Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba tha të hënën se qeveria e vendit të tij synon që një takim i nivelit të lartë për paqen të mbahet deri në fund të shkurtit, një vit pasi filloi agresioni i Rusisë.
Ai tha në një intervistë për agjencinë Associated Press se Ukraina shpreson që takimi të mbahet në Kombet e Bashkuara dhe të ndërmjetësohet nga Sekretari i Përgjithshëm, António Guterres.
“Ideja e formulës së paqes synon të mos lejohet Rusia të manipulojnë çështjen e paqes sepse ata po thonë rregullisht se janë të gatshëm për negociata, gjë që nuk është e vërtetë, sepse çdo gjë që po bëjnë në fushën e betejës dëshmon të kundërtën. Ata nuk po kërkojnë paqe”, tha zoti Kuleba.Ministri i jashtëm tha se Ukraina do të bëjë gjithçka që mundet për të fituar luftën në 2023, duke shtuar se diplomacia luan gjithmonë një rol të rëndësishëm.
Por nga ana tjetër Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të hënën se Ukraina duhet të përmbushë propozimet e Moskës në lidhje me “territoret e tyre të reja” – ose ushtria ruse do të ndërmarrë veprime të tjera.
“Armiku është i vetëdijshëm për propozimet tona për çmilitarizimin dhe denazifikimin e territoreve të kontrolluara nga regjimi dhe eliminimin e kërcënimeve ndaj sigurisë ruse prej andej, duke përfshirë territoret tona të reja”, tha Lavrov.
“Ka mbetur vetëm një gjë për të bërë: ‘t’i përmbushni ato para se të jetë tepër vonë”, përndryshe, ushtria ruse do t’i marrë gjërat në duart e veta. Për sa i përket kohëzgjatjes së konfliktit, topi tani është në fushën e Uashingtonit dhe regjimin e saj. Ata mund ta ndalin këtë rezistencë të kotë në çdo moment”, paralajmëroi ministri rus.