Nga Enkel Demi
Autorja nuk është një njeri që të shfaqet kudo apo të flaës për veten, madje sipas meje ka një qëndrim të tërhequr, i cili keqkuptohet në Shqipëri, madje mund të merret për dobësi.
Pas “Magazina e komunizmit shqiptar”, “Bukë e krypë e zemër” është një tjetër e papritur shumë e këndshme që të pret nga kjo shkrimtare dhe studiuese e arrirë.
Shumëkush mund ta marrë librin “Bukë e krypë e zemër” si një përmbledhje me receta kuzhine të qytetarisë shkodrane, por unë e lexova me ëndje, pasi stili i të shkruarit, shpjegimet, ndodhitë janë rrëfyer kaq këndshëm sa e ke shumë të lehtë të kalosh nga sallata me ullinj të zinj tek përgatitja e tespixhes.
Disa prej recetave janë botuar më parë prej Ernest Koliqit në periodiken “Shejzat” dhe janë shkruar prej një murgeshe. Këto receta Elektra Haxhia i ka shkundur prej pluhurit të kohrave të shkuara, por edhe duke ia freskuar shkodranishten e përshkrimit.
Po kështu, shumëllojshmëria e recetave është një pasuri më vete, tek sheh dallimet mes mënyrës si e gatuajnë të njëjtën gjellë myslimanët dhe katolikët e Shkodrës.
Ndryshe nga sa do të bënin shefat e kuzhinës që do hidhnin foto të bukura për gatimet e tyre, shkrimtarja na përshkruan periudhën kohore, zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore të qytetit, zakonet etij, për të mbërritur tek recetat e gatimit.