Gjakovë, 28 Gusht 1942 – Lodève, 21 korrik 2012
Koha është të duhemi
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më tha: Trim.
Por kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shum’e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
njëmijë e një të zeza kurdise ku do ma zije pritën.
E nën kulm banonim,
nga frëngjia me dritë me peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë kët ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni e tash përgjithmonë.
Me shikon drejt në sy, leri zenkat, fjalët, sharjet,
Unë do të ta sjell Lulen nga zemra e Bjeshkës,
do ta ndez llambën ne Kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoja dashuri me një grua të marrë,
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime,
s’menduam pak edhe për vete,
Koha është të duhemi.