Sipas presidentes moldave, Maia Sandu, Rusia planifikonte të përdorte diversantë të huaj për të përmbysur qeverinë e Moldavisë për të parandaluar që ajo t’i bashkohet BE-së.
Presidentja e Moldavisë Maia Sandu akuzoi Rusinë se po përgatit një komplot për të përmbysur me dhunë lidershipin pro-evropian të vendit, në mënyrë që të ndalojë Moldavinë të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe ta përdorë atë në luftë kundër Ukrainës.
Sandu i bëri këto komente pasi presidenti ukrainas Volodymir Zhelenski tha javën e kaluar se vendi i tij kishte zbuluar një plan të shërbimeve sekrete ruse “për shkatërrimin e Moldavisë” disa ditë pasi qeveria moldave dha dorëheqjen.
Plane për diversantë dhe mercenarë
Sipas presidentes Sandu, plani i Moskës përfshinte “diversantë” të përgatitur ushtarakisht, të kamufluar me rroba civile, që do të ndërmerrnin veprime të dhunshme, sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe marrjen e pengjeve.
Nën maskën e “protestave të organizuara nga e ashtuquajtura opozitë”, diversantët do të synonin “të rrëzonin rendin kushtetues dhe të zëvendësonin pushtetin legjitim në Kishinau me një të paligjshëm”, u tha Sandu gazetarëve.
Krahas forcave të brendshme Moska planifikon të përdorë edhe shtetas të huaj nga Rusia, Bjellorusia, Serbia dhe Mali i Zi për të organizuar grushtin e shtetit, tha Sandu.
Prandaj, parlamentit të Moldavisë do t’i duhet “të miratojë shpejt” ligjet që do t’u ofrojnë Shërbimit Sekret dhe atij të Sigurisë si dhe prokurorëve “mjetet e nevojshme për të luftuar në mënyrë më efikase kundër kërcënimeve të sigurisë kombëtare,” kërkoi ajo.
SHBA thellësisht e shqetësuar
SHBA i quajti “thellësisht shqetësuese” njoftimet për një komplot rus për të përmbysur qeverinë moldave. Zëdhënësi për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se pretendimet për komplot nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura, por se “sigurisht ato nuk janë jashtë mënyrës së sjelljes nga Rusia”. Ai shtoi gjithashtu se “SHBA është absolutisht krah qeverisë moldave dhe popullit moldav”.
Në fillim të shkurtit ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, tha se Moldavia është “projekti i ri anti-rus” dhe deklaroi se Perëndimi tani “i ka përqendruar sytë te Republika e Moldavisë e cila mund të ketë rolin e Ukrainës së ardhshme”./ DW