Home Gjeo-Ekonomia Ka vdekur Gorbaçovi, personalitet paradoksal, i projektuar në pamje të dyzuar.

Ka vdekur Gorbaçovi, personalitet paradoksal, i projektuar në pamje të dyzuar.

Nga Çapajev Gjokutaj

Perëndimi e shihte si luan, rusët si të pabesë, thotë CNN. Kurse The Guardian shtjellon: Jashtë vendit, shihej si heroi i luftës së ftohtë, veprimet dhe mosveprimet e të cilit sollën një botë më të lirë; në Rusi shfaqej i zhvleftësuar, personalitet i dobët në rastin më të mirë, tradhtar në rastin më të keq. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik preku rëndë krenarinë kombëtare te rusëve por edhe u pasua nga një rënie drastike e nivelit të tyre të jetesës.

Vdekja e Gorbaçovit, thoshte dje një gazetar rus, merr një peshë simbolike, bashkë me të ka vdekur edhe periudha e paqes relative në Evropë dhe po fillon një luftë e re e ftohtë.

Këto ditë Gorbaçovi do t’u bashkohet nën dhé Reganit, Theçerit, Helmut Kolit, Miteranit e personalitesh të tjera të asaj epoke që ngjalli shpresa të mëdha, por që pas gjasash po e përcjellim në varrezën e iluzioneve.

Ikjen e tij e përfytyroj të shoqëruar në sfond nga kënga e Skorpionsve ‘Wind of change’, sfond ironik që na kujton edhe një herë se paqja dhe ëndrrat janë të përkohëshme, kurse krizat, përgjakjet, vuajtjet dhe mëma e tyre: luftrat për supremaci, mbeten të përherëshme.

Vetëm se ndryshojnë pamje: herë të ftohta, herë të nxehta, kurse herë herë fshihen nën dhé, si ata lumenjtë e shkretëtirës, për të dalë prap në sipërfaqe pas tri dekadash…

Share: