Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një ligj që lejon konfiskimin e avionëve të huaj dhe përdorimin e tyre brenda vendit, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten mes Rusisë dhe Perëndimit në lidhje me pushtimin e Ukrainës.
Kompanitë e huaja të avionëve që operonin në Rusi deri sa u shpallën sanksionet, mund të shohin tashmë avionët e tyre të konfiskohen nga Moska dhe të përdoren për interesa të saj brenda vendit dhe kjo falë ligjit të ri të miratuar nga Kremlini.
Megjithatë, për avionët e pasagjerëve, kostoja e mirëmbajtjes së tyre është tepër e lartë dhe veçanërisht nën darën e sanksioneve. Nisur nga kjo, ligji i ri i vendosur, do ketë një ndikim jo aq të madh.
Por kjo masë, sipas Ëall Street Journal, sinjalizon që tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit po agravohen edhe më tepër, pasi ky i fundit ka kërkuar që Rusia të izolohet edhe më shumë ekonomikisht për shkak të vendimit të saj për të pushtuar Ukrainën.
Javën që kaloi, SHBA-të njoftuan se do të bllokonin importet ruse të naftës, gazit dhe qymyrgurit.
Kjo masë u njoftua nga presidenti Joe Biden, i cili gjithashtu deklaroi Rusisë do t’i hiqet statusi i “vendit të favorizuar” në marrëdhëniet tregtare me vendet e G7-ës.
Shumë biznese në mbarë botën kanë lajmëruar se do të ndalonin biznesin e tyre në Rusi për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Ëashington Post, raportoi në fillim të kësaj jave se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përgjatë një telefonate me presidentin Biden, kërkoi një zgjerim të sanksioneve ndaj Rusisë dhe zyrtarëve të saj.
360grade.al