Home Gjeo-Ekonomia Deklaratë e Shoqatës Patriotike “Çamëria” dhe PDIU

Deklaratë e Shoqatës Patriotike “Çamëria” dhe PDIU

Qeveria të diskutojë me Dendias heqjen e Ligjit të Luftës, dhe trajtimin dhe futjen në rrugën e zgjidhjes të Çështjes Çame
Vizita e ministrit të jashtëm të greqisë Nikos Dendias në Tiranë është një rast i mirë dhe i përsëritur, që qeveria shqiptare të diskutojë dhe të fusë në rrugën e zgjidhjes, çështje që prej kohësh kanë mbetur pa zgjidhje.
Shoqata Patriotike “Çamëria” i bën thirrje qeverisë shqiptare, që pa komplekse, me reciprocitet dhe me argument të kërkojë:

  1. Heqjen e “Ligjit të Luftës” që Greqia mban në fuqi me Shqipërinë që nga viti 1940, pra që nga Lufta e Dytë Botërore dhe akteve nënligjore që do t’i hapnin rrugë, problematikave pronësore për shtetasit shqiptarë të Çamërisë dhe më gjerë.
    Nisur edhe nga situata gjeopolitike e krijuar në rajon, agresioni rus në Ukrainë dhe fakti që Shqipëria dhe Greqia janë anëtarë të NATO-s, kjo çështje nuk duhet të zvarritet më.
    U bënë 7 vjet që në çdo takim apo bisedime, pala greke premton që do ta heqë “Ligjin e Luftës”. Tani është koha që ky apendiks që nga Lufta e Dytë Botërore të hiqet.
  2. Trajtimin dhe futjen në rrugën e zgjidhjes të Çështjes Çame, që buron si detyrim nga ligji 7839, datë 30.06.1994 “Për shpalljen e datës 27 qershor si Dita e Genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe Rezolutës së Parlamentit të Shqipërisë, datë 08.04.2004, “ Për zgjidhjen e Çështjes Çame dhe heqjen e “Ligjit të luftës”.
    Trajtimi i Çështjes Çame nga pikëpamja historike, juridike, pronësore dhe e të drejtave të njeriut është detyrim për qeverinë shqiptare, që buron nga vendime detyruese të Parlamentit të Shqipërisë, referuar Ligjit dhe Rezolutës .
    Nisur dhe nga situata në rajon dhe në frymen e dialogut, çështje si ajo e shelfit kontinental dhe zonave ekskluzive ekonomike; Njohja e Kosovës nga Greqia; Marrëveshja për njohjen e sigurimeve shoqërore të emigrantëve shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi; Trajtimi i tyre me reciprocitet do të ishin një kontribut i çmuar dhe direkt për marrëdhënie të mira e fqinjësore me Greqinë.
    Ne mirëpresim dhe jemi të vëmendshëm ndaj dialogut për këto çështjeve të rëndësishme që do të kapërcenin ngërçin e çështjeve historike duke hapur një kapitull të ri midis dy vendeve.
Share: