Home KRYESORE UNE EDU BUNEN, DUAJE EDHE TI!

UNE EDU BUNEN, DUAJE EDHE TI!

Nga Marsela Xhafa

Nuk di sa nga ju e kanë vizituar lumin Bunë, por unë si vizitore për herë të parë e tij jam mrekulluar nga bukuritë e natyrës, të mbledhura si një kurorë e bukur rreth e rrotull saj.

Një eksperiencë shumë e bukur, ndryshe që jua sugjeroj të gjithëve ta bëni, e do më kujtoni. Duke u nisur nga përvoja ime personale gjithmonë për pushime apo për udhëtime të shkurtra weekend-i kemi preferuar jugun. Ndoshta kjo na është bërë traditë tashmë, mbase edhe nga afërsia gjeografike me vendlindjen.

Mirëpo tani, jua them me plotë bindjen se kjo ka ndodhur për vetë faktin që nuk i njihja mrekullitë dhe bukuritë përrallore që Buna i fal çdo turisti, duke e lidhur aq shumë pranë vetes sa ai e merr atë me vete kudo, njësoj si unë.

Pata fatin të jem pjesë e një media tour-i me gazetarë për të eksploruar Bunën, si pjesë e një projekti shumë të bukur “EDU BUNEN”. i cili ka si synim kryesor t’ju prezantojë me destinacionet më të bukura të Bunës, por edhe të edukojë, të udhëheqë vizitorin potencial drejt aktiviteteve eko-miqësore të zonës, të përfshijë dhe të edukojë industrinë promovuese si dhe të ofrojë një ofertë ekoturistike atraktive për turistët vendas e të huaj.

Nisja u bë nga Shiroka, ku pasi konsumuam mëngjesin dhe kafen me pamjen fantastike u bëmë gati për aventurën drejt lumit Bunë. Kisha vërtet shumë emocione, të ndërthurura me një lloj adrenaline pozitive, por edhe kërshërinë për të mësuar më shumë për Bunën, që më kishte shkëputur me realitetin akoma pa u nisur drejt saj. Ndonjëherë e vetmja gjë që duam është pak qetësi, të mos mendojmë për punën, ngarkesat emocionale, problemet familjare, ta heqim telefonin dhe vetëm të shijojmë natyrën.

Këtë gjë, TA FAL BUNA!

Me trendet e reja të të voziturit puddle apo kanoa u nisëm drejt Bunës. Padiskutim na shoqëronte edhe guida vendase shkodrane ku teksa lundronim dhe shijonim pamjen magjepsëse, merrnim edhe informacion të detajuar mbi florën dhe faunën e pasur, ku u dashuruam pas pilivesave, zambakëve të ujit dhe pulëbardhave që fluturonin sipër kokës.

Nuk kishte të krahasuar ndjesia e qetësisë dhe relaksit teksa lundroje mbi Bunën e qetë. Të mbetej vetëm ta shijoje, që unë e bëra më së miri, bashkë me grupin. Një nga ndalesat përgjatë lundrimit ishte edhe Kisha e Shirgjit. Një anë muri dhe një gur i gjatë ishin gjithçka që ka mbetur nga kisha në të cilën shekuj më parë sipas gojëdhënave kurorëzoheshin princër malazezë e shqiptarë.

Pasi u njohëm me historitë e saj u nisëm drejt destinacionit tonë final që ishte njëherazi edhe përfundimi i udhëtimit, por edhe restoranti “Lumi i Jetës” ku do të shijonim kulinarinë dhe gatimet tradicionale të zonës , nën freskinë e pemëve dhe cicërimat e zogjve.

Dhe në fund të këtij udhëtimi vërtet shumë të bukur ju sugjeroj të gjithëve të vizitoni Bunën, një nga Perlat e Adriatikut, që të ofron një sërë destinacionesh për të vizituar dhe veç të tjerash është: Një udhëtim që të edukon dhe të pasuron!
EDU BUNEN, një projekt i Mandarina Project, organizatë e cila operon prej më shumë se 18 vitesh në Shqipëri, me drejtues të saj Entoni Jubani, me projekte gjithnjë inovative dhe gjurmëlënëse në fushën e promovimit të territorit, natyrës, artit, sportit dhe turizmit në të gjithë territorin e Shqipërisë.

UNE EDU BUNEN, DUAJE EDHE TI!

Share: