Home KRYESORE Një shumicë antiamerikane është e pamundur, por edhe një pakicë është turp

Një shumicë antiamerikane është e pamundur, por edhe një pakicë është turp

Në ditën e Pavarësisë së SHBA, Shqipëria, Kosova dhe kombi shqiptar festojnë aleancën e fortë me këtë vend të madh pishtar të demokracisë dhe zhvillimit në shkallë botërore.

Asnjë shembull tjetër në historinë tonë nuk u afrohet sadopak të mirave që kanë përfituar Shqipëria dhe shqiptarët nga miqësia me SHBA.

Në kontrast me humbjet e mëdha dhe çmimin e lartë të mbijetesës që na është dashur t’u paguajmë pushtimeve, orekseve aneksioniste me mbështetje ruse të fqinjëve sllavë-ortodoksë, realpoltikës cinike të disa fuqive europiane, komunizmit më vonë, dalja e SHBA-ve në skenën e politikës botërore ka qëlluar të jetë vetvetiu fati ynë i kthyer nga e mbara.

Për ketë arsye, në çdo matje të preferencave të tyre për orientimin, shqiptarët zgjedhin në shumicë absolute Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ketë zgjedhje të lirë, pa asnjë mendim provokativ ndaj vendeve mike të Europës perëndimore, janë shkrirë në një të vetme mirënjohja, admirimi, vetëdija e tyre për mikun me të mirë.

Sondazhet kanë treguar ndërkaq ekzistencën në një përqindje shumë të vogël, sa për të trembur syrin e keq, të shqiptarëve antiamerikanë. Do të ishte çudi të mos kishte fare në një vend të bombarduar për gjysmë shekulli nga dogmatizmi totalitar ultramajtist. Ku Rusia ka patur e ka jo vetëm nostalgjikë, por edhe celula agjenturore në shërbim të politikës së destabilizmit dhe minimit të demokracisë sonë të brishtë. Të shtojmë këtu edhe individë që zgjedhin për snobizëm apo se ashtu e mendojnë të mos jenë me vendin më bamirës të atdheut. Asnjë shqetësim sa kohë që ky konglomerat është kaq i vogël në numër.

Por ka ndodhur diçka e re në raport me SHBA nga viti 2017 e këndej. Antiamerikanët në përcaktim, si këta që përshkruam më lart, janë zgjeruar me antiamerikanë “që nuk e dinë” ose bëjnë sikur nuk e dinë se janë të tillë. Së bashku kanë nisur të shprehen në forma denigruese, si asnjëherë tjetër që nga koha e komunizmit, kundër SHBA-ve. Dy janë ngjarjet burimore të këtij shpërthimi taleban në thelbin e vet, pa asnjë lidhje me kriticizmin e shëndoshë apo edhe të hidhur, por të mbështetur në argumente, që përfaqëson një vlerë mbi të cilin vetë SHBA-të mbajnë gjallë korrigjimin ripërtëritës. Është mënyra si e ka përcjellë e paraqitur për ndjekësit e tij Sali Berisha zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe shpalljen e tij non gratta nga SHBA. Në të dyja rastet, duke shkuar përtej denoncimeve konkrete të rasteve të selektivitetit politik në zbatimin e vetingut e tjerë, siç kanë bërë shumë politikanë dhe gazetarë, madje edhe partnerët amerikanë e europianë, apo përtej së drejtës së tij për t’u mbrojtur në rrugë ligjore nga sanksionimi non grata, Berisha u ka prezantuar ndjekësve të tij një SHBA rrumpallë kuPresidenti, Sekretari i Shtetit, Departamenti i Drejtësisë, ai i Thesarit dhe institucionet e tjera që kanë marrë pjesë në hartimin e vendimeve të lartpërmendura të qeverisë amerikane, janë marioneta që i lëvizin inatet e vogla kundër Sali Berishës!

Berisha nuk ka mundur të harmonizojë reklamimin e amerikanizmit real me qëndrimet e tij kundër shpalljes non grata dhe reformës në drejtësi. Të përqafojë reklamimin do të thotë të rrëzojë qëndrimet e tij. Të mbrojë qëndrimet e tij do të thotë t’u kundërvihet institucioneve amerikane. Në këto kushte, për oportunitet, ai është përpjekur t’i përmbahet një amerikanizmi abstrakt që nuk i përfshin institucionet amerikane në fuqi.

Prej këtu nuk ka asnjë të papritur që fansat e tij më të zjarrtë të shfrenojnë fantazinë me fraza dhe epitete të arsenali të Enver Hoxhës kundër SHBA. Duke e pasuruar këtë arsenal me një togfjalësh të ri që nuk e përdorte Enveri. Atë që Amerika është komuniste!

Ka një përpjekje të madhe në vendi tonë për t’i izoluar ngjarjet vendore nga konteksti ndërkombëtar, për ta mbajtur Shqipërinë me kokë në thes. Në thesin e krundeve të saj. Mjerim! Po fatmirësisht ngjarjet dhe fryma e botës nuk na harrojnë. Nuk na kanë harruar kur ishim të izoluar e jo më tani që jemi vend i hapur. Kush mund të mendonte se në agimet e demokracisë shqiptare, në korrik të vitit 1991, shqiptarët do të vërshonin spontanisht, si një masë oqeanike, për të pritur Sekretarin e Shtetit, Baker.

Arsyeja dhe intuita janë busulla e saktë e popullit. Një shumicë antiamerikane në Shqipëri është e pamundur. Por edhe një pakicë nuk na bën nder. Më shumë se kaq, është turp. /Liberale.al/

Share: