Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres ka kërkuar që inspektorëve ndërkombëtarë t’u jepet akses në centralin bërthamor të Zaporizhzhia pasi Ukraina dhe Rusia shkëmbyen akuza për bombardimet që dëmtuan pjesë të kompleksit në fundjavë.
“Ne mbështesim plotësisht IAEA (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike) në të gjitha përpjekjet e tyre në lidhje me krijimin e kushteve të stabilizimit të centralit,” tha Guterres në një konferencë shtypi në Tokio, dy ditë pasi ai vizitoi Hiroshimën për të përkujtuar viktimat nga Bombardimi atomik i vitit 1945.
Shefi i IAEA, Rafael Mariano Grossi të shtunën kishte paralajmëruar se sulmi i fundit nënvizon rrezikun real të një fatkeqësie bërthamore.
Guterres gjithashtu u bëri thirrje vendeve me armë bërthamore që t’i përmbahen angazhimit të tyre për mospërdorimin e parë të arsenalit të tyre bërthamor, duke paralajmëruar se gara e armëve bërthamore është rikthyer mes tensioneve në rritje ndërkombëtare./Opinion.al