Deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i mandatuar nga grupimi Alibeaj ka treguar pse dështuan negociatat për bashkimin e PD dhe për të dalë me kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë një interviste në “ABC”, Bardhi shprehet se grupimi që ai përfaqësonet kërkoi bashkëpunim, po pala tjetër e PD, që përfaqësohej nga Edi Paloka vendosi kushte.
Sipas tij, PD e drejtuar nga Berisha ka vënë si kusht njohjen e statutit të 11 dhjetorit dhe se brenda statutit të tyre të krijoheshin hapësirat e nevojshme apo të mundshme për bashkëpunim.
Bardhi theksoi se propozimi i tij ishte një platformë e mesme që akomodonte brenda saj sensibilitet që kanë të dyja grupimet.
Bardhi thotë se për sondazhe, kolegët e tyre u shprehën se nuk kanë para. Dhe pika tjetër ku palët nuk kanë rënë dakord është organizimi i përbashkët i primareve.
Megjithatë, ai shprehet se qëllimi i negociatave nuk ishte që dy palët e PD-së të zgjidhnin çështjet që po i ndajnë prej një viti, por që të gjenin gjuhën e përbashkët për zgjedhjet lokale.
“Pjesa e Grupit Parlamentar që unë përfaqësoj shtriu dorën e bashkëpunimit për të mirën e demokratëve, por pala tjetër nuk ishte e hapur për të gjetur një zgjidhje ngërçeve sa i përket zgjedhjeve lokale”,-tha Bardhi.
Kush i drejton primaret?
I kam dorëzuar me shkrim propozimet e mia. Pika tre i pranon primaret, votën dhe njeh një proces të ndjekur në mënyrë konsensuale. Ata thonë të njohësh procesin tim, që e drejtoj unë, me rregulla që i caktoj unë…”
Por ku ngecën bisedimet?
“Nuk kisha hyrë në bisedime për të bërë pazare. Primaret janë pranuar, ajo që kemi shtuar ka të bëjë me balancimin e opinionit të anëtarëve të partisë dhe vrojtimit të opinionit publik. Argumenti ishte qesharak, nuk kemi para për të bërë sondazhe…Nuk ramë dakord edhe për këshillin drejtues. Na thanë që do të kishim të drejtë të merrnim pjesë të marrim në primare. Për këtë nuk kishim nevojë për leje. Duhej të kishim përfaqësues në komisionet që ngriheshin. Të na akomodonin brenda statutit të tyre. Praktikisht kërkonin të njihnim statutin e tyre.”
I pyetur nëse ka ende ndonjë mundësi që PD të shkojë e bashkuar në këto zgjedhje, Gazment Bardhi tha se ajo pjesë e të djathtëve që ai përfaqëson do të jetë e hapur për bisedime. Por, edhe nëse gjërat nuk ecin si duhet, “PD mund të sigurojë kandidatë jo vetëm për 61 por edhe 610 bashki nëse do të jetë e nevojshme,” shtoi Bardhi.