Një nga pyetjet e “kuvendimit popullor”, nisma me të cilën Edi Rama do u drejtohet shqiptarëve lidhet me masat që duhet të marrë qeveria kundër sipërmarrësve të mëdhenj që bëjnë evazion fiskal.
Kreu i qeverisë pranon që biznesi i madh është aktori më i madh në vite i evazionit fiskal, por ai shtoi se nuk ndan të njëjtin mendim me ata që kërkojnë burgosje biznesmenësh.
Rama shtoi se investitorët janë punëdhënës dhe nuk duhen parë si shfrytëzues apo gogolë.
“Janë jo pak, njerëzit që kërkojnë që biznesi i madh kur bën evazion të goditet pa mëshirë, që do të thotë ashpërsim i konsiderueshëm, qoftë i masave që çojnë deri në humbjen e lirisë së biznesmenëve. Biznesi madh është targetuar si një gogol, shfrytëzues. Por unë nuk e ndaj këtë pikëpamje, as atë që janë një grusht oligarkësh që vendosin”, – u shpreh ai.
I pyetur nëse do shtronte për diskutim në popull edhe PPP-të Rama tha se ato janë instrumente të përdorura nga e gjithë bota.
“Nuk janë shfaqje të huaja dhe nuk kemi çfarë diskutojmë për këto koncepte dhe instrumente sepse jemi në një vend kapitalist. Dhe cila do të ishte pyetja? Është e vërtetë që shqiptarët paguajnë, por paguajnë për koncesionet e trashëguara, për ato gjatë qeverisjes sonë, i marrin shërbimet pa paguar, e bëjnë check-up-in falas, analizat laboratorike falas; për këto ka marrë përsipër të paguajë shteti. Shqiptarët sot bëjnë dializa në kushte ultra moderne pa paguar asnjë lek” deklaroi ai./Dita.al