Nga Luan Kurti
Të gjithë sociologët modernë vërejnë se kapitalizmi qe një çlirim i energjive njërëzore, rriti mirëqënien, inisiativën dhe hapësirën e lirisë së individit, por njëkohësisht që ky sistem të jetoj ka nevojë për soilidaritet, integrim shoqëror, për një moral të gjithëpranuar nga shumica e kolektivit.
Pyetja është : a mund të ndërtohet një bazë e shëndoshë morali në kushtet aktuale ? A mund të ketë solidaritet, integrim midis të mashtruarit dhe përfituesit, midis kamësit dhe humbësit, midis të pafajshmit dhe fajtorit, shpërdoruesit të besimit, prishësit të kontratës sociale ?!!
Sot vetëm 5%, apo diçka më tepër e njerëzve, mbajnë në duar pasurinë e globit. Kjo shpurë shpërdoron miliona, bën jetë mondane, luan kumar, merr pjesë në ankande, shpenzon për një natë në ballo, aq sa një njeri i shtresë së mesme s’mund t’i fitoj për gjithë jetën.
Përqindjet e tyre mujore apo vjetore të fitimit kapin shifra marramendëse, dhe kjo realizohet nga puna dhe mundi i mijëra dhe milionave njerëzve të krahut dhe të mendjes të cilët megjithë përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të jetesës në mënyrë spektakolare edhe për shkak të teknologjisë, kanë filluar ta konsiderojnë këtë një formë të re skllavërie, shfrytëzimi, të ndihen gjithnjë e më pak qënie sociale dhe të rishikojnë kontratën me punëdhënësin.
Globalizimi nuk mund ta fsheh dramën, nuk mund ta evitojë rrezikun e përplasjes midis individëve, grupeve dhe klasave shoqërore, e cila në kohë krizash shfaqet në larminë e saj. Thirrjet për Integrim dhe Solidaritet të filozofëve të ndryshëm, i ngjajnë britmës së dëshpëruarit, atij që lëngon në shtrat për ndihmë !
Përpara se atij t’i premtohet për shërim, për jetë të gjatë, duhet t’i tregohet diagnoza, shkaku i sëmundjes, të bëhet transparenca, përndryshe besimi humbet dhe raporti mjek-pacient nuk funksion. Kjo është sipas meje përgjegjëse për vetminë, pafuqinë e individit, baza për rikthimin e modeleve të vjetra. Tek zgjidhja e këtij ngërçi zë fill solidariteti dhe integrimi!