Home Gjeo-Ekonomia Analiza e VOA: Ukrainë, mbërritja e tankeve perëndimore dhe rrjedha e luftës

Analiza e VOA: Ukrainë, mbërritja e tankeve perëndimore dhe rrjedha e luftës

Tanket e para nga Perëndimi filluan të mbërrijnë në Ukrainë këtë javë, duke nxitur spekulime se Ukraina mund të nisë së shpejti një kundërofensivë ndaj forcave pushtuese të Kremlinit dhe nëse armët më të avancuara do ta kthejnë rrjedhën e luftës në favor të Kievit.

Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov, postoi këtë javë një video në rrrjetin Twitter, ku shihet mbi tankun britanik “Challenger 2” në një vend të paidentifikuar në Ukrainë.

“Ishte kënaqësi ta provoja tankun kryesor të betejës, i pari në Ukrainë”, shkruante më 28 mars zoti Reznikov në Twitter. “Tanke të tilla nga Mbretëria e Bashkuar, kanë mbërritur tashmë në vendin tonë. Këto makineri fantastike do të fillojnë së shpejti misionet e tyre luftarake”.

Gjithsej 14 tanke të modelit “Challenger 2” po dërgohen në Ukrainë. Ministri britanik i Mbrojtjes Ben Wallace tha të mërkurën se nuk mund të spekulonte lidhur me mundësinë e ndonjë ofensive të ardhshme ukrainase.

“Por unë mendoj se nuk është sekret që Ukraina është e prirur të filloj procesin e zbrapsjes së forcave ruse në konflikt. Natyrisht, forcat ruse nuk po bëjnë pothuajse asnjë përparim”, tha për gazetarët zoti Wallace.

TANKET GJERMANE, LEOPARD

Kancelari Olaf Scholz konfirmoi të hënën se Gjermania kishte dërguar tashmë në Ukrainë 18 nga tanket e saj të avancuara “Leopard 2”, ndër tanket më të vlerësuara në botë për fushën e betejës. Kanadaja dhe Norvegjia kanë dërguar gjithashtu disa nga tanket e tyre të modelit “Leopard 2”.

Po ashtu edhe Polonia, Spanja, Finlanda dhe Holanda kanë premtuar të dërgojnë tanke të modelit Leopard. Komandantët evropianë thonë se kjo mund të ndryshojë ekuilibrin në favor të forcave ukrainase.

“Tani, (forcat ukrainase) janë në një lloj pozicioni mbrojtës përballë më shumë se 300,000 luftëtarëve rusë. Ndoshta luftëtarë jo të stërvitur apo armatosur më mirë, por ata po pëballen me këtë lloj cunami ushtarësh, dhe ata po mbajnë vijën e parë të frontit”, tha në fillim të marsit për agjencinë e lajmeve Reuters admirali Herve Blejean, komandant i misionit të trajnimit të Bashkimit Evropian për forcat ukrainase.

“Kur ata të kenë në përdorim tanke më të mira si Leopardi, ata do të jenë në gjendje të depërtojnë dhe të hidhen në kundërsulm. Aktualisht ata po luftojnë për qytetin Bakhmut. Ata po bëjnë një punë të mirë, por raporti i forcave nuk është në favor të tyre”, shtoi komandanti Blejean.

KUNDËRSULMI

Nuk ka gjasa që Ukraina të ketë tanke të mjaftueshme perëndimore për të nisur menjëherë një kundërofensivë të madhe, tha Patrick Bury, analist ushtarak në Universitetin Bath të Britanisë.

“Sa (tanke) kanë tani? Ndoshta 30 ose 40, duke patur parasysh shifrat e premtuara. Për momentin, ndoshta nuk është e mjaftueshme, mendoj unë. Por është një shifër domethënëse”, i tha Zërit të Amerikës zoti Bury gjatë një interviste më 30 mars.

“Një ose dy batalione mund të formojnë një shigjetë depërtuese. Nëse përdoren të gjitha së bashku, nuk do të dëshironit të ishit një ushtar këmbësorie përballë 40 prej këtyre tankeve, nëse ato përdoren siç duhet”, tha zoti Bury.

Këtë javë, në një intervistë me gazetën japoneze “Yomiuri Shimbun” Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se forcat ukrainase kanë nevojë për më shumë armë perëndimore përpara se të nisin ndonjë kundërofensivë.

“Po presim që të mbërrijnë municione nga partnerët tanë”, tha zoti Zelenskyy. “Ende nuk mund të fillojmë (kundërsulmin). Nuk mund t’i dërgojmë ushtarët tanë të guximshëm në vijën e frontit pa tanke, artileri dhe raketa me rreze të gjatë veprimi”. /VOA

Share: