busulla

Ndonjëherë më duket
sikur kemi ardhur në botë
sa për të thënë ‘’Lamtumirë’’…
Mbi këtë tokë, ku njerëzit jetojnë ditë shterpe, të zbrazëta dhe të paqta,
pikërisht mbi këtë tokë – rendin ferri e parajsa.
Këtu mësojmë të duam, të urrejmë e të mallkojmë.
Këtu gjejmë dhembje e zhgënjime në çdo stinë,
por edhe ëndrra luksoze… që shërbejnë për të mposhtur vetminë.
Këtu, nënat i derdhin të gjitha lotët në detin e jetës.
Dhe shpresën e thurin me ditëlindjet e bijve.
Këtu, lumturia i ngjet një harku shumëngjyrësh
që shndrin përtej brigjeve të panjohura.
Përgjithmonë të dënuar të falim fatin tonë të turbullt.
Zhytur në vuajtjen memece të kohës së paskrupullt.
Dhe buzëqeshjet e ngurta, mbi buzë të pandjeshme ngrijnë.
Në rrezet e lutjeve ngushëlluese
Lamtumira kumbon si një ‘’Amin’’…

Share: