Home KRYESORE Fijet që priten! Nga Arsela Gjonaj

Fijet që priten! Nga Arsela Gjonaj

Ajo cfarë kam lexuar ditët e fundit nëpër portalet tona ka qënë shkarkimi nga detyra i djalit të Robert Shvarcit.

Gjëja e parë e cila bie në sy është mëshimi i faktit se personi në fjalë është i biri i dikujt dhe në rastin konkret i biri i një përkthyesi të shkëlqyer letrar.

E përse u dashka të pyesim ende « i biri / e bija e kujt je »? Këto etiketime tribale mesjetare nuk sjellin kurrgjë tjetër veçse pabarazi, përçarje dhe urrejtje. Probleme të gjitha këto që ne si popull i mbartim prej dekadash nga një regjim në tjetrin.

Sigurisht, nuk jam këtu të vendos mbi aftësitë e zotit Shvarc, për të cilat jam e bindur që janë shumë të spikatura. Por nga ana tjetër nuk jam këtu as ta marr në mbrojtje. Fundja , siç po del, ai është i biri i dikujt dhe me miq shumë të fuqishëm në fushën e medias. Jam e bindur që rasti i tij do të zgjidhet shumë shpejt. Jam po aq e bindur, se ai, njësoj si çdo intelektual, mendon se vlerat e secilit përcaktohen nga puna dhe aftësitë individuale dhe jo nga mbiemri që mbart.

Ajo që personalisht më shqetëson dhe duhet të na shqetësojë të gjithëve është se cfarë bëhet me ata “të padukshmit”, të paprivilegjuarit , ata, të cilët, në thjeshtësinë e tyre studiojnë, punojnë edhe hasin po të njëjtat padrejtësi ?!

Çfarë bëhet me ata që mbarojnë shkollat në Shqipëri edhe duan të gjejnë një vend punë? Çfarë bëhet me ata që mbarojnë studimet jashtë edhe kthehen në Shqipëri?

Çfarë bëhet me ata që dërgohen me shërbime shtetërore jashtë edhe pasi i kanë shërbyer në mënyrë shembullore, në momentin e mbarimit të mandatit e gjejnë veten të papunë nga shteti shqiptar?

A e dëgjon kush zërin e tyre? A u del njeri në mbrojtje?

Këto janë pyetjet që duhet të ngrihen duke marrë shkas nga rasti i zotit Shvarc dhe jo turpi pse u pushua nga puna, qoftë edhe për mos-njehsim të diplomës amerikane një nëpunës i vlefshëm i administratës shtetërore.

Se për hir të së vërtetës, zoti Edvin Shvarc nuk është as i vetmi dhe as i fundit intelektual që i shërben shtetit shqiptar.

E pra, këtu, më tepër sesa për rastin konkret, duhet të ngrejmë zërin masivisht për fenomenin e diskriminimit dhe atë të pabarazisë.

Duhet të reagojmë fort masivisht që ende nuk ka konkurse të rregullta edhe të pamanipuluara ku të rekrutohen kandidatët më të mirë sipas kërkesave.

Duhet të ngrejmë masivisht zërin që ndihemi të braktisur nga vendi ynë nëse vendosim të kthehemi në Shqipëri sepse jemi të tmerruar nga ideja se cilin duhet të tërheqim për mënge , apo kujt duhet t’i kërkojmë favor, në rastin më të mirë, në këmbim të rryshfeteve.

Këtu jam duke folur në emër të të gjithë atyre të cilët kanë një Cv të krijuar me punë, mund e arritje personale por që nuk e kanë as shansin të tregojnë që egzistojnë edhe mund të vihen në shërbim të vendit.

Kjo sepse ende sot nuk ka një sistem konkurimi trasparent ku të mbizotërojë meritokracia. Ende sot në Shqipërinë pseudo-europiane jetohet e punohet nën hijen e fijeve të së shkuarës.

Share: