Home Gjeo-Ekonomia “Në Hagë nuk po gjykohen individët, por UÇK-ja”

“Në Hagë nuk po gjykohen individët, por UÇK-ja”

Narracioni për themelimin e Gjykatës Speciale se do të gjykoheshin individë për krimet e pretenduara, dhe jo lufta e UÇK-së, pas ngritjes dhe shpalosjes së aktakuzës me të cilën u ngarkuan politikanët kosovarë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duket se ka humbur peshën e vet.

Në një dokumentar të transmetuar në Emisionin Opinion të Blendi Fevziut, i titulluar “Devijimi Special”, ekspertë kushtetues dhe analistë thonë se në të vërtetë në Hagë po gjykohet UÇK-ja.

 Sipas analistit Ismail Tasholli, deklarimet se po gjykohen individët e jo UÇK-ja, janë një diskurs i vjetër i Sllobodan Millosheviqit.

“Pohimet se nuk po gjykohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por disa individë, fatkeqësisht, na rikthejnë tek diskursi dhe ligjërimi politik i Millosheviqit gjatë kohës së luftës, kur ai thoshte se populli është rehat, por disa individë të frustruar dhe të revoltuar po përpiqen që ta përmbysin rëndin e asaj kohe. Por, e vërteta është se në Hagë nuk janë disa individë, por atje është ideja e lirisë së Kosovës”, thotë ai.

 “Është evidente se procesi nuk është individual. Nuk po gjykohen atje njerëzit e thjeshtë. Po  gjykohen udhëheqësit dhe themeluesit e UÇK-së. Dhe, sado që thuhet se ‘ne nuk po duam ta dëmtojmë luftën e UÇK-së, por po merremi me individë’, kjo është e paqëndrueshme, sepse tendenca është e hapur: denigrimi i luftës së UÇK-së për efekte politike”, shprehet profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami.

Për analistin Shkodran Ramadani,ndërkaq, termi “Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët”, synon ta implikojë gjithë UÇK-në.

“Termi Ndërmarrje Kriminale e Përbashkët, edhe pse thuhet që ka të bëjë me emra të përvetshëm, në fakt synon të implikojë gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e rrjedhimisht edhe përpjekjen e popullit të Kosovës për liri, sepse nuk mund të kuptohet lufta e popullit të Kosovës për liri, pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, thotë ai. / Opinion.al

Share: