Albin Kurti shprehu mospërfillje të enjten për një marrëveshje energjitike të sugjeruar nga Aleksandër Vuçiç i Serbisë, në të cilën qymyri nga Kosova mund të shkëmbehej me energji elektrike.
“Kjo është një përpjekje e presidentit autoritar të Serbisë për të kaluar nga projekti i dështuar i shkëmbimit territorial në atë të shkëmbimit të qymyrit”, tha Kurti për mediat.
Gjatë samitit të Ballkanit të Hapur në Ohër të mërkurën, Vuçiç u foli gazetarëve për planet për të ofruar një marrëveshje për blerjen e qymyrit të linjitit nga Kosova ose shkëmbimin e tij me energji elektrike. Ideja e shkëmbimit të territoreve për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës u ngrit në vitet e fundit, por tërhoqi kritika të forta.
Vuçiç tha se Serbia ishte “e gatshme t’i ofrojë Prishtinës një shkëmbim në mënyrë që të marrë një sasi të konsiderueshme të qymyrit të linjitit cilësor në këmbim të energjisë elektrike”.
Ai shtoi se “nëse nuk e dëshironi në këtë mënyrë, atëherë mund të bëhet edhe me para”.
Përfaqësuesit e Kosovës nuk morën pjesë në samitin e Ballkanit të Hapur pasi vendi refuzon t’i bashkohet mini-bllokut të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Vetëm Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë përfshirë në iniciativë deri më tani.
Duke shpjeguar qëndrimin e Kosovës, Kurti tha se vendi i tij nuk do të përfshihet pasi gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë “të barabarta”.
“Gatishmëria dhe interesimi ynë për bashkëpunimin rajonal shprehet përmes mbështetjes sonë për Procesin e Berlinit [iniciativën e bashkëpunimit ekonomik] [e BE-së] dhe angazhimin tonë në tregun e përbashkët rajonal”, tha Kurti për mediat.
Kurti i bëri thirrje Serbisë që së pari të hapet ndaj Kosovës duke njohur dokumentet e saj të identitetit si pasaportat dhe kartat e identitetit, përpara se të ofrojë “iniciativa alternative” si nisma e Ballkanit të Hapur apo marrëveshjet për shkëmbimet e energjisë.
Lexo edhe: Ballkani i hapur, shqiptarët të shqyer/ Si i ndau Vuçiç, Tiranën dhe Prishtinën
Lexo edhe: Vuçiç e Rama, modelet e dështuara në aventurën e radhës
Lexo edhe: Gafa që shfaqi hipokrizinë e Ramës me Kosovën dhe BE
“Për të pasur Ballkan të hapur, Serbia le të jetë e hapur për Kosovën dhe e mbyllur për Federatën Ruse dhe autokracitë e tjera”, tha Kurti, duke iu referuar refuzimit të Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë për luftën në Ukrainë.
Ai gjithashtu i kërkoi Vuçiqit të pranojë se forcat serbe gjatë luftës së Kosovës 1998-99 kanë kryer masakra, siç ishte masakra e Raçakut e 15 janarit 1999, të cilën Vuçiç e mohoi vitin e kaluar.
Kosova dhe Serbia janë të angazhuara në negociatat afatgjata të lehtësuara nga BE-ja dhe aktualisht po diskutojnë një zgjidhje të mundshme për një mosmarrëveshje për targat dhe për furnizimin me energji në veriun e Kosovës me shumicë serbe. Komunat e dominuara nga serbët në veri të Kosovës nuk paguajnë energjinë elektrike pasi nuk janë në sistemin e faturimit të Kosovës.
BIRN kontaktoi qeverinë e Kosovës për të pyetur nëse oferta e Vuçiçit mund të bëhej pjesë e një marrëveshjeje potenciale energjetike dhe për statusin e negociatave, por nuk mori përgjigje deri në momentin e publikimit./ Balkaninsight