Home KRYESORE Dua t’i besoj kryetarit, s’më lejon ish-kryeministri

Dua t’i besoj kryetarit, s’më lejon ish-kryeministri

Nga Lis Bukuroca

Kryetari u betua se “tërë fuqinë do t’ia kushtojë ruajtjes së Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Sigurimit të lirive dhe të drejtave njerëzore…”

Pse nuk e bëri këtë derisa ishte kryeministër, kur pati pushtet ekzekutiv dhe si mund ta bëjë atë, kur tani ka rolin e Elizabetës së Anglisë, nuk e tregoi. Pse nuk e bëri kur ishte si Merkel, por dëshiron ta bëjë kur është Jahjaga? A domethënë kjo, se Isa Mustafën dhe Kadri Veselin, konsideron marioneta të vetat?

Edhe pse ato tre nocione të rëndësishme, kishte shkruar me shkronja të mëdha, nuk e bëjnë Kosovën më të jetueshme, më të fuqishme, më të pavarur dhe më të sigurt. “Integriteti” i shkruar me shkronjë të madhe, ka brenda një autonomi të madhe, tok me qeverinë serbe në territorin e Kosovës.

Sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë, mbron Bondsteel. Këtë din shumë mirë ish-kryeministri, që nuk krijoi një armatë, por kishte ndërmend të ndërtonte një ‘fak’!

Se garanton liri të qytetarëve, ka gënjyer. Ndoshta pa dashje. Si kryetar, nuk ka pushtet politik për të mbrojtur ato të drejta të qytetarëve, që i ka shpërfillur derisa ishte prijës i ekzekutivit. Ndoshta mund t’i falet se flet akoma si kryeministër.

Për të “drejtat njerëzore“ të tija, nuk mund të flasë. Nuk kam dëgjuar kurrë. Nuk kam lexuar se ekzistojnë. Mund të jetë mbetje komuniste, që garantonte liri kolektive, por jo individuale. Njoh të drejtat dhe liritë e njeriut, të individit, por për të drejtat njerëzore, nuk di gjë prej gjëje. As për të drejta shtazore, jo. Çfarë i përgatitet popullit me të “drejtat njerëzore”, mbetet të shihet pesë vitet e ardhshme. Natyrisht nëse nuk bëhet kryetari i parë në historinë e Kosovës, që arriti të gjitha epshet karrieriste në jetë dhe, përfundon në burg.

Kryetari i ri i kënaqur me punën e vet rikujtoi se “…ka besim të plotë në Institucionet e Kosovës, në Parlament dhe në Qeverinë e Kosovës me besim se do të vazhdohet me qeverisje të mirë.”

E lexuat mirë? Me qeverisjen e mirë! A thua mendonte për Danimarkën apo Norvegjinë, kur fliste për qeverisjen e mirë? Institucionet e Kosovës të krijuara nga Thaçi kryeministër janë: gjykata dhe prokurori të korruptuara, spitale të korruptuar, universitete ku blihen diploma, administratë mediokre, degradim i gjuhës, degradim i historisë, mjerim ekonomik dhe liri në vjedhje.

Nëse vazhdohet me qeverisjen e mirë të Thaçit, popullit nuk i mbetet rrugëdalje tjetër, pos migrimit, çfarë qeverisja e mirë, pengoi duke mos arritur për tetë vite të plotësojë kushtet për pezullimin e vizave.

Kryetari i ri me një fjalë falënderoi LDK-në e Rugovës, që e bëri kryetar dhe tha: “sot kujtojmë përpjekjet për liri të Presidentit Ibrahim Rugova…”

Krejt puna dhe angazhimi politik i Rugovës, u përkufizua me një fjalë: Përpjekje. Kështu mund të shprehet vetëm një pionier, që është shkolluar në buron politike të komitetit qendror të partisë komuniste dhe që shokët e vet, për pushtet, dërgon me kënaqësi në gullag.

Fjalimi inaugurues ishte një agjitprop i përkryer komunist, ku kryetari i ri, u përpoq të rriste moralin e proletariat, i cili mendon se akoma posedon OTHPB, që kryeministri, ia ka shitur borgjezisë, ose revizionistëve të jashtëm. Leximi mëtutjeshëm, është humbje kohe dhe traumatizues, sepse struktura e gjykimit, është tipike për kolhozet.

Me LDK-në e Rugovës, plotësoi të gjitha ëndrrat. Jo pse ishte më gjeniali, por se ishte më elastiku, më i zhdërvjellëti dhe politikani më i epshëm. Sidoqoftë urime atij dhe falënderime Jahjagës që së paku për disa vite, u dukëm si të qytetëruar!

Share: