Home KRYESORE Gazetaria investigative nuk ka vdekur. Na duhen gazetarë të tillë

Gazetaria investigative nuk ka vdekur. Na duhen gazetarë të tillë

Nga ROLAND QAFOKU

Zylyftar Bregu, Esmeralda Keta dhe Ina Allkanjari janë nderuar dje nga OSBE me çmime si autorë të shkrimeve më të mira investigative të vitit. Teksa mora pjesë dje në ceremoninë e organizuar në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit pata kënaqësi dy fishe.

E para u gëzova për të tre gazetarët e vlerësuar për shkak se të tre njihen në komunitetin tonë si profesionistë, të besueshëm dhe të ndershëm. E theksoj, të ndershëm, sepse gazetaria investigative e ka gjysmën e punës së saj kur autori i një investigimi e zotëron këtë cilësi. Pikërisht këtu nis përpjekja për të qenë sa më larg rregullit “Bad journalism, bad democracy”.

Zylyftar Bregu në fakt e ka lëvruar këtë zhanër edhe gjatë kohës kur ishte gazetar terreni dhe shumë vite më parë fitoi një çmim me një shkrim që diktori shumë në politikë deri me arerstime dhe dënime nga gjykata të zyratarëve shumë të lartë. Por rikthimi i tij me një shkrim investigativ tregon jo vetëm që nuk i ka vdekur nervi i vjetër, por duke qenë edhe pedagog ai modelon studentëve konkretisht me punë dhe jo me fjalë se si duhet të bëhet gazetaria investigative.

Esmeralda Ketën unë nuk e njoh personalisht, por nga shkrimet e saj që kam lexuar ajo dallohet për stilin “fact check”. Shumë shkrime të saj janë referencë dhe mediat ku ka punuar, ajo ka qenë e spikatur pa bujë për lajme dhe scoope të dala nga vëzhgime të holla.

Për Ina Allkanjarin dua të ndalem pak më shumë. Është një gazetare e re dhe e njoh shumë mirë gjatë kohës që e kisha pjesë e stafit të gazetës “Fjala” kur isha drejtor i saj. Më bënte përshtypje që edhe pse pa shumë përvojë krijoi një autoritet në punë sepse ishte shumë e saktë dhe e sinqertë dhe unë për këtë e vlerësoja pa masë. Kurrë nuk shkroi për një lajm të pasaktë dhe kurrë nuk u mburr se “kishte bërë namin”.

Mua më vjen mirë që Ina ka fituar këtë çmim sepse për brezin e saj ka shumë etiketime të tipit “nuk punojnë”, “janë dembela” apo “duan të ikin në Gjermani”. Jo. Ina jo vetëm vazhdon të punojë shumë, jo vetëm sakrifikon me oraret dhe angazhimet e saj por edhe rrezikon me shkrime duke guxuar të përballet me pushtetarë dhe të fortë që i kemi rrotull sa herë preken. Por Ina ka zgjedhur të jetojë këtu.

Dhe si? Duke bërë më të vështirën: Gazetarinë investigative. Ina është model se si një gazetar i ri duhet të punojë duke patur model punën me djersë si dhe përuljen dhe jo fryrjen dhe pasionin për të folur në panelin e radhës në një emision të radhës me burime anonimë të radhës për të cilat faktet në fund nuk i dalin të sakta. Arsyeja e dytë që u gëzova me këto vlerësime lidhet me faktin e thjeshtë se gazetaria investigative në Shqipëri nuk ka vdekur.

Thjeshtë ajo kërkon gazetarë të ndershëm, të zotë, kurajozë dhe modestë njëkohësisht. Zylyftari, Esmerlada dhe Ina janë tre prej tyre. Na duhen shumë gazetarë të tillë.

Share: