Home KRYESORE Ben Blushi: Ja pse pyetja e referendumit i delegohet LSI-së

Ben Blushi: Ja pse pyetja e referendumit i delegohet LSI-së

Tre ditë përpara referendumit të 9 prillit për kreun e PS, deputeti Ben Blushi vjen në një intervistë për emisionin “Tonight Ilva Tare”.

Të shtunën referendumi, 81 500 anëtare që do të votojnë. Ju për pyetjen si mendoni?

Sigurisht që jo, kam pasur rastin të shpreh për gati dy muajt e fundit, që PS duhet të mbante zgjedhjet për kreun e PS. Çka i jep arsyen që është i trukuar, që ky mandat është i grabitur. Shqipëria është unike sepse nuk ka asnjë parti që kryetari të ketë një mandat 7-vjeçar. Ai thotë tani nuk do bëj zgjedhje, por do bëj referendum. Referendumi dhe zgjedhjet janë të ndryshme, në referendum votohet për çështje, kurse zgjedhjet bëhen për njeri. Është një rast unik që e bën Ramën qesharak. Në vitin 2003 në kemi qenë në pushtet dhe kemi pasur një kryeministër. Edi Rama në atë kohë e mori teserën 2 javë para kongresit dhe kërkoi të ishte kandidat duke shkelur rregullat. Ne kemi pas një rregull në 2003, që të jesh kandidat për kryetar partie duhet të kesh të paktën 40 firma, pra 10% të kongresit të PS, nuk i mori 40 firma, por mori vetëm firmën time. Megjithatë e lanë të futej në garë. Pra PS i dha mundësi të futej në garë, por nuk i tha që meqë unë jam kryeministër ti nuk ke të drejtë të futesh në garë.

Pse mendoni që ata janë trembur prandaj kanë dhënë këtë shifër, sepse mbështetësit tuaj do ta bojkotojnë?

Unë kam thënë që unë nuk votoj, sepse nuk mund të legjitimoj një shkelje.

Ndërsa ata thonë që ju nuk merrni pjesë madje as vëzhgues nuk mund të kishit sepse vetëm nga 4 deputetë jeni të mbështetur..

Po ju ku e dini këtë, që janë 4 deputetë?

Kaq janë publikisht tani.

Shumica përcaktohet me votim. Nëse Rama me shokët rilindas është për PO, ka dy kuti një Po dhe një Jo, Rama është për po, sigurisht ka edhe njerëz për jo. Unë jam për jo dhe jam kundër referendumit dhe kam arsye. Pra ka dy palë. Unë kam kërkuar vëzhgues dhe nuk më është dhënë e drejta. Kam kërkuar të ketë fushatë, fushata është ndaluar. Kam kërkuar të ketë numërues. Kush do t’i numërojë, Rama?

Partia Socialiste

Ka vetëm një palë që ka palën, ka listat, ka votuesit ka numëruesit dhe në fund nxjerrin rezultatin e shkruar në tavolinë.

Pra ata që do votojnë të shtunën janë sipas jush, njerëz ku keni dyshime?

Unë nuk kam dyshime tek ata, por kam dyshime tek ata që po bëjnë referendum.

Votën do ta hedhin socialistët.

Vota e tyre nuk do të votohet, ky është parim stalinist. Pra nuk ka rëndësi kush voton, por kush numëron. Vota e tyre nuk do të numërohet.

Se mund të bëhet numërimi i hapur dhe pastaj…

Po këtu nuk u bë një votim në kongres, unë kërkova votim të mbyllur dhe ju mendoni se do bëhet në 80 mijë votim publik?! Janë rreth 400 kuti, kjo nuk është thënë, kam dy javë dhe nuk është thënë.

Do të jeni në qendra votimi?

Unë nuk kam pse të jem në qendra votimi sepse kjo është një gjë e trukuar. Unë nuk mund të legalizoj një shkelje. Ne kemi shumë pak eksperienca referendare. Është bërë për Kushtetutën, por ishte një çështje. Kushtetuta e vitit 1998 u hodh në referendum, por nuk ishte një njeri, por një çështje që populli ta pranojë ose jo. Në këtë rast për çfarë e hedhim referendumin?

Për çështje pra, nëse kryetarit i verifikohet apo jo automatikisht mandati..

Po kjo është qesharake.

Nuk po flasim për Edi Ramën, por për kryetarin e PS…Nëse partia është në pushtet dhe kryetari është kryeministër, a konsiderohet i rinovuar automatikisht mandati?

Nëse nesër ka parlament, ne jemi në koalicion, ne nuk jemi një parti autonome në kuptimin parlamentar të fjalës, pra nuk kemi 71 mandate, por kemi 62-63, pjesën e mbetur të mandateve i ka një parti tjetër. Sot është e mërkurë, nesër është e enjte, nëse LSI del nga koalicioni siç ndodhi, sepse ka ndodhur. A doli LSI nga koalicioni me Berishën në 2013, 3 muaj para zgjedhjeve? E zëmë se LSI del prapë nga koalicioni, ky kryeministër rrëzohet në Parlament sepse nuk i ka numrat për të qeverisur. A mund t’ju pyes kush është kreu i PS në ato momente?

Sipas jush kush do jetë?

Nuk e di, prandaj them që kjo është një pyetje idiote, sepse i jep kryeministrit mandatin e kreut të PS, çka nuk mund ta ketë.

Kjo që po thoni është hipotetike

20 deputetet e LSI që mbajnë qeverinë në fuqi dhe kanë të drejtë të zgjedhin kryeministrin, nëse këta tërhiqen votat e 81 mijë anëtarëve rrëzohen. Sipas pyetjes nëse kryeministri rrëzohet, kush është kreu i PS.

Pse kjo pyetje është absurde? Sepse i heq mundësinë e zgjedhjes së kryetarit të vet. Nuk ka asnjë organizatë në botë që i heq të drejtën vetës për të zgjedhur atë që e drejton dhe ja delegon në rastin tonë LSI. Kjo është e zeza mbi të bardhë.

Socialistët mund të votojnë të shtunën por duhet të dinë që këtë të drejtë nuk e kanë marrë vetë, pra nuk kanë zgjedhur dot kryetarin e partisë së tyre, por ja kanë deleguar Ilir Metës. Pra ja kanë dhënë të drejtën Ilir Metës për të zgjedhur kreun e PS.

Kongresi e votoi statutin e ri të Partisë. A nuk i rrëzon statuti i ri të gjitha pretendimet tuaja? U miratua me shumicë votash.

Përkundrazi! Statuti që ta kuptoni është si një ligj. Në Parlamentin e Shqipërisë me sa kam unë eksperiencë, nuk ka asnjë ligj që mund të miratohet në parim. Edhe ky ligj është një normë. Ky statut nuk u votua nen për nen. Nëse shkojmë nesër në Parlament dhe miratojmë një ligj në parim, ai nuk ka hyrë në fuqi. Kushtetuta e Shqipërisë nuk e lejon për shkak se deputetët mund të bien dakord për parimin e ligjit, por mund të mos bien dakord për nene të tij. Ky ishte i vetmi votim që u bë aty. Statuti votohet në mënyrë të fshehtë. Dhe vetëm atëherë kuptohet mbështetja për të shmangur një absurditet që sapo ndodhi. E dyta çka e bën Edi Ramën totalisht qesharak, është norma që ka ndryshuar në shtypshkronjë. Ne kishim një Asamble 10 ditë përpara Kongresit dhe na dha një statut tjetër, i cili thoshte që kryetari i Partisë Socialiste jep dorëheqjen atëherë kur Partia humb zgjedhjet e përgjithshme. Edhe Laburistët që citon Edi Rama e kanë që në qoftë se kryetari nuk fiton zgjedhjet, largohet. E dini se si përfundoi ky statut? U ndryshua në tipografi përpara Kongresit. Kjo normë sipas së cilës kur partia humb zgjedhjet jep dorëheqjen dhe kjo normë u ndryshua në: Kur Partia Socialiste nuk del forcë e parë në zgjedhje, kryetari jep dorëheqjen. Prapë i lihet LSI-së në dorë. Nëse LSI-ja shkon në një koalicion tjetër, Edi Rama qëndron në krye të Partisë, duke thënë se fajin e ka Ilir Meta që ikën nga koalicioni.

Ai thotë se nëse nga zgjedhjet del parti e parë, pavarësisht se çfarë vendos Ilir Meta (meqë po e marrim në vëmendje), ai mban mandatin e kryetarit.

Blushi: Nuk mund ta mbajë pasi nuk është kryeministër sipas këtij referendumi. E kuptoni se në çfarë absurdi është futur Edi Rama?! Në qoftë se Ilir Meta ikën nga koalicioni, unë nuk e kam fajin, e ka Ilir Meta. Ky është absurditeti më.. nuk është kinez… se kinezët nuk e bëjnë këtë. As koreano-verior.

Në Korenë e Veriut nuk besoj se bëjnë referendum..

Ky nuk është referendum…është i fituar në tavolinë. Është një shifër e shkruar në tryezën e Edi Ramës.

Nuk keni pasur hapësirë për të dhënë vërejtjet tuaja?

Jo unë, por askush. Në 3 vitet e fundit, nuk ka pasur asnjë forum që është mbledhur, as kryesi, as Asamble, as Kongres. Absolutisht asgjë! Çështjet e Partisë nuk kisha ku t’i ngrija. Kam kërkuar vetëm zgjedhje. Shqiptarët ta kuptojnë. A mund të penalizohem unë se kam kërkuar zgjedhje? Ka ardhur koha e zgjedhjeve. Unë nuk po kërkoj zgjedhje një ditë pas zgjedhjeve, por 7 vjet pas zgjedhjeve. Kjo është e vetmja gjë që kam kërkuar.

Ju keni bërë fushatë për Rilindjen në 2013-n, që kishte tezë kryesore Rilindjen?

Kam bërë fushatë për Partinë Socialiste. Në fletën e votimit dhe në fushatën time, nuk kam folur një ditë për Rilindjen. E di pse? Sepse nuk kam pasur asnjë ditë shpresë se Rilindja mund t’i bënte ndonjë gjë Shqipërisë. Dhe për fat të keq apo të mirë, ajo që mendoja u provua. Falimentimi më i madh në Shqipëri është Rilindja. Është e gjitha një falimentim në kuptimin administrativ dhe qeverisës. Është një pushtim i një partie për të pushtuar një qeveri.

Z.Blushi, Rilindja sipas jush nuk e përfaqëson Partinë Socialiste?

Sigurisht që jo! Në qoftë se e shikoni nuk flas asnjë sekondë për Partinë Socialiste. Atë nuk e fajësoj për asgjë. Sepse është një parti nën terror pune.

Takoni ju në parti njerëz të terrorizuar?

Blushi: Shumë! Shumë!

Çfarë ju thonë?

Shumë njerëz më thonë që ti ke shumë të drejtë. Nëse ata flasin, nesër nuk janë në punë. Është edhe e kundërta. Ngarkohen me punë pasi bëhen rilindas dhe shkarkohen sepse thonë se duhet të ketë zgjedhje në parti. Kjo ka ndodhur. Kjo është arsyeja pse unë kam kërkuar zgjedhje, sepse nëse do të votonin, socialistët do të votonin kundër Rilindjes. Dhe kjo është arsyeja pse Edi Rama nuk bën zgjedhje.

Nuk do ta njihni rezultatin e referendumit?

Kjo është një vjedhje. Është një grabitje. Unë nuk kam ndërmend të legalizoj një grabitje. Ky është një mandat i grabitur dhe nuk kam mundësi ta legalizoj, edhe sikur të doja, pasi të gjitha normat janë shkelur.

Share: