Home KRYESORE ALEGORIA E FLUTURA AÇKËS NË NJË ROMAN

ALEGORIA E FLUTURA AÇKËS NË NJË ROMAN

Shënim i Flutura Açka

Një falenderim të thellë për kolegun Miho Gjini, për kohën e keximit, kujdesin e shkrimit dhe dashamirësinë njerëzore që e shquan si qenie e si shkrimtar!

Pse shqiptarëve në Ferrin e tyre iu duhet edhe një Rreth i Dhjetë për politikanët e tyre? Gati 100 vite shtet shtrihen në këtë roman mbi identitetin, emigrimin, korruptimin politik, genocidin komunist dhe tranzicionin e lodhshëm dhe shqiptarin që e ruan thelbin e vet të fortë e të pastër kudo që ta hedhë fati. Një histori si tribut për mijëra shqiptarë që e bartun Atdheun me ikjen e tyre në tridhjetë vitet e fundit, për dashurinë e pavdekshme dhe mungesën.

“Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, roman, 2017

Nga Miho Gjini

Kisha tri vite që e mbaja mënjan romanin e Flutura Açkës “TË FTUAR NË RRETHIN E DHJETË”, që nga maji i 2019-ës, gjatë ditëve të poezisë në Gjakovë, tek e takoja për herë të parë e po i flisja për një roman të saj “jashtë kornize”dhe i thoshnja të na vinte nga Hollanda edhe në Athinë, për një promovim letrar. Ashtu, si bëjmë përherë, kur librat që na dhurohen i mënjanojmë paksa e rendim në leximet tona, pas blerjeve e jehonave të tyre! Po,kishte edhe një “por tjetër”: fati i saj tragjik, me humbjen e të birit Jerin van den Brink! Kur stepja e njeriut,sikur e ndalon krejtë jetën e të kujton rrathët e ferrit…

Edhe i gjithi ky roman që kam përpara syve e shpirtit tim të trishtuar, si një alegori, po aty vërtitet, nëpër rrathët Dantesk të Ferrit…Jo në të nëndët që përmban “Komedia Hyjnore” e gjeniut poet si një alegori e mesjetës, po në të “dhjetin” që ajo e sajon për personazhet e sotshëm që mbartin, prej të “nëntë rrathëve” Dantesk, diçka nga karakteret e tyre të pandreqshëm, që gjeniu i mesjetës i klasifikon e i stigmatizon, për t’i vendosur përjetësisht nëpër “rrathët” e tij strikt, me numëra që rriten nga treshi, gjithëheri me tre…Kur s’ka aspak “një komedi”, po rrjedha trondtëse e tragjike të jetës, sipas kollosëve të Antikitetit Grek që i quanin “komedi” gjithë veprat e tyre gjëmëmadhe!

Dante Aligheri i referohet kësaj alegorie për njeriun traumatik e me vese të rënda në karakter, për të pandreqshmit, i cili i “strehon” në të nëntë rrathët e tij. (“O ju të arsyeshm,shihni vetë/Dhe le të kuptojnë të gjithë/Fshehur nën vargje të çuditshme…”).

Flutura Açka, edhe pse fort e lënduar nga jeta, e mbingarkuar me mundime të përhershme shpirtërore, me vuajtje, drama e aspekte tragjike, asnjëherë e lumtur,-sikundër e shohë edhe unë nëpër ato rreshta që hedhë në letra, i referohet kësaj strukture simbolike e alegorike, në shprehjen e realitetit të sotshëm. Sidomos , pas “ikjes biblike”, kur u hapën “Portat e Lirisë” dhe u pranua më mirë vdekja nëpër sinore e dete, se sa qëndrimi asfiksues në “rrathët e ferrit”tonë të tmerrshëm! Edhe pse do të ketë edhe “Rrethin e dhjetë” shprehet ajo në romanin e saj: “Rrethin që Dante nuk e kishte menduar kurrë, shtatë shekuj më pas…

Sepse ka njerëz që nuk i nxe asnjë rreth i tij, që nuk i nxe asnjë pisëhanë, që kanë aq shumë mëkate e faje bashkë, që kanë tashmë një kompleks të tillë fajesh, të paparashikuara nga Dante”. Nje realitet tjetër, qo ngërthen të gjithë jetën e trazuar, me dashuri e ndarje, me ikje e kthime, me drama e tragjedira bashkë, me ato skena makabre vrasjesh pa gjyq në sigurimin e një pushteti pa kufizim diktatorial, si edhe me po ato të papritura befasuese që sjellë liria dhe zbulohen e fshikullojnë fytyrat e të pafajshmëve.

Si edhe një ngjashmëri tronditësa pa cak nga asgjëja, paskëtaj, diku gjetkë. Dhe me”aktin e fundit” të zhgënjimit kur do ta vërejë ”Ferrin” e Dantes, jo më si “komedi hyjnore”, po si një realitet rrëqethës që vazhdon e vazhdon pa reshtur…E pikërisht këtu do të ndalet edhe Flutura Açka, e mbingarkuar mbi shpinën e saj të brishtë me tmerret e së kaluarës.Ndërkohe që mërgimi mbyllë e hapë plagë të reja, teksa në Atdheun e tyre e ndjenin veten të huaj e në Atdheun e huaj mbeteshin shqiptarë!

Jo rastësisht i shpie autoria tre personzhet e saj, nga Shqipëria në Firence të Italisë së Dantes. Që të jenë sa më pranë personazheve të tij të “Rrathëve të Ferrit,të Purgatorit e të Parajsës”.

Ata: Gjeneza Kurti, Majla Kroi dhe Gent Bahiti, që vijnë këtu, pas atyre peripecive të mëdha të ikjes nga vëndi i tyre i mundimeve e pa liri, për të realizuar ëndrrat e tyre. Edhe pse u ka “perënduar” thuajse në asgjë më tepër se gjysma e jetës e gjysma tjetër është një endje nëpër Europë në gjetje të vetvetes, duke e ditur se “një e treta e emigrantëve marrin antidepresivë”,-nënvizon autoria nëpërmjet Gjenezës.

Ata janë njerëz kompleks, me të mirat e të këqiat e tyre, me shpirtin të rënduar, po edhe me mëkatet që u dha vetë koha “Bardhë e Zi” e diktaturës dhe që zbulohen si të tillë përmes një rruge të re shpirtërore, në konturet e një shteti të ri për ta e të hershëm për njerëzimin,-sikundër është Italia, ku ka lulëzuar arti, letërsia, arkitektura, filozofia e shkenca. Por që ka egzistuar edhe një DANTE ALIGHERI, poet i madhërishm, që shkroi për “Ferrin, Purgatorin e Parajsën”, nga ka kaluar e do të kalojë njerëzimi…Ndërkohë që jeta është e vdekshme! Dhe e vërteta më dhëmb, e vërteta më torturon, e vërteta më lëndon,-si në atë këngën”La verita mi fa male”…

Duke e vendosur “shtratin e romanit” në dy kohë, që duken si “diametralisht të kundërta”, shkrimtarja vërren edhe fije të njëjta që mpleksen e ngatërrohen me njëra tjetrën, njolla,ngjarje e fenomene, që nuk kan mundur të shkulen me rrënjë, të shuhen apo të fshihen tek njerëzit e të dyja epokave. Me personazhe kompleks, real e ireal, që kanë po atë frrymëmarje si i ati i Gentit, më tipiku i kameleonëve të dy sistemeve të politikës, që dinë të rrëshqasin me lehtësi e të jenë gjithmonë “mbi ujë”, pa u lagur aspak dhe pa u përfshirë në asnjë “rreth të ferrit Dantesk”. Për të mbetur mizor e të paprekshëm!Po edhe me gra që “e dredhin” kurdoherë, si këtu e si atje ku kanë vajtur e që thonë se “e qira është e njëllojtë”! Pa hyrë në shtjellën e hollësi të këtij romani, kushdo qe e lexon me kujdes, do të vër re edhe faqë të tërra vuajtjesh e mundimesh, ëndërra të vrara. Qofshin edhe kuturisje e aventura…Në një jetë që rrjedhë megjithatë…

Po edhe me ato fenomene që Dantia i ka parë, i ka ndjerë e i ka hedhur në veprën e tij,sikundër janë: grrykësia e babëzia, vetëvrasja e vrasja, tirania, hipokrizia, dembelizmi, përdhunimi, tradhëtia e të tjera si këto, që e bëjnë jetën, jo vetëm të padurueshme, por dhe që trashëgohen nga një rend shoqëror në tjetrin. Dhe kur,-thotë Dantja, “ferri po tërbohet nga pasionet politike” e kur duhet kërkuar përherë një dritë, si edhe një “rrugë shpëtimi”. Për të “mos thyer vertebrat” nëpër kohë,-sikundër e thekson ankthshëm autoria Açka..Vallë do të vdesim me ketë të shkuar të frikshme?,-pyet ajo në dhjetra faqe libri, tek personazhet e “Rrethit të dhjetë” të vazhdojnë të na diktojnë fatin e të na japin leksione për lirinë?!

Romani është shkruar me pasionet e ndjera e tronditëse të një rëfimtari, nganjëherë “pa marrë frrymë” gjer në dy faqe, ku nuk humbet as llogjika e as emocioni. Ku dialogu është më i kursyer. Por me panorama që hapen gjërësisht, me imazhe jete lëvizëse. Në sfonde të ngushta e të gjëra të lirisë së personit, me personazhe të tjerë që tjetërsohen gjetkë, me valëzime jete e pasionesh, besnike e vetvetes dhe e kohës që është krijuar rishtaz, pa e humbur busullën orjentuese. Po edhe me “lëshime të vetes” hera herës.Paksa proliks e lodhës në stilin rrëfimtar, aty-këtu gërshetuar stili edhe me publiçistikën, po edhe me ca përsëritje e “ecejake” që kthehen e rrikthehen pambarimisht , po aty, ku bëhet e pranishme edhe monotonia. Gjithsesi, në këtë paralelizm e simbolikë të një tjetër kohe, vjen tek lexuesit edhe ky roman i Flutura

Açkës,shkrimtare, poete, publiçiste e botuese njëherësh, një autore e kompletuar dhe e botuar goxha, jo vetëm në Shqipëri, po edhe në Hollandë, ku ka banuar shumë vite AJO, në këtë tranzicion të gjatë, që të rebelon jo pak, nga të pandreqshmit e kësaj “Komedie Hyjnore” të mbetur që nga mesjeta e hershme…

“Ashtu edhe ne të tre,-shprehet shkrimtaria Açka,-edhe mijëra shqiptarë që e kanë tani të shënuar në jetëshkrimin e tyre të jenë të huajt e shtëpisë sonë, dhe njëherësh, të huajt e shtëpisë së huaj, jemi tani si ai penduli që edhe nga larg, ia ndjejmë çdo frymëz dhe çdo lëvizje që i ndodh gjoksit të Atdheut tonë…”

Piqeras, në verën e nxehtë të 2022-it

Share: