Home Gjeo-Ekonomia Greqia nënshkruan marrëveshje me Egjiptin për zonat e kërkim shpëtimit, rrëzohet pakti...

Greqia nënshkruan marrëveshje me Egjiptin për zonat e kërkim shpëtimit, rrëzohet pakti turkolibian

Athina zyrtare i ka konsideruar si tepër historike dy marrëveshjet që Egjipti dhe Greqia nënshkruan të martën, duke përfshirë një pakt për të përmirësuar bashkëpunimin në misionet e kërkim-shpëtimit në të gjithë Mesdheun, i cili anulon efektivisht sipas qeverisë greke memorandumin e paligjshëm turko-libian.

Marrëveshja e nënshkruar nga ministri i Jashtëm grek dhe ai i Mbrojtjes me homologët e tyre egjiptianë ka të bëjë me përcaktimin e zonave të Kërkimit dhe Shpëtimit, të cilat tashmë janë identifikuar me zonat ajrore të Athinës dhe Kajros dhe përbëjnë sipas qeverisë greke një përgjigje ndaj sfidave të pabaza të Ankarasë ndaj sovranitetit dhe të drejtave sovrane të Greqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një kornizë bashkëpunimi që do të ndihmojë në shpëtimin e jetëve të çmuara njerëzore, por gjithashtu po dërgojmë një mesazh të qartë se veprimet tona janë gjithmonë të bazuara në normat ndërkombëtare. Në asnjë mënyrë nuk përpiqemi të cenojmë sovranitetin apo të drejtat sovrane të vendeve të tjera, në kundërshtim me atë që të tjerët po bëjnë në këtë rajon vazhdimisht“, u shpreh ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Egjipti dhe Greqia janë përpjekur të forcojnë lidhjet diplomatike sidomos pas një marrëveshje të diskutueshme për kërkime detare për gaz natyror që rivalja e tyre e përbashkët Turqia, nënshkroi me administratën perëndimore të Libisë me bazë në Tripoli muajin e kaluar ,të cilën dënuan Dendias dhe homologu i tij egjiptian Shoukry.

Marrëveshja tjetër e nënshkruar nga zëvendësministrat e jashtëm lejon ardhjen dhe qëndrimin deri në 9 muaj të 5,000 egjiptianëve për të punuar në sektorin e bujqësisë në Greqi.

Top Channel

Share: