Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Po mbyllin shkollën e “Mehmet Akif Ersoy” poetit të madh turk me...

Po mbyllin shkollën e “Mehmet Akif Ersoy” poetit të madh turk me origjinë shqiptare, që ka shkruar hymnin e Turqisë moderne!

Nga Darien Levani

Është një shkollë private në Shqipëri, quhet “Mehmet Akif Ersoy” si poeti i madh turk me origjinë shqiptare, që mes të tjerash ka shkruar hymnin e Turqisë moderne.

Kjo shkollë ka nja tridhjet vite aktivitet në Shqipëri, e ka nxjerrë breza të tërë studentësh: faktet kanë treguar që këta studentë kanë dalë të përgatitur nga ajo shkollë. Një pjesë e mirë e tyre sot janë profesora, inxhenierë, nënpunës, avokat. Mes tyre edhe unë, por ky është muhabet tjetër! Është një shkollë – dhe kjo është pika më e rëndësishme, që na intereson – që ka krijuar një brez të ndërgjegjshëm. Për Shqipërinë është gati një École normal që formon në radhë të parë qytetarë të mirë dhe në radhë të dytë qytetarë të nevojshëm.

Jam nga ata që e kanë frekuentuar kolegjin edhe në vitin 1997: në atë kohë shkolla gjendej në një godinë brenda shkollës ushtarake Skenderbej në Tiranë. Pozicioni ishte shumë i rrezikshëm: akademia ushtarake, në sajë të armëve që kishte, që nga të parat pika që u sulmuan dhe u braktisën. Pas pak javësh mbyllje të shkollës (mars-prill me sa mbaj mend, por ndonjë mik le të më korigjojë nëse e mban mend më mirë) shkolla ri-filloi normalisht. Në maj a qershor bënim mësim e provime, ndërsa qindra metra larg nesh pushkët kumbonin: gjatë pushimit të gjatë mblidhnim gëzhoja apo kalonim murin, futeshim te Akademia dhe shikonim nga afër tanqet e braktisura. Si fëmijë që ishim donim të bënim edhe ndopak pushim e ankoheshim për kallashet që dukeshin sikur i kishim aty mes nesh (Extremely Loud & Incredibly Close). Në atë moment një profesor na shpjegoi që duhet të vazhdonim, që çdo gjë ishte normale. Pastaj tha duke ngritur supet “Secili luftonte me armët që ka në dispozicion, arma jonë është të vazhdojmë mësimin”. Më duket se është leksioni më i madh, në mos i vetmi, që kam marrë në jetë.

Me vendim të Ministrit të Arsimit zonjës Evis Kushi kjo shkollë do mbyllet. Arsyeja e mbylljes është kjo: “Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pamiratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës.” Domethënë: Ministria nuk ka bërë çertifikimin ligjor të godinës ku jepet mësimi, dhe ka frikë se kjo godinë mund të jetë e papërshtatshe për të mirëpritur nxënësit. Një problem i madh, natyrisht, një problem që duhet zgjidhur sa më shpejt, por një problem burokratik dhe administrativ, asgjë më shumë.

Dyshimi i fortë (por gjithmonë dyshim është, duhet ta kujtojmë mirë këtë) është se zonja Ministër ka urdhëruar mbylljen e kësaj shkollë për arsye ekuilibrash politike me qeverinë turke, meqë Presidenti aktual turk ka disa hesape të të hapura me themelusin e saj. Unë nuk besoj qe kjo të jetë arsyeja e vërtetë e mbylljes: nuk e besoj sepse nuk funksionojnë kështu raportet politike, dhe sepse nuk besoj se ne qeverisemi nga persona kaq të pandërgjegjshëm. Por nuk mund të besoj, nga ana tjetër, që mbyllet se mungojnë ca verifikime: se kjo është tamam të djegësh jorganin për një plesht, dhe këtë e bëjnë vetëm budallenjtë. Përsëris: këtë e bëjnë vetëm budallenjtë. Edhe njëherë: këtë e bëjnë vetëm budallenjtë. E fundit: këtë e bëjnë vetëm budallenjtë.

Shpresoj që Qeveria shqiptare të tërhiqet nga ky vendim. Jo se duhet të tregohet më e butë me kolegjin se sa me shkolla të tjera sepse është më e mirë a sepse kam shkuar unë a filani a fisteku a ku e du unë.

Por sepse, nëse mbyllet kjo shkollë, nesër do jetojmë në një Shqipëri pak më të keqe se ajo ku jetojmë sot.

anullombylljeneMehmetAkif

Kolegji “Mehmet Akif” vajza Official

Share: