Problemi i pazgjidhur i çamëve është ngritur në nivelet më të larta drejtuese të Bashkimit Europian. Parlamenti Europian ka diskutuar për çështjen çame, ndërsa eurodeputetja, Doris Pack i ka kërkuar shtetit grek që të krijojë mundësinë për anëtarët e komunitetit çam që të vizitojnë atdheun e tyre. Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, i cili kryesonte një delegacion që ka lobuar pranë europarlamentarëve për zgjidhjen e çështjes çame, tha se mund të realizohet edhe një seancë dëgjimore në Parlamentin Europian për çështjen Çame.
Tahir Muhedini tha për “Shekulli” se debati ishte një eveniment shumë i rëndësishëm, pasi më në fund çështja çame futet në axhendën zyrtare të Bashkimit Europian. Kreu i PDI-së sqaroi edhe pritshmërinë për miratimin e një rezolute për këtë çështje nga ana e PE-së.
Pas 62 vitesh, Parlamenti Europian diskuton mbi çështjen çame. A mund të na thoni si është realizuar një gjë e tillë?
Diskutimi mbi problemin është realizuar në kuadër të takimit të 13-të ndërparlamentar Shqipëri – Parlamenti Europian të zhvilluar në Strasburg në datat 25 dhe 26 tetor. Një delegacion i kryesuar nga unë, prej katër ditësh ka kryer një sërë takimesh zyrtare me europarlamentarë. Dëshiroj të veçoj disa takime të frytshme që mesa duket kanë dhënë dhe rezultatin e tyre, siç është takimi me eurodeputetin italian, Marco Panela, udhëheqësi i radikalëve italianë. Duhet theksuar se Panela e ka ngritur çështjen çame edhe herë tjetër. Një takim tjetër ishte dhe ai me eurodeputetin britanik, Graham Uollson, eurodeputetin gjerman me origjinë greke, Jorgo Kacinanakis, personazh i njohur për aktivizimin në këtë çështje. Një takim i frytshëm ishte edhe ai me eurodeputeten gjermane, Divella Kallenbach etj. Gjatë të gjitha takimeve, ne kemi vënë në dispozicion nga një dosje të plotë në lidhje me çështjen çame. Dosja është konsideruar nga eurodeputetët, të cilët janë zotuar për shqyrtimin e saj.
Për këtë çështje ka folur edhe kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian, Doris Pack. Cili është rezultati konkret i këtij debati që është zhvilluar në Parlamentin Europian?
Doris Pack e ka iniciuar debatin për çështjen çame në sallën e parlamentit. Ajo ka pyetur Delegacionin e Përhershëm Shqiptar në Parlamentin Europian, lidhur me këtë çështje. Ajo ka vënë në dijeni eurodeputetët për takimin me delegacionin tonë, dhe për problemin që kishim ngritur.
Të gjithë anëtarët e delegacionit shqiptar janë shprehur për ekzistencën e këtij problemi, i cili duhet të marrë zgjidhje. Eurodeputetja Pack ka dëgjuar të gjitha debatet në lidhje me këtë çështje dhe më pas është shprehur pro të drejtave të çamëve.
Ajo ka thënë konkretisht: “I kërkoj Athinës zyrtare publikisht, që t’iu japë mundësi komunitetit çam të vizitojnë atdheun e tyre dhe t’iu jepet mundësia të vendosin lule në varret e të parëve të tyre”. Sipas informacionit që ne kemi, misioni grek në Bruksel ka treguar interes për vizitën tonë. Madje, eurodeputetë të caktuar në sallën e parlamentit kanë treguar nervozizëm për çështjen e shtruar për diskutim.
Realizimi i një debati të tillë për herë të parë, a përbën një hap cilësor në drejtim të zgjidhjes së çështjes çame?
Ky është një event shumë i rëndësishëm, pasi për herë të parë pas 62 vitesh, problemi i çamëve hyn në axhendën zyrtare të Bashkimit Europian. Ky zhvillim ka hapur rrugën për ta shtyrë edhe më tej dhe më me shpejtësi zgjidhjen e çështjes çame. Eurodeputetët që ne kemi janë angazhuar se do të studiojnë me vëmendje dosjen që kemi dorëzuar. Ne kemi marrë një premtim shumë të rëndësishëm, që ka të bëjë me mundësinë e realizimit të një seance dëgjimore në Parlamentin Europian, ku do të dëgjohet pala jonë si dhe pala greke. Gjithashtu, me shumë mundësi, Parlamenti Europian do të miratojë dhe një rezolutë për çështjen çame.
Thatë se keni realizuar takim edhe me një europarlamentar gjerman me origjinë greke. Do të jetë i angazhuar pozitivisht në zgjidhjen e çështjes çame?
Europarlamentari, Jorgo Kacinanakis, ka marrë dosjen tonë dhe është shprehur se do ta studiojë atë. Ai ka deklaruar se kjo çështje duhet të marrë një zgjidhje sa më të shpejtë. Ne kemi besim se ai do të shërbejë si një urë komunikimi mes nesh dhe palës greke për të arritur në zgjidhjen përfundimtare. Zoti Kacinanakis zhvillon takime të herëpashershme me funksionarë të shtetit grekë, dhe besojmë se ai mund ta kanalizojë pozitivisht zgjidhjen e çështjes çame.
Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian shprehet për herë të parë zyrtarisht në lidhje me çështjen çame
Doris Pack: Athina të lejojë vizitat e çamëve
Kryetarja e Delegacionit Europian për Evropën Juglindore, Doris Pack, ka ngritur për herë të parë zyrtarisht problemin çam në Parlamentin Europian. Gjatë takimit të 13-të ndërparlamentar Shqipëri- Parlamenti Europian, Doris Pack i ka bërë thirrje shtetit grek që të lejojë anëtarët e komunitetit çam që të vizitojnë trojet e tyre në Greqi.
“I kërkoj Athinës zyrtare publikisht, që t’iu japë mundësi anëtarëve të komunitetit çam të vizitojnë atdheun e tyre dhe t’iu jepet mundësia të vendosin lule në varret e të parëve të tyre”, ishte deklarata e Doris Pack. Kjo deklaratë pasoi një takim që Doris Pack kishte zhvilluar me një delegacion të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, të kryesuar nga kryetari i saj, Tahir Muhedini.
Doris Pack kishte marrë një dosje në lidhje me çështjen çame, dhe gjatë debatit për respektimin e të drejtave të minoritetit, ajo ka shtruar për diskutim edhe çështjen çame. Fillimisht janë pyetur anëtarët e delegacionit parlamentar shqiptar. Anëtarët e këtij delegacioni kanë thënë se problemi është ekzistent dhe duhet zgjidhur.
Pasi ka dëgjuar të gjitha debatet e zhvilluara në lidhje me këtë çështje, europarlamentarja Pack i ka bërë thirrje shtetit grek që të mundësojë pa vonesë vizitat e anëtarëve të komunitetit çam në atdheun e tyre. Deklaratat e bëra nga Pack kanë nxitur një debat në Parlamentin Europian.
Mësohet se përfaqësuesit e shtetit grek në Strasburg nuk e kanë pritur mirë angazhimin publik të zonjës Pack në lidhje me problemin e pazgjidhur çam./Shekulli.al