Presidenti serb Aleksandar Vuçiç deklaroi gjatë një daljeje publike të hënën, më 18 korrik se autoritetet kroate e kishin refuzuar dy herë kërkesën e tij për të vizituar Jasenovacin, ndërsa akuzoi Zagrebin mbi pretendime “të çmendura të pakuptimta”.
Duke komentuar rastin e refuzimit nga autoritetet kroate për t’i lejuar atij një vizitë “private” në kompleksin memorial kushtuar viktimave të krimeve të Luftës së Dytë Botërore, për shkak se nuk ishte njoftuar zyrtarisht, Vuçiç tha se kishte dërguar kërkesa për vizitë në shtator të vitit 2021 dhe në mars të këtij viti.
“Kemi marrë përgjigje se vizita nuk ishte e mirëpritur për momentin. Unë thashë që nuk më intereson të dëgjoj më ato budallallëqe, se nuk është koha e duhur, dhe se dua vetëm të vendos një lule dhe asgjë më shumë. Dhe pastaj ata krijuan këtë cirk”, tha Vuçiç.
Presidenti i Serbisë tha se kishte ndërmend të shkonte në një vizitë private, “pa mbulim të veçantë mediatik” dhe se nuk do të jepte deklarata që do të nënkuptonin provokim.
“Është për të ardhur keq që në 81 vjet që nga themelimi i një prej kampeve më të tmerrshme naziste të vdekjes në Evropë, asnjë president serb nuk ka qenë në Jasenovac. Unë kam qenë atje në dy raste, por jo si president. Qëllimi është të tregoj respekt për viktimat dhe asgjë më shumë se kaq”, tha Vuçiç.
Autoritetet kroate njoftuan se vizita nuk ishte paralajmëruar dhe se mungonte procedura e detyrueshme që vlen për vizitat e zyrtarëve të lartë.
Beogradi u përgjigj duke e dënuar vendimin dhe duke bërë të ditur se do të zbatonte një regjim të veçantë kontrolli për të gjithë zyrtarët kroatë që duan të vizitojnë Serbinë.
Vuçiç kritikoi mediat në Kroaci dhe iu rikthye vazhdimisht deklaratës së ministrit të jashtëm kroat, Goran Grliq Radman, i cili tha se vizita në Jasenovac nuk ishte një udhëtim në det dhe se ishte vizitë e një presidenti të një vendi, ku është e nevojshme të respektoheshin procedurat.
“Nuk po shkoj në det, dua të shkoj në Jasenovac”, përsëriti disa herë Vuçiç duke shtuar se shumë qytetarë shkojnë në det në Kroaci dhe mburren me këtë fakt, por se “ky nuk ishte rasti i tij”, dhe se sidomos ai nuk do të shkonte në Dubrovnik apo në Rovinj.
Ai shtoi se Serbia dëshiron gjithmonë të ketë “komunikim të civilizuar” me Kroacinë, por se pas kësaj ngjarjeje “e kuptuam se Jasenovaci është një vend i ndaluar”.
“Ne do të punojmë që të mos jetë një vend i ndaluar në mendjet e fëmijëve serbë”, tha Vuçiç dhe paralajmëroi “ndryshime të mëdha, sistematike në sistemin arsimor serb” dhe se do të investohej gjithnjë e më shumë në shfaqje, filma të rinj, seriale dhe libra mbi Jasenovacin.
Shkëmbimi i shënimeve diplomatike
Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Gërliq Radman, përmes një konference për media, sqaroi më 17 korrik se autoritetet kroate ishin informuar përmes kanaleve jo-zyrtare që Vuçiç po planifikonte të vizitonte Jasenovacin dhe Pakracin dhe deklaroi se i kishte dorëzuar një notë proteste Serbisë.
“Ua rikujtuam se në rastin e çdo vizite të zyrtarëve të huaj, koha, vendi dhe plani i vizitës paraprakisht duhet të pajtohet mes dy palëve. Kroacia nuk është informuar, kjo është e papranueshme për Kroacinë”, tha ai.
Pas mosmarrëveshjes, ministri i jashtëm serb, Nikola Selakoviq deklaroi se Beogradi i dërgoi një kërkesë Zagrebit ku shprehte gatishmërinë e Vuçiçit për të vizituar zyrtarisht Jasenovacin.
“Meqenëse ata kundërshtuan procedurën tonë dhe po përpiqen të kundërshtojnë ndershmërinë tonë, ja ku po njoftojmë se presidenti dëshiron të vijë dhe se vizita do të shoqërohet me gjithçka nevojitet në një vizitë zyrtare të një presidenti të shtetit”, tha Selakoviq në “Pink TV” më 18 korrik.
Sipas tij, Serbia po paraqet kërkesë zyrtare që Vuçiçi të vizitojë Jasenovacin më 17 shtator.
Nga Zagrebi ende nuk ka konfirmime zyrtare nëse ka mbërritur kërkesa për vizitën e presidentit serb
Jasenovaci, një pikë përplasjeje mes Kroacisë dhe Serbisë
Në kampin e Jasenovacit, në territorin e Shtetit të atëhershëm të Pavarur të Kroacisë (NDH), gjatë Luftës së Dytë Botërore, janë kryer krime në shkallë të gjerë kundër serbëve, hebrenjve dhe romëve.
Numri i viktimave në Jasenovac, është objekt mosmarrëveshjeje mes historiografisë zyrtare të Serbisë dhe Kroacisë, si dhe akuzat nga njëra anë dhe nga tjetra për ekzagjerim ose minimizim të numrit të personave të vrarë.
Beogradi dhe Zagrebi kanë gjithashtu çështje të pazgjidhura, tridhjetë vjet pas luftës në ish-Jugosllavi – si gjetja e eshtrave të të zhdukurve dhe ndjekja penale e krimeve të luftës, ndërsa të dy vendet gjithashtu përplasen mbi caktimin e kufirit në lumin Danub.