Nga Dritan Haxhiraj
Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të shtyjë për “paqe me çdo çmim” me Vladimir Putin, tha kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas.
Pse ka rëndësi kjo?
Estonia,ashtu si Letonia dhe Lituania, është anëtare e NATO-s dhe BE-së, por edhe fqinje me Rusinë. Shtetet baltike kanë frikë nëse Putini nuk mposhtet në Ukrainë, ai mund të bëhet më agresiv.
Kallas, 44 vjeç, u bë gruaja e parë kryeministre e Estonisë në janar 2021, duke ndjekur gjurmët e babait të saj, Siim Kallas, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2002 deri në 2003.
Ajo ka qenë një nga kritiket më të ashpëra të Putinit në Europë, veçanërisht që nga pushtimi i Ukrainës.
Çfarë po thotë ajo….
Dy ditë pasi u shfaqën imazhet e një masakre të raportuar në qytetin e Bucha.
Kallas tha se zonat e pushtuara të Ukrainës nuk ishin vetëm një fushë beteje, por edhe një skenë krimi.
Ajo tha se shënjestrimi i civilëve nga Rusia duhet të ndiqet penalisht si krime lufte, por nuk e quajti vetë Putinin kriminel lufte, siç bëri Presidenti Biden.
Gjendja në terren.
Kallas shprehu shqetësimin se presioni për të arritur një armëpushim do të lejonte Rusinë të pretendonte fitoren dhe të mbante territoret që ka pushtuar. Në një skenar të tillë, theksoi ajo, “oreksi” i Putinit do të rritej.
“Nëse nuk dënohet për krimet e kryera, atëherë thjesht do të vazhdojë. Do të ketë një pauzë prej një viti, dy vjetësh dhe kur ai të marrë masat e tij, gjithçka do të përsëritet në një mënyrë shumë më të vështirë ose më të ashpër”, paralajmëroi ajo.
“Ne e kemi bërë tashmë këtë gabim dy herë, që nëse ka paqe, atëherë le të harrojmë atë që ndodhi,” tha ajo, duke iu referuar pushtimit të Gjeorgjisë nga Putin në 2008 dhe Ukrainës në 2014.
Në vend që ta shtyjë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky për të arritur një armëpushim të menjëhershëm me çdo kusht, ajo po i kërkon komunitetit ndërkombëtar të bëjë më shumë për të ndihmuar Ukrainën dhe për të ndaluar Putinin.
Ne mund të japim më shumë ndihmë ushtarake, ne mund të japim më shumë ndihmë humanitare dhe gjithashtu të izolojmë politikisht Rusinë në mënyrë që kjo të ndalet,” shtoi Kallas.
Vështrimi mbi SHBA.
Kallas, tha se ajo u qetësua nga deklaratat e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Tony Blinken dhe udhëheqësve të fuqive të tjera të NATO-s se ata do të mbrojnë “çdo pëllëmbë” të territorit të aleancës.
“
Nuk kemi asnjë dyshim për këtë.
“Asnjë vend i NATO-s nuk është sulmuar ndonjëherë. Kështu që ne ndihemi të sigurt”, tha ajo, duke shtuar se administrata e Biden nuk kishte refuzuar asnjë kërkesë nga Estonia.
Megjithatë, ajo tha se duhet bërë më shumë për të forcuar shtetet baltike në krahun lindor të NATO-s për të penguar Putinin.
Çfarë duhet parë..
Kallas tha se ajo dëshiron të rrisë praninë e NATO-s në Estoni për të pasur një forcë ushtarake “të madhësisë së brigadave ushtarake” në vend të përbërë nga trupa estoneze dhe aleate.
Kallas tha se shpreson se vendime të tilla do të merren në samitin e NATO-s në qershor në Madrid.
Vlen të përmendet.
E pyetur për pozicionin e qeverisë izraelite, e cila është përpjekur të luajë rolin e një ndërmjetësi neutral në konflikt, Kallas tha se Izraeli duhet të thërrasë Putinin për “lojë të ulët me vuajtjet e hebrenjve”.
Një gjë që ndoshta është shumë specifike për Izraelin është se Putini po përdor këtë argument të denazifikimit. Dhe unë mendoj se kjo minon thellësisht vuajtjet e popullit izraelitë, dhe ju mund të jeni më të vendosurë për këtë dhe të thoni se kjo nuk është normale”, tha ajo.