Nga Arta Marku
Isha duke dalë nga Panairi për pak pushim dreke. Do të kthesha sërish sepse kisha piketuar në kalendar disa takime ku nuk doja të mungoja. Një kafe me mikeshën time botuese. A.B ishte fiks gjëja që doja të bëja atë çast
-Prit pak, – më tha kur ia propozova. – Po vjen një klasë gjimnazi. Dua të bisedoj me ta.
Iu binda pa hezitim. S’kaluan veç sekonda dhe dritën që mbërrinte nga dyert e mëdha të hyrjes në Panair e pengoi një turmë e madhe të rinjsh.
-Po mendoj, – i lindi aty për aty ideja A.B., – se mund t’u flasësh ti për librin e Eleni Laperit
Për herë të dytë iu binda dhe instinktivisht zgjata dorën dhe mora nga banaku librin ‘Kolë Idromeno, themeluesi i artit realist shqiptar”. Sapo e kisha lexuar e madje kisha bërë dhe një bisesë të gjatë në studion e BIBLIOTEKËS me Elenin, lidhur me të. Ideja që t’u thoja disa të rinjve dy fjalë për Idromenon po më pëlqente çdo çast e më shumë.
Sakaq nxënësit ishin afruar.
-Hyni brenda. – u thotë A.B.
-Jo, jo. – refuzuan të gjithë në kor.
-Pse jo?
Hapësira që po e quanim “brenda” ishte e gjerë dhe mikpritëse. Dy ndenjëse të veshura me kadife të gjelbër dukeshin të rehatshme, disa karrike të tjera mund të mblidheshin. Disa nxënësve do t’u mbetej të rrinin në këmbë, ose përtokë mbi moketin blu. Pse jo, fundja? Rëndësi ka që shmangim tollovinë e korridorit.
-Jo, jo… – vijonin të refuzonin këmbëngulshëm nxënësit duke na hutuar.
Për një çast mu duk vetja si tregtaret e spovuara të pazarit të zarzavateve, ku ti shkon për të blerë një kile domate e del me torbat me 7 lloje zarzavatesh të tjera. Ty s’të duheshin por magjistricat e tezgave të kanë futur në grackë. E pra, do kishe bërë mirë të mos aviteshe hiç te tezga. Po ti u afrove, pyete dhe përfundove me trastat që tani mezi po i ngre duke menduar se ku do t’ua gjesh vendin blerjeve. Ashtu mu duk edhe dje, sikur po përpiqeshim të fusnim në grackë ca “viktima” që i ishin afruar rastësisht “tezgës”. Ndryshimi ishte përmbajtja e “tezgave”. Por gjimanazistët dinin të bënin rezistencë, me inteligjencë madje, për të mos rënë në leqe.
Një vajzë bëri shenjë nga një kamera duke na sqaruar se nuk do të donin te filmoheshin. Merre me mend brezi që edhe në pasqyrat e tualeteve fotografohen e xhirohen, për t’u shfaqur pastaj nëpër rrjete sociale, shqetësohet nga një kamera mes librave. Në fakt kamera ishte e mbyllur, por nuk e zgjatëm. Dakord, le të rrinin në korridor.
-A keni dëgjuar ndonjëherë për Kolë Idromenon?- i pyeta duke e kaluar vëmendjen te libri.
-Jo, jo. – Sërish përgjigjja erdhi në kor.
-A keni dëgjuar ndonjëherë për Motrën Tone?
-Jooooo.
Po mirë. Hapa librin te imazhi i Motrës së piktorit dhe ua tregova. Diçka lëvizi. Zgjatën kokat.
-A e keni parë ndonjëherë? Ndoshta në Galeri? Para rreth 3 vitesh është ekspozuar…
-Jo.
Mesa duket nuk doja të dorëzohesha dhe vazhdova t’u flas për Idromenon e Idromenot.
-I ati, Arseni, mbërriti në Shkodër pothuaj në të njëjtën kohë me Pietro Marubin. Padyshim që këtë e dini se kush është.
Përgjigjja mohuese kësaj here erdhi e zbehtë, dy-tri zërash, sepse nxënësit as që e dëgjuan pyetjen. Ia kishin krisur muhabetit. Veç dy tri palë sy po më ndiqnin. S’dija në duhej të vazhdoja. Më shumë akoma, s’dija si ta mbyllja e t’ia mbathja. A nuk isha nisur për kafe tek e fundit? Nga shkova e u ngatërrova me këtë grup aq të painteresuar?!
Prova e fundit:
Iu drejtova atij që e kisha më afër e ndoshta për shkak të afërsisë dukej si më i vëmendshëm.
-Vetëm ti paske interes më duket, për këto gjëra.
-Po, kam shumë interes. Do ma japësh librin?
Ishte radha ime për një përgjigje mohuese.
-Jo! Librin nuk mund të ta jap dhe nuk duhet të ta jap. Librat janë për t’u blerë. Gjatë ditëve të panairit avantazhi është ulja e çmimit.
-Sa përqind është ulja?
-Nuk e di. Mund të pyesni punonjëset në banak. Unë vetëm mund t’ju jap informacione për librin.
-Kurse unë mund ta blej librin vetëm nëse ka ulje 100%.
I buzëqesha djalit që dukej se kishte sens humori.
-Po, po, dua ta blej. Dhe e dua me ulje 100%. –
mesa duket nuk donte të më linte të flisja – E di pse dua ta blej? Se dua ta shes.
-Pra vetëm për ta lexuar nuk të shkon ndërmend?!
-Sigurisht. Unë do të bëhem biznesmen.
-Mendon se nuk i duhen leximet një biznesmeni?
-Jo, nuk i duhen. Do të të ftoj te biznesi im dhe ke për ta parë vetë.
-Pra po ju flisja për Pietro Marubin – ndryshova bisedë – Në Shkodër ka një muze të ngritur mbi arkivën e Marubëve. – vazhdova duke e kaluar shikimin te të tjerët.
Dallova padurimin për t’ia mbathur.
-Po pse keni ardhur në Panair? – Nuk durova dot.
-Më mirë këtu se në mësim.
E keqja më e vogël, pra. E ula librin mbi banak dhe i përshëndeta.
-Shkoni pra, shëtitje të mbarë!
Po mendoja se kur mbërrita në fillim te stenda e shtëpisë botuese M., e gjeta mikeshën time A.B., duke biseduar me mësuesen. Rrotullova shikimim se mos e gjeja përmbys mbi ndonjë banak librash. Kishte firuar. Ndoshta edhe për të, më mirë në Panair se në mësim.
Ndihesha e çliruar që shpëtova nga shpërfillja që buronte nga nga çdo pore atyre nxënësve por edhe e hutuar.
A.B., mu afrua më futi krahun duke më tërhequr jashtë
-Unë jam mësuar me ta.
Mesa duket janë histori gjimnazistësh në panair. Paraditeve salla gëlon prej tyre, çdo ditë e çdo panair.
-Çfarë i trembi aq shumë që nuk deshën të hyjnë? – e pyeta A.B.teksa ishim tashmë në rrugë.
-Asgjë. Thjesht donin të iknin sa më parë.
-Ai djali me hoodie të bardhë mu duk i interesuar në fillim. Dëgjonte me shumë vëmendje, çudi si u përmbys papritmas situata!
-Ndoshta ka ndjerë rrezikun e bullizimit nga shokët.
Oooops! Turpi i leximit …
Fillova të përpiqem se mos arrija të përcaktoja, pak a shumë, moshën mesatare të vizitorëve që i kisha parë të endeshin nëpër Panair të librit. Më shfaqeshin kurrize të përkulura zonjash shtatshkurtra ose shtatshkurtuara nga mosha që ecnin ngadalë para meje, ca nga lodhja e ca nga dilemat në duhet të ndalnin në stendën anash apo përballë. Sa shumë më dolën përpara këto dy ditë. I dalloja që ishin të ndryshme nga ngjyrat e xhupave.
Një copë herë të gjatë qëndrova te stenda Toena, ku kam librin tim “Dhomat pa mure” dhe intervistën e gjatë me B. Mustafajn “Letrat e mia kredenciale”. Dhe vëzhgoja.
Kur u afruan tri vajza gjimnazi që merrnin librat nëpër duar dhe i linin prapë pa vendosur dot, u fola.
-Ju intereson letërsia shqipe? – i pyeta.
Pohuan të treja në një kohë.
-Ç’autorë njihni?
-Ismail Kadare, Sami Frashëri.
Unë nisa të vras mendjen se ç’të kishin lexuar vallë nga Samiu: fjalorin arabisht-turqisht? E po mirë, se mund të ketë qenë “Dashuria e Talatit me Fitneten”. Unë vetë nuk e jam e sigurt nëse ekziston në gjuhën shqipe, por në mos qoftë ia vlen sakrifica e leximit në turqisht.
Kurse vajzat, asnjëra prej tyre nuk mundi të gjejë një emër të tretë për ta zgjatur listën.
Vendosa të mos e zgjas as unë dhe i përshëndeta.
Sakaq një zhurmë më bëri të kthej shikimin nga ana tjetër. Një burrë i moshuar nuk e kishte vënë re shkallën mbi të cilën ishte vendosur banaku i librave dhe për pak s’u rrëzua. Por, asnjë zarar. Pata një deja vu. Eh po, e njëjta gjë edhe vjet. Dhe disa herë madje. Dhe më duket se edhe pamja e njerëzve që humbnin ekuilibrin në shkallaren përpara banakut ishte pothuaj një deja vu: flokë të bardhë dhe supe të kërrusur. Pikërisht. Mos ndoshta vizitorët më të shumtë të stendave ata janë. Në mos më të shumtët në total, më të shumtët mes të interesuarve për libra që nuk i ka sjellë zysha?
Ata ndalin, shohin me kujdes, shfletojnë me interes, me gjasë edhe blejnë. Së paku do të kishin dëshiruar. Nëse blejnë pak do të kishin dashur të blinin më shumë.
Sa për të rinjtë… nuk them se e kanë braktisur Panairin. S’kam si ta them. Ama e sigurt është që kur vijnë me klasën dhe zyshën në krye, kryesisht vijnë se është më mirë në Panair se në klasë. Në Panair askush s’të ngre në mësim.
… Pastaj mu shfaq kjo foto përpara në FB. E bukur dhe me një fije trishtim.
Ftoj vizitorët e Panairit të fotografojnë ndonjë gjimnazist të përthithur nga një libër siç i ka ndodhur këtij zotërie nga libri “Në bregun përballë” të Telemak Koçës.
Unë nuk pata mundësi me nxënësit e PNL…