Home KRYESORE Si mund të bëhet Shqipëria një Zvicër e Ballkanit

Si mund të bëhet Shqipëria një Zvicër e Ballkanit

Nga Petro Luarasi
Politikanët tanë ‘’të madhërishëm’’ me  shumë zell përsërisin në fushata elektorale se  Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të bëhet një Zvicër e Ballkanit, por vetën në rast se do ia besojnë atyre pushtetin, përndryshe… Por  keq e mos më keq  venë punët e hallemadhes me ta apo pa ata, sepse mendësia dhe veprimtaria e palëve mbetet allashqiptarçe.
Sa për zviceranët ata kanë patur pak ‘’të madhërishëm’’ por  shumë mend e kurajo popullore. Ata ndihen krenarë dhe të përgjegjshëm të vlerësojnë heroin e tyre legjendar, Vilhelm Telin, i cili pati kurajon t’i kundërvihej mëkëmbësit të perandorit të Austrisë, i cili urdhëronte popullin t’i gjunjëzohej  një kapeleje mbi stap anembanë kantoneve të Zvicrës, si symbol i pushtetit perandorak. Kush nuk bindej burgosej, i keqtrajtohej familja dhe i konfiskohej pasuria. Nga legjenda mësohet se për mosbindje Vilhelm Teli u detyrua të godiste me shigjetë mollën, të vendosur mbi kryen e të birit!
Episodi  u gdhend në përjetësi nga vargjet shileriane:
 
Prej kësaj koke, ku vendosën mollën,
Liri e re më e mirë do blerojë;
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,
Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.
 
Në përfundim Vilhelm Teli e goditi sundimtarin barbar  me shigjetë në zemër, frymëzoi popullin për kryengritje dhe zuri vendin e merituar në historinë e popullit zviceran, i cili historikisht e ka dëshmuar  se si  e mbron lirinë , pavarësinë, begatinë  e   dinjitetin në një rend nga më demokratikët.
Përkthyesi i kryeveprës së Shilerit ‘’Vilhelm Teli, atdhetari   Skënder Luarasi, me dhimbjen e Shqipërisë hallemadhe ka shkruar: ‘’Bota(zviceranët) nga balta bëjnë heronj, ndërsa ne heronjtë i bëjmë baltë!’’ Vërtet aq shumë heronj e personalitete të jashtëzakonshëm që i kanë shërbyer vendit dhe botës, por që harrohen, përgojohe, përbalten dhe populli nuk edukohet  dhe as  ndërgjegjësohet me veprën dhe mësimet e tyre të vyera, mbi atdhedashurinë dhe sakrificat që duhet të bëhen.
Prandaj duhet të edukohemi që të kuptojmë se Shqipëria  do të bëhet si Zvicra nëse e duam mbi gjithçka  dhe sakrifikojmë për vendin tonë si zviceranët.  Në mënyrë simbolike e shtoj pyetjen: A i gjunjëzohemi   Shqipërisë apo kapeles së  sundimtarit  të rradhës?
 
Johann  von Schiller (1759-1805) cilësohet si dramaturgu më i shquar Gjerman. Kryevepren  e tij  Vilhelm Teli e   perktheu  Skender Luarasi në vitin 1934.
Antinghauseni
A paska pasur aq guxim fshatari,
Me mjet të vet, pa ndihmë të bujarve?
Kur paska kaq besim në vetvete,
Nuk ka nevojë, jo, për forcën tonë;
Shkujdesur mund të zbresim ne në varr,
Duke menduar që fuqi të ra
Do rritin madhërin e njerëzisë.
………………………………………
Antinghauseni
Djal’ njihe mir’ kët’ popull prej barinjsh!
E njoh unë q’e udhëheq n’luftë;
Unë e kam parë qysh luftoi në Favenc.
Po le të vijnë e të na vënë zgjedhë;
Ne s’do ta mbajmë kurrë atë zgjedhë.
– Im nip, mëso të dish prej ç’fisi je!
Mos flak margaritarët e vërtetë
Për hir të një shkëlqimi të gënjeshtërt.
Ji prijës i një populli të lirë,
Që të bën veten fli nga dashuria
Dhe qëndron tok me ty në luft’ e vdekje;
Kjo qoftë bujaria që të mburr.
Forco cilsit’ e trashëguara t’gjakut;
Atdheut besnik shiko t’i rrish më pranë
E ta pushtosh me gjithë zemrën tënde;
Këtu ësht’ e forta rrënjë e forcës sate;
Atje, në vend të huaj, qëndron vetëm,
Si i dobëti kallam q’e thyen shqota…
 
Fragmentet ”E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë…”, ”Atdheut, besnik shiko ti rrish më pranë…”,etj.
FB_IMG_1459172381110Mësuesi i letërsisë  S.Luarasi i dha si temë hartimi në gjimnazin e Shkodrës më 1935, ku shumë nxënësit Qemal Stafa, Vasil Llazari, Arshi Pipa, Xhemal Broja, etj. shkruan hartime të shquara. Kështu bëhej edukimi i rinisë me literaturë përparimtare për të mbrojtur dhe begatuar atdheun sikurse zviceranët.
Share: