Home KRYESORE Në shkurt 1991, kur ne hymë në grevë urie, puthëm flamurin kombëtar...

Në shkurt 1991, kur ne hymë në grevë urie, puthëm flamurin kombëtar dhe jo atë partiak.

Nga Ardi Stefa

Për të ngrënë nuk kishim -picat nuk i njihnim.
Familjet nuk dinin gjë, nuk mundëm t’i lajmëronim (telefonat e postave nuk punonin për lajmthirrjet- sot në protesta konkurrojnë me iphone 1000€).

Dhe nxjerrin selfie idiot face për CV e nesërme.

Atëherë fotografitë ishin të rralla, sot ka më shumë foto se protestues, natyrisht, biografinë e ndërtojnë me foto.

Cigaret Gent e DS sot i kanë zëvendësuar purot dhe cigaret elektronike me shije trëndafili.

Atëherë ishim të veshur me kadife e fanellatë, sot në protestë me Gucci, Versaçe.

Atëherë ishim pa rruar se as brisqe nuk gjenim, kur gjenin brisqe nuk kishte ujë, sot qimet janë në modë.

Atëherë këpucët na fusnin ujë e këmbët na rrinin akull, sot janë me llush nga brenda, të buta e të ngrohta!

Atëherë dëgjonim Beatles dhe The Wall, sot tallava, Noyzi-n dhe Stresin…

Atëherë brenda në grevë i vetmi luks ishte pak glukozë të rrinim gjallë!

Sot pijnë whiskey, xhin e vodka nga më të shtrenjtat!

Atëherë rrezikonim kokën, sot i shkelin syrin me nënkuptim njëri-tjetrit.

Atëherë shpërthyem me lot në sy kur e qërruam qelbësirën dhe ikëm ashtu, të thjeshtë, kokëulur e madhështorë…

Sot ëndërrojnë postet e paratë, që do pasojnë kur të vijnë në pushtet.

Atëherë ne kërkonim dhe sollëm LIRINË.

Sot?
Sot diktatura e përkryer ka thjesht pamjen e një demokracie, por është një burg pa mure, nga i cili të burgosurit nuk ëndërrojnë kurrë të arratisen.

Atëherë ëndërronim dhe sollëm Lirinë; sot kemi një sistem skllavërie ku, falë konsumit të argëtimit, skllevërit e duan skllavërinë e tyre.

Atëherë flisnim e ëndërronim lirinë, sot në protesta flasim për Luizin, Kiarën e përputhoret.

Atëherë Shkurtin e bëmë NE…

Sot na flasin për të e abstragojnë filozofikisht ata që na e shitën dhe shkatërruan demokracinë.
Flasin e mbajnë fjalime bijtë e nomenklaturës komuniste, dhëndurët shënvalentinorë, pazarxhinjtë pa princip e moral, hajdutët…

Sa demode paskemi qenë…

Ta dinim që do vinim në këtë pikë dhe do katandiseshim kështu…

Share: