Home Gjeo-Ekonomia SHËNIM: Mungesa në samitin e Brukselit, Vuçiç po çon Ballkanin e Hapur...

SHËNIM: Mungesa në samitin e Brukselit, Vuçiç po çon Ballkanin e Hapur në divorc me BE

Nga Shaban Murati

Shënim nga blloku diplomatik

Presidenti i Serbisë Vuçiç deklaroi në 20 qershor se ai ka marrë ftesën për në samitin BE-Ballkani Perëndimor, që organizohet në Bruksel në 23 qershor, por ai nuk e ka vendosur ende nëse do të shkojë apo jo.

Është një rast i pashembullt që Serbia vë në diskutim nëse do të shkojë apo jo në samitin e BE, i cili i kushtohet integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Vuçiç njoftoi në 20 qershor se për të marrë vendim për ftesën e BE nëse do të shkojë apo jo Serbia atje, ai do të zhvillojë konsultime me anëtarët e qeverisë së tij dhe me kryeministrat Rama e Kovaçevski të dy shteteve anëtare të “Ballkanit të hapur”.

Se ç’punë  kanë dy kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut të konsultohen për vajtjen e Serbisë në samitin e BE sikur janë institucione të qeverisë serbe, kjo është një enigmë haremesh politike ballkanike.

Presidenti serb është i tmerruar nga dhënia e llogarisë, që e pret në samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku duhet të japë përgjigje për dy kërkesat e fundit kategorike të BE për Serbinë: që të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe të njohë Kosovën.

Vuçiç e ka dashnorin në Kremlin dhe po bën gati divorcin me BE. Por që ta kamuflojë këtë divorc serb dhe t’i verë etiketën si divorc grupi,

Vuçiç thirri në 21 qershor dy delet e “Ballkanit të hapur”, kryeministrin e Tiranës dhe atë të Shkupit, për t’u diktuar bashkimin me qendrimin serb dhe të paraqitjes si divorc i “Ballkanit të hapur” me BE.

Është një dhuratë e artë diplomatike e Serbisë ndaj Rusisë.

Është skandaloze ajo, që njoftoi presidenti serb në 21 qershor, se kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka venë edhe ai në diskutim dhe pritet ta vendosë në 22 qershor në drekë nëse Shqipëria do të shkojë apo jo në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Do të ishte një autogol antishqiptar dhe një goditje e rëndë për interesat e integrimit europian të Shqipërisë nëse qeveria shqiptare do të dëgjonte zërin vdekjeprurës të presidentit serb.

Unë shpresoj që në rrethin intim miqësor dhe familjar të kryeministrit shqiptar të ketë mbetur ndonjë me dy pare mend që ta sjellë në vete atë dhe të ndjekë interesin e Shqipërisë dhe jo të Serbisë dhe të shkojë në samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Idiotët e inamoruar shqiptarë të “Ballkanit të hapur” serb kanë rastin të shohin live serinë e rreziqeve që paraqet për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj europiane projekti i zi serb i “Ballkanit të hapur”, që po e çon Shqipërinë drejt divorcit me BE dhe me Perëndimin.

Share: