Home Gjeo-Ekonomia Çfarë loje luan Vuçiçi? Nga Deutsche Welle

Çfarë loje luan Vuçiçi? Nga Deutsche Welle

Aleksandar Vuçiç ekuilibron me mjeshtëri mes të fuqishmëve në Bruksel, Kremlin dhe Pekin dhe nuk i jep përgjigje pyetjes, se në cilën prej këtyre botëve ai dhe populli serb ndjehen në shtëpi, shkruan “Spiegel”.

Revista gjermane SPIEGEL në tekstin me titull “Miqtë evropianë të Kremlinit” në edicionin e saj online, trajton demonstratat në Beograd në mbështetje të politikës së presidentit rus Vladimir Putin dhe kërkon një përgjigje për pyetjen: “Cilat janë arsyet për këtë?” Dhe çfarë loje luan këtu presidenti serb Aleksandar Vuçiç?

Në fillim të tekstit autori Walter Mayr shkruan: “Sikur të kishte një çmim për një qytet në Evropë, që mund të ofrojë këto ditë spektaklin publik më bizarr, Beogradi do të ishte me siguri në krye të listës. Së bashku me flamujt rusë, portretet e Putinit dhe kryqe druri, mijëra vetë marshuan të premten (4 mars) nëpër kryeqytetin serb për të shprehur solidaritetin me krerët e Kremlinit dhe mbështetjen për luftën e tyre agresive kundër Ukrainës.”

“Kukullar i talentuar, që tërheq fijet nga prapaskena”

Duke u përpjekur për të shpjeguar këtë fenomen autori kujton lidhjet tradicionalisht të afërta të Serbisë me “Nënën Rusi” dhe me popullin vëllazëror ortodoks në Lindje, por përmend gjithashtu se e gjithë kjo tani po vihet në provë. Kjo flet, thuhet më tej në artikull, për “bishtnimin e presidentit Aleksandar Vuçiç”.Nga njëra anë ai është për integritetin territorial të Ukrainës, por në të njëjtën kohë nuk dëshiron t’u bashkohet sanksioneve të BE kundër Rusisë. Ai nuk e kritikon qartë luftën e dukshme agresive, duke iu referuar “marrëdhënieve të posaçme të vendit të tij me Rusinë”.

Autori e quan Vuçiçin “kukullar të talentuar, që i lëviz telat nga lart” dhe kujton se në fillimet e karrierës së tij politike ai ishte nxënës i kriminelëve të luftës si Radovan Karaxhiç, Vojisllav Sheshelj dhe Sllobodan Millosheviç.

Për vite me rradhë ai u mbështet nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe deri sot ai prezantohet me sukses si një ndërmjetës mes botëve, si politikan që ekuilibron me mjeshtëri mes të fuqishmëve në Bruksel, Kremlin dhe Pekin. Por në të njëjtën kohë ai nuk i përgjigjet pyetjes, se në cilën nga këto botë ai dhe populli serb ndihen si në shtëpinë e vet”, thuhet në tekst.

Kjo me siguri ka të bëjë me zgjedhjet presidenciale të 3 prillit, ku kundërshtar serioz është ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe, Zdravko Ponosh. Prandaj Vuçiçi duhet t’i shpjegojë tani elektoratit të tij, pse aleati i tij i vjetër Vladimir Putin shtetin fqinj paqësor Ukrainën po e përmbyt tani me bomba dhe granata, shkruan autori.

Shumë të irrituar në Bruksel

Deri tani janë përdorur kryesisht argumente nga e kaluara e afërt. Rusia në vitin 1999 protestoi kundër bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë. Por nga këndvështrimi serb ka edhe arsye shumë pragmatike për të mbështetur politikën e Putinit, shton Mayr: “Gjatë takimit të nëntorit në brigjet e Detit të Zi, Putin i premtoi Vuçiçit furnizim të shtuar me gaz me çmim të favorshëm”. Pas takimit presidenti i Serbisë pranoi, se i „ka kërkuar” Putinit „trajtim më të mirë”.

Opinioni publik, me mbështetjen e madhe mediatike të gazetave bulevardale besnike të Vuçiqit, është në krah të presidentit. Sondazhet tregojnë se dy të tretat e qytetarëve serbë kanë një qëndrim pozitiv ndaj Putinit. Në disa gazeta madje u shfaqën tituj të tillë si “Ukraina pushtoi Rusinë”, kujton autori.

Në të njëjtën kohë ai tërheq vëmendjen se në Bruksel janë shumë të irrituar me sjelljet e tilla serbe, dhe se shprehin “keqardhjen” që Serbia nuk iu bashkua sanksioneve, gjë e cila redukton ndjeshëm shanset për anëtarësimin e shpejtë të Serbisë në BE.

Por kjo është situata, në të cilën e ka çuar vetë veten Bashkimi Evropian, mendon Walter Mayr: “Që prej shpalljes së shpejtë të pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Serbia ka një rol kyç në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme paqësore për Ballkanin Perëndimor. Vuçiç e di këtë dhe e përdor me shumë sukses. Ai forcon gjithnjë e më shumë sundimin e tij autoritar në Serbi, ndërsa në të njëjtën kohë në skenën ndërkombëtare paraqitet si ndërmjetës i ndershëm në lidhje me Kosovën”.

Një kërcënim serioz për sigurinë

Sipas mendimit të autorit, kjo “ecje diplomatike mbi vezë” përbën gjithnjë e më shumë një kërcënim serioz për sigurinë në kontinent gjë që shihet edhe në Bosnje- Hercegovinë. Me mbështetjen ruse dhe serbe loja gjithnjë e më serioze me zjarrin e Milorad Dodikut po kërcënon të shndërrohet në një zjarr të vërtetë. Vazhdimisht përmendet mundësia e shkëputjes së Republikës Srpska nga Bosnjë-Hercegovina, gjë që do të rrezikonte “të gjithë rendin postjugosllav të pasluftës, të vendosur me mundim”, mendon Mayr.

Dhe fakti “që Vuçiçi, presidenti i një vendi që është kandidat për anëtarësim në BE, deri sot nuk ka marrë kritika serioze nga Komisioni Evropian, nga kreu i shtetit serb mund të kuptohet si shpërblim për politikën e tij cinike”, përfundon gazetari. i revistës gjermane Spiegel, Walter Mayr./DW

Share: