Home KRYESORE Modelet që i thonë jo Big Brother-izimit të jetës sonë

Modelet që i thonë jo Big Brother-izimit të jetës sonë

Nga Roland Qafoku

Nuk ka asnjë qelizë të shoqërisë sonë që prej 24 dhjetorit që nuk ndjek, flet dhe diskuton për Big Brother. Sado që ka kritikë me shumicë, sado që ka debate pa fund, indiferentët janë në minorancë dhe mbyten nga zërat e atyre që diskutojnë, debatojnë dhe që janë masa e madhe e shoqërisë. Po përse disktojmë kaq shumë dhe më e rëndësishmja, përse një spektakël që brenda ka “të famshëm për asgjë” është kthyer në ushqim shpirtëror dhe kënaqësi disa fishe për publikun? Fare e lehtë të japësh arsye për këtë. Jeta kulturore në Shqipëri është aq e vakët sa një spektakël si Big Brother kthehet shumë lehtë në mani. Festivali i këngës në fundvitin e shkuar i marrë në dorë nga këtë ustallarë mediokër i ngjau një Big Brother-i për nga fjalori, stili, skenari duke e shëmtuar edhe festën më të madhe të vitit. Sigurisht që në Shqipëri vlera pozitive ka dhe për këtë kategori ky produksion është i pavlerë, por këto vlera nuk i çmojmë. I çmojmë vetëm kur kur ata të talentuarit, ambiciozët dhe ata që bëjnë art ikin jashtë, shtegtojnë bashkë me talentin e tyre dhe kur ata kapin majat e botës, befas atëherë ne bëjmë shqiponjën dhe themi “jemi krenarë se jemi shqiptarë”. Po marr vetëm ata që janë lindur, rritur dhe arsimuar në Shqipëri.

Po përjashtoj ata që “rezultojnë” që në ADN-në e tyre mund të kenë ndonjë qelizë shqiptare dhe kjo tollovi të bën të mbash barkun me dorë. Rasti më i fundit hokatar ishte me regjisorin e madh të Hollyood-it Francis Coppola se meqënëse në një video përmendi fjalën mëngjez, (edhe kjo mezi kuptohet) ai na del arbëresh, rrjedhimisht shqiptar. Apo të futbollistit Lionel Messi që sapo u shpall kampion Bote, me një zbulim po hokatar na rezultoi se ka një rrënjë nga arbëreshët e Italisë, rrjedhimisht është shqiptar. Apo i George Washingtonit, themeluesit të SHBA, na rezulton se ishte çuni i Bales nga Tetova, pra babai i Amerikës na del shqiptar safi. Pra, po marr vetëm ata që janë produkt 100 për qind shqiptar.

Ermonela Jaho na bëri sërish krenar sapo nisi 2023 duke u shpallur “Artistja e vitit” si soprano për “International Classical Music Aëard”. E lindur, rritur dhe arsimuar që nga Liceu Artistik “Jordan Misja” dhe deri te Akademia e Arteve në Tiranë, ajo aktualisht vijon të këndojë në skenat më të mëdha operistike të Botës dhe tashmë ka marrë çmimin e publikut “diva” e padiskutueshme për të gjithë botën e muzikës klasike.

Igli Tare vijon prej afro dy dekadash të jetë drejtor sportiv i Lacios, një prej klubeve më të rëndësishëm të Italisë. I lindur, rritur dhe arsimuar në Tiranë, i vlerësuar si drejtori më i suksesshëm në Serinë A, ai dikur iku për të vijuar karrierën si futbollist në Gjermani dhe Itali dhe falë stërvitjes dhe disiplinës spikati dukshëm në këto dy shtete dhe pasi la futbollin e luajtur nisi drejtimin e klubit në fjalë duke u vlerësuar si drejtori më i mirë i futbollit në Itali.

Luiza Gega po thyen ligjet e mjekësisë dhe sportit teksa afër moshës 34 vjeçe u shpall kampione Evrope për 3000 metra në një garë që duhet ta kishte kryer në moshën 25 vjeçe. Por djersa çurk në pistë dhe pa u ankuar se “në Shqipëri nuk bëhet”, më 21 gusht të vitit të kaluar vajza trup vogël arriti të lërë pas atletet gjermane dhe angleze. E lindur në Mirditë, me orgjinë nga Dibra dhe e diplomuar në Universitetin e Sporteve të Tiranës, ajo e arriti suksesin në stadiumet dhe pistat e huaja, por jeta e saj vijon të jetë akoma në Shqipëri me synime edhe më të larta se kampione e Evropës.

Por nuk janë vetëm këta në fushën e artit dhe sportit. Akademiku Artan Fuga ka lindur dhe është arsimuar në Tiranë. Sigurisht që më pas ai ka vijuar arsimimin në nivele më të larta në Francë ku ka marrë dy doktoratura. Por sot ai jep mësim dhe është pedagog në disa universitete po në Francë, ndërkohë që vijon të ndajë jetën mes Parisit dhe Tiranës duke qenë pedagog edhe në Universitetin e Tiranës.

Lea Ypi një tjetër personalitet në fushën e studimneve ka lindur, rritur dhe është arsimuar në Shqipëri dhe sot është pedagoge në universitetin britanik “the London School of Economics and Political Science” duke marrë shumë vlerësime për studimet e saj.

I mora këta shembuj jo vetëm suskesi por që frymëzojnë të gjithë ata të rinj që kërkojnë të bëhen dikush në jetë. Por që këtë e kanë arritur jo thjesht nëpërmjet punës normale, por një sforcimi ekstrem duke u bërë më të mirë se të huajtë me të cilët kanë konkuruar dhe duke dalë në majë. Ndërsa modeli që krijon Big Brother është ai më negativi që nuk përçon as më shumë, e as më pak si ajo thirrja e disa të rinjve matanë kangjellave të Top Channel: O Luis, o kampion, gjithë Shqipëria ty të don! Skenë më të rëndë për një shoqëri nuk mund të ketë. Por ama edhe kjo e ka një shpjegim. Kush qahet dhe kush ankohet është i paaftë. Nuk e shkruajta gabim. Është i paaftë dhe kërkon të shikojë Big Brother. Të fitojë atje me metoda dhe vulgaritete dhe të marrë statusin i famshëm dhe të fusë në xhep një 100 mijë Euro. Ky nuk është as realitet dhe as frymëzim. Nuk mund të kalojë pa asnjë reflektim as disa figura të rëndësishme që kanë bërë art dhe i kanë dhënë vendin tonë. I pari aktori i njohur dhe me shumë vlera në kinematografinë shqiptare por që kurrë nuk ka marrë statusin si VIP, Ndriçim Xhepa. Tha plot mllef Ndriçim Xhepa për Big Brother:

“Sigurisht nuk do isha dhe fatmirësisht nuk është prekur ky televizion nga disa emisione abuzuese që i kemi nëpër këmbë këto ditë. Që i japin një frymë shumë të keqe, një sens antiqytetar, antikulturor, antinjerëzor Shqipërisë….Jo më larg se të ndikuar nga kurioziteti, kemi në familje nga një që do të shikojë se çfarë do të bëhet sonte…Të karakterit deri në dhunë, deri në ofendime, deri në gjëra, që nuk e kuptoj ndonjëherë se çfarë japin. Se kam kuptuar akoma, ndoshta jam mbrapa, por kanë ca probleme të kësaj natyre që sipas meje s’duhet të jenë prezentë. Rinia po shkon drejt një fryme në sensin e humbjes së raporteve. Pra cilësia, çfarë do të bëhet dhe ndershmëria, janë kritere kyçe sipas meje te kushdoqoft pjesëtar”.

I dyti Mevlan Shanaj, një aktor dhe regjisor me shumë kontribute në artin shqiptar por që edhe ky nuk është etiketuar asnjëherë VIP.

Tha Mevlan Shanaj:

“Këtu po bëhet dhunë kulturore shumë e ashpër. Është një genocid për psikologjinë. Ky formatim social, i paditur, i painformuar, sigurisht do të bjerë viktimë që të shikojë Big Brother-in. Shqiptarëve i mungon alternativa e informacionit. Është një informacion shumë i kufizuar dhe i imponuar. Kapitalizmi ka atlernativa, ka zhvillim. Nuk ka dhunë genociste. Shqipëria tani ka vetëm filma turq dhe i vetmi prodhim shqiptar është Big Brother dhe Përputhen, pasi ato janë programe që prodhojnë para. Nuk jam kundër këtij produksioni të tillë. Çdo vend në Evropë dhe Amerikëe ka. Por jam kundër masës së ndikimit në Shqiprëi dhe përçimit te rinia të një modeli që nuk duhet të jetë. Cfarë modeli krijohet aty?Ata janë programe që prodhojnë para, por para lavdisë së nderit, para personalitetit, paratë janë të këqija. Unë dhe shokët e mi jetojmë të nderuar. Nuk është slogan për të shitur mend, por asnjëri nga ne nuk lyp, asnjëri nga ne nuk është bërë manjat i ndonjë medieje që të ketë para pafund. Unë kam 45 vjet me këtë emër, nuk bëhet dot emri për 45 ditë”.

Në këtë kontekst po sjell një citim të divës Ermonela Jaho që më dha mua pesë vjet më parë gjatë një interviste kur e pyesja përse në Shqipëri nuk vlerësohen modelet e mira. Dhe diva jonë e tha më bukur se çdokush:

“Shqipëria po ndryshon ngadalë, por po ndryshon. Por njerëzit janë xhelozë. Nuk e thonë fjalën e mirë. Këtu kemi akoma punë për të bërë”.

E kundërta e këtyre dy personaliteteve janë disa të ashtuquajtur VIP-a edhe më te veckël se ata që janë brenda Big Brother që mbrojnë me zell modelin që krijon ky format dhe ata që janë aty brenda duke i kthyer sipas tyre në frymëzim për të rinjtë. Me këtë këta tregojnë se janë po aq vulgarë sa fjalori i atyre që janë brenda. Këta janë akoma më shumë problem për shoqërinë në këtë aspekt se sa yjet dhe VIP-at futur aty brenda. Duke qenë jashtë këta inspirojnë modele të tilla duke e bërë që në sytë e publikut të kemi një model se ç’duhet të bëjë rinia. Është një Big Brother-izim i shoqërisë që na vret nga pak çdo ditë.

360grade.al

Share: